Përshëndetje kryeministrore! - Arbëria News

Përshëndetje kryeministrore!

Zilie Feçi

E shtuna është ditë pushimi! Kuptohet për ata që punojnë në shtet, ose janë në shkollë, sepse shumë që janë të punësuar në privat, janë të privuar nga një fat i tillë. Edhe ata që punojnë në media nuk e kanë këtë privilegj. Megjithatë, për ata që janë pushim, e shtuna dhe e diela nis me zgjim më të vonë se ditët e tjera. Kështu më ndodhi edhe mua këtë të shtunë. Dhe si çdo njeri që punon në media, sapo hap sytë, gjëja e parë që bën është ndezja e televizionit, për të parë nëse ka ndodhur ndonjë hata, se për fat të keq në pak orë mund të ndodhë gjithçka në këtë Shqipërinë tonë pak më shumë se 28 mijë kilometra katror sipërfaqe. Diku mund të ketë bllokime rrugësh e fshatrash nga reshjet e borës, apo rrëshqitjet e dheut, diku ndonjë aksident, diku tjetër ndonjë familje që apelon për ndihmë. Ka nga të gjitha. Por, sapo ti mendon se sa vuajnë shumë njerëz nga fatkeqësi të ndryshme, të vjen si shuplakë një përshëndetje kryeministrore “Mirëmëngjes kazan”!

Zoti kryeministër! Askush nuk të ka asnjë borxh, e aq më pak gazetarët që punojnë dhe të shtunë e të dielë që të bësh ‘urime të tilla”, duke na ngarkuar me energji negative që në “pikë të sabahut”. Askush nuk të ka asnjë borxh, që “urimin” e llojit tënd ta dëgjoj unë, që nuk kam asnjë lidhje me ty dhe arrogancën tënde. Askush nuk të ka asnjë borxh, që ende pa u zgjuar mirë të dëgjojë një togfjalësh të tillë, duke shpalosur ndoshta deficencat e tua të natës. Nëse ne (përfshirë edhe unë që e ushtroj prej 20 e kusur vitesh këtë zanat) qënkemi kazan, atëherë përse të duhet media dhe përse mban një zyrë të tërë shtypi për të njoftuar çdo dalje tënden të detyrës si kryeministër, apo kryetar partie.

Në fund të fundit paguhesh me taksat tona për të bërë detyrën, qoftë kjo edhe detyra si kryeministër. Përse të duhet një regji e tërë dhe njoftime pa fund nga njerëzit e tu të shtypit të merret me ne “kazanin”, që bëjmë punën tonë. Dhe kur kryeministri thotë “mirëmëngjes kazan”, fillojnë të na thonë kështu, diku me humor e diku jo, të thonë edhe shokë e shoqe, miq e kolegë, të afërm, bashkëshortët me njëri-tjetrin dhe detyrimisht lindin qejfmbetje e konflikte. Dhe i pari që bëhet shkas për këto është kryeministri, që në vend të një fjalë të mirë për ta nisur ditën mbarë të gjithë, jo vetëm gazetarët, shkon dhe këput broçkulla, duke shkarkuar gjithë negativitetin e tij tek të tjerët.

Mbi të gjitha tek ata që dalin në punë me energji pozitive dhe duan të jenë të tillë në raport me të gjithë, kolegët, familjarët e tyre, por edhe me policin në rrugë. Edhe me atë që punon me fshesë në dorë rrugëve të Tiranës. Nëse Edi Rama, do kishte më shumë respekt për gazetarët, do të thotë se këta të fundit do jenë më të respektuar. Se fjala bie, me përshendetjen “alla rama”, unë (besoj dhe të tjerë) nuk kam sesi t’i flas njerëzisht fatorinos së autobusit. Përkundrazi, atë (fatorinon) do e shoh edhe më shumë se kazan dhe do përdor ndonjë fjalor më fyes se ajo e kryeqeveritarit të Shqipërisë. Turp për besë, që një kryeministër të përshëndesë në atë farë feje një grup gazetarësh burra e gra, shumë prej të cilëve edhe prindër që në fund të fundit po bëjnë punën e tyre, shpesh edhe me vrarje ndërgjegje, se ato që thotë Rama janë thjesht e vetëm broçkulla, që miliona shqiptarëve nuk u hyjnë hiç në xhep. A kemi kusure ne njerëzit e medias?! Pa asnjë diskutim që po!

A jemi ne në nivelin ndërkombëtar të medias? Jo dhe jo. Por mos harrojmë niveli i medias në Shqipëri është i barabartë me nivelin e shoqërisë shqiptare. Nuk mund të kërkosh një nivel më të lartë të medias, kur Rama, apo të tjerë pas tij orë e çast ngrenë në piedestal arrogancën e tyre. Ne gazetarët kemi fajet tona, por deri këtu, jo më shumë. Dhe kjo askujt, e aq më pak kryeministrit nuk i jep të drejtën të na quajë “kazan”. Dhe në fund një pyetje, ku ne jemi “kazan”, ti zoti Rama i bie të jesh tenxhere…apo???!!!

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × 4 =