Poeti Sadik Bejko komunikon me Fatos Arapin pas 15 vjetësh - Arbëria News

Poeti Sadik Bejko komunikon me Fatos Arapin pas 15 vjetësh

Nga Sadik Bejko
Isha para pak ditësh në Panairin e librit në Fier. Fondacioni “Harpa” me Majlinda Nana Ramën kanë krijuar traditën e një panairi me promovime librash, me çmime etj.

Mbeta shumë i kënaqur që aty u bë promovimi i Poezive të zgjedhura të Fatos Arapit, katër vëllime, një botim luks nga “Nereida” e Jani Malos.

Sipas botuesit dhe Tol Arapit, birit të shkrimtarit, përzgjedhja është bërë nga vetë autori. Vëllimi i parë, “Me jepni nje emer”, 255 faqe përmbledh poezinë e viteve 1962-1989. Vëllimi i dytë, “Në kaq pak Tiranë”, 214 faqe, përmbledh poezinë e viteve 1990-1996. Vellimi i tretë, “Urna e vogël”, 197 faqe, përmbledh poezinë e viteve 1997-2003. Vëllimi i katërt, “Një buzëqeshje e pabesueshme”, 200 faqe, përmbledh poezi të viteve 2005-2010.

Fatos Arapi ka lindur në Zvërnec të Vlorës dhe jeton në Tiranë. Ka vite që nuk del nga shtëpia. Në Fier ditën e promovimit, i biri, Toli, lexoi një fjalë që nuk e kalonte gjysmën e faqes, të shkruar prej poetit.

Libri me poezi shoqërohet nga një parathënie gati një faqe e shkruar prej vetë Fatos Arapit.

Në Fier, në promovim folën akademik Ali Aliu dhe prof. Ymer Çiraku.

Nga sa kam lexuar po them se ky botim është ngjarja letrare më e fundit për poezinë shqipe. Një ngjarje e shënuar. Fatos Arapi është poeti i një poezie shumë origjinale dhe që dëshmon një energji krijuese të pashterrur ende. Admiruesit dhe ndjekësit e poezisë kanë se çfarë të lexojnë këto ditë si dhe në vijim, sidomos të rinjtë për të patur një portret të plotë të poetit të njohur.

Më e rëndësishmja është se Fatos Arapi edhe në poezitë e tij më të fundit vazhdon të jetë në majat më të arrira të artit të tij: Një poezi mjeshtërore ku në mënyrë të veçantë vargu si strukturë e imtë e poezisë merr peshë, gdhendet, shndrit, godet. Prej vargut si kallzë e pjekur e poezisë merr peshë fjala. Estetikisht kjo poezi ka shkëlqimin e pjekurisë tashmë.

Poet i poezisë ekzistenciale, i humbjes, i tragjikes, i haluçinantes, i vetmisë, i tjetërsimit, i zhgënjimit. Poet i dashurisë që nuk është erotike, por dramatike dhe përsiatëse. Poet i detit, i ullinjve, i pelikanit, i qiparisave, i kaltërsirave, poezisë së natyrës, por që kurrë nuk është poezi rurale.

Nuk po zgjatem. Është thënë: “Mjerë ti Jerusalem që i vret profetët”… Fatos Arapi është njëri nga profetët e vargut tonë. Ndoshta e kemi vrarë… Por ai në këto poezi thotë: Duaje Tiranën edhe kur vret!

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

twenty − 6 =