Pamja e parë që trashëgojmë nga Flamuri i Kastriotëve - Arbëria News

Pamja e parë që trashëgojmë nga Flamuri i Kastriotëve

Nga Artan Shkreli

Tani që festa e flamurit kaloi, dhe tingujt e fanfarat po mehen, postoj këtu PAMJEN ME TË PARË që trashëgojmë të FLAMURIT TË KASTRIOTËVE. Natyrisht nuk është pamja e parë e shujkës (stemës) me shqiponjë dykrenëshe të tyre, pasi të tilla kanë tepruar, por pikërisht ajo për së pari e një flamuri.

Grafika nuk është e panjohur, por doja të theksoja rëndësinë e saj si paraqitje parake e atij që me pas u bë flamuri kombëtar i shqiptarëve.

Figura në fjalë gjendet në veprën madhore latinisht të humanistit gjenealogjist gjerman Hieronymus Henninges, botuar në Magdeburg me 1598 dhe titulluar “Theatrum Genealogicum ostentans omnens omnium aetatus familias…”. Në fakt libri ishte përfunduar në vitin 1578, por u botua 20 vjet me pas, një vit mbas vdekjes së autorit.

Vepra është konceptuar në katër pjesë që nyjetohen në pesë volume, në të cilat paraqiten jo vetëm gjenealogjitë dhe shujkat e familjeve më të njohura e me rëndësi për kohën, por edhe vetë studiuesit bashkëkohore. “Theatrum Genealogicum” është tejet voluminoz, dhe në ndërtimin e gjenealogjive Henninges përdor si burimet klasike ashtu dhe ato kohanike te shek XVI (përfshire veprën e Barletit mbi të cilën mbështetet për nxjerrjen në pah të familjes zulmemadhe të Skënderbeut).

Çka bie në sy është fakti se Kastrioteve u jepet rëndësi e posaçeshme, qoftë edhe në raport me familjet princërore e mbretërore të Europës mesjetare, ndonëse ata nuk janë veçse zotër të Arbënisë dhe Epirit.

Trajtimi i Kastriotëve bëhet në kaptinën “Epiri et Albania reges…”, në plot tre faqe (606-607-608) dhe me ta mbyllet Pjesa e Tretë e librit.

Figura paraqet Skënderbeun në këmbë me shpatë në brez dhe me flamurin në dorën e djathtë. Në fakt është një paraqitje shumë e hijëshme dhe duket se me këtë qëndrim gravuristi ka dashur të theksojë faktin se ai është jo vetëm figura më e shquar e gjindjes së tij, por edhe konfirmuesi i një simboli që do bëhet flamur i Provincës së Arbënisë dhe Epirit.

Është hera e parë që, me zotin e kësaj province, parashihet flamuri që do ju prijë më vonë shqiptarëve në përpjekjen për një formacion shtetëror të mevetesishëm e të qëndrueshëm – gjë që, për shkak të represionit turk, nuk mberritën ta bëjnë atëherë kur po ngjizeshin formacionet e reja shtetërore në Europën e Rilindjes dhe Illuminizmit.

Bie gjithashtu në sy veshja fisnikërore, civile e Kastriotit, me në krye kësulën e famëshme tipike arbërore, të ashtuquajturën botërisht “chapeau albanaise”, kësulë që do të bënte trend në gjithë kontinentin, duke dhënë më pas variacionet e shumta të asaj që rendom e quajmë kapele republike.

Fytyrimi i shqiponjës në flamur është i traditës mitteleuropiane dhe ka të bejë, sa i takon formës, më shumë me shqiponjën e ngritur për herë të parë nga Gjoluli në Deçiç (1911) dhe Wiedi ne Durres (1914), se atë të ikonizuar nga Zogu në vitet 20 e që u bë bazë për flamurin e sotëm.

Për ne, kjo gravurë e Pesëqindës, simbolizon Nëntorin e Parë, atë të ngritjes së flamurit në Krujën e çliruar nga osmanët me 28 Nëntor 1443.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

16 − two =