Rama: HEC-et nuk ndërtohen, qeveritë s’janë të pagabueshme - Arbëria News

Rama: HEC-et nuk ndërtohen, qeveritë s’janë të pagabueshme

“Një fabrikim kriminal me koordinata të manipuluara”, kështu e ka cilësuar në “Facebook” kryeministri Rama lejen mjedisore për ndërtimin e HEC-eve mbi Osum.

Rama shkruan se individët e përfshirë në këtë fabrikim do të kallëzohen në prokurori, ndërsa e gjithë procedura do të anulohet.

Më tej, Kryeministri shkruan se asnjë qeveri askund në botë nuk është e pagabueshme, por qeveritë dallojnë nga mënyra sesi reagojnë. “Qoftë kur gabojnë apo qoftë si në këtë rast, kur pa dashje mund të jenë duke gabuar”.


Postimi i plotë i Kryeministrit Rama

“Qysh se u krye procedura ligjore e miratimit të një lejeje të dhënë nga qeveria e mëparshme dhe u mor sinjali se diçka nuk shkonte, Ministri i Mjedisit Blendi Klosi nisi hetimin administrativ të lejes mjedisore. E cila rezultoi një fabrikim kriminal me koordinata të manipuluara. Individët e përfshirë në këtë fabrikim do të kallëzohen në prokurori, ndërsa e gjithë procedura do të anulohet.
Falenderoj qytetarët që na e çuan të parët këtë sinjal përmes Platformës së Bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al dhe të gjithë të tjerët që u përfshinë në publikimin e këtij krimi të mbetur në tentativë.
Asnjë qeveri askund në botë nuk është e pagabueshme, por qeveritë dallojnë nga mënyra sesi reagojnë, qoftë kur gabojnë apo qoftë si në këtë rast, kur pa dashje mund të jenë duke gabuar.
Ndjesë kujtdo që me të drejtë u shqetësua apo pikëllua nga lajmi i keq i prekjes së Kanioneve Magjike dhe mezi pres të rikthehem atje, në duart e djemve e vajzave të mrekullueshme të Federatës Shqiptare të Raftingut”, mbyllet postimi i Kryeministrit në “Facebook”.

/topchannel/

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

2 × one =