Rama: LSI s’e ka problem të përballet e vetme me cilindo - Arbëria News

Rama: LSI s’e ka problem të përballet e vetme me cilindo

Deputeti i LSI-së shprehet se bashkëqeverisja PS-LSI nuk ka qenë asnjëherë në ujëra të qeta. Madje sipas tij, dosage po të ishte kështu, do të ishte një mjerim i madh për vendin. Lidhur me qeverisjen, ai nuk nguron të theksojë se duhet më shumë thellësi dhe më pak show

Intervistoi: Fejzi Braushi

Deputeti i LSI-së, Luan Rama komenton zhvillimet e fundit politike dhe marrëdhëniet mes dy forcave kryesore aleate të koalicionit, duke mohuar që mes tyre të ketë një ftohje që mund të çojë në agravim të marrëdhënieve brenda qeverisë. Ai preferon t’i konsiderojë marrëdhëniet mes tyre si normale, pavarësisht që pranon se për shkak të natyrës së këtyre dy forcave, ato nuk mund të konsiderohen të shkëlqyera. Ndërkohë që lidhur me debatin për CEZ-in dhe implikimin që i është bërë kryetarit të LSI-së në një aferë korruptive, Rama thekson se ky është i gjithi një debat i stisur. Gjithsesi deklaron se, pavarësisht se nga frymëzohet ky debat, LSI si një forcë që është lindur dhe rritur në luftë, është e gatshme që ta përballojë me sukses edhe këtë aksion kundër saj. Nga ana tjetër ai nuk mohon që ekziston një sjellje e vazhdueshme e faktorëve të ndryshëm ndaj LSI-së, që sipas tij buron pikërisht nga rreziku që ndjejnë për shkak të rritjes së kësaj force. Rama flet edhe për dekriminalizimin dhe reformën në drejtësi, duke qenë i bindur se ato duhet të trajtohen si pjesë e të njëjtit diskutim, ndërsa shprehet se, në rast se ato do kalojnë pa konsensus, do të dështojnë.

Zoti Rama, pas një muaji heshtje kryeministri e cilësoi të mbyllur për qeverinë çështjen e CEZ-it. Deklaratën, e shihni si një rikthim në ujërat e qeta të bashkëqeverisjes me LSI-në, apo ka ende mëdyshje për qëndrimin e Ramës?
Kryeministri Edi Rama, për cilindo që arrin të perceptojë normalisht u shpreh qartë, pa mëdyshje, pa ekuivok për një çështje që tashmë është nën hetim nga organi i akuzës, çka mendoj se nuk lë shteg për të tjerë, aq më pak për protagonistë politikë, të cilët ende nuk e kanë kuptuar apo nuk e kanë mësuar se nuk mund të bëjnë më as prokurorin dhe as gjykatësin. Deklaratën e kryeministrit e vlerësoj korrekte, në plotëri me përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe që nuk ka të bëjë as me ujërat e qeta e as me ujërat e rrëmbyera në bashkëqeverisjen PS-LSI. Duke marrë shkas prej pyetjes suaj, gjej rastin të theksoj se bashkëqeverisja PS-LSI nuk ka qenë asnjëherë në ujëra të qeta. Madje po të ishte kështu do të ishte një mjerim i madh, sepse qeverisja askund, aq më pak në Shqipërinë tonë me shumë probleme e halle, me shumë sfida që presin përgjigje e zgjidhje, nuk mund të mendohet nëpër ujëra të qeta.

Në Kuvend, opozita dhe një pjesë e deputetëve të LSI-së votuan pro hetimit ndërkombëtar për CEZ, ndërsa PS kundër. A keni një koment për këtë ndryshim rolesh?

Më lejoni të bëj një korrektim apo saktësim në pyetjen tuaj. PS nuk votoi kundër hetimit ndërkombëtar për CEZ-in, por votoi kundër propozimit të grupit të PD-së për përfshirjen e kësaj çështjeje në rendin e ditës së punimeve të Kuvendit me procedurë të shpejtuar. Pra PS ishte kundër një praktike parlamentare apo thënë ndryshe ishte kundër për një çështje procedure dhe jo për thelbin e propozimit për hetimin ndërkombëtar në lidhje me çështjen CEZ. Pas këtij shpjegimi mendoj se nuk ka vend për komente, sepse jua saktësova që votimi ishte vetëm për procedurë. Dmth, nëse projektligji i paraqitur nga PD-ja do të përfshihej në rendin e ditës për t’u shqyrtuar nga Kuvendi të enjten e javës së ardhshme (këtë gjë parakupton procedura e shpejtuar në praktikën parlamentare), apo do të përfshihej në kalendarin e punimeve të Kuvendit sipas rendit normal të punës në Kuvend, ç’ka do të thotë se mund të shqyrtohej pas 3-4 javësh. Pra vota kundër apo pro procedurës nuk mund të lexohet si votë pro apo kundër nismës për hetimin ndërkombëtar të çështjes CEZ. Kini durimin e nevojshëm dhe do ta mësojmë se cili do të jetë qëndrimi i palëve kur çështja të vijë për shqyrtim e lexim në Kuvend.

Opinioni publik, por edhe mediat kanë vënë re se raportet e fundit mes PS e LSI-së kanë qenë të ndera, por askush nuk ka dhënë arsyen e vërtetë të ftohjes. Sipas jush, pse erdhi kjo situatë, për shkak të akuzave ndaj Metës për CEZ-in, sabotimeve reciproke që i bëtë njëri-tjetrit në zgjedhjet lokale, apo ka edhe gjëra të tjera?

Raportet mes PS-së dhe LSI-së si partnere në bashkëqeverisje janë të kushtëzuara prej përgjegjësive qeverisëse dhe përmbushjes së objektivave të mazhorancës në raport me qytetarin. Ju thoni se opinioni publik (kjo lë për të dyshuar se kush e testoi opinionin publik?!) dhe mediat paskan vënë re se marrëdhëniet mes PS-së dhe LSI-së kanë qenë të ndera dhe se askush nuk ka dhënë arsyen e vërtetë të ftohjes. Është kryekëput perceptim i pasaktë. Marrëdhëniet as kanë qenë dhe as janë të ndera. Nuk janë as të shkëlqyera natyrisht. A ka probleme? Sigurisht që ka, por e theksoj që janë probleme objektive që vijnë prej një morie faktorësh që lidhen me përmbushjen e përgjegjësive qeverisëse. Në cilën shtëpi, në cilën familje nuk ka probleme, mosmarrëveshje, qejfmbetje e madje edhe zënka që të mos ketë edhe ndër partitë tona, veçmas ndër ato të qeverisë? E rëndësishme është që koalicioni qeverisës është funksional dhe maksimalisht i angazhuar me përgjegjësi të plotë për të përligjur çdo votë të çdo qytetari. Janë ndërmarrë e po realizohen reforma të rëndësishme, ndaj qëndroj në idenë se vlera dhe pesha e një koalicioni qeverisës qëndron në zgjidhjet që ofron, në mundësitë dhe shanset që iu krijon qytetarëve e jo në tonalitetin e zërit të kryetarit të partisë apo në cilësinë e buzëqeshjes së tij.

Ka një kontradiktë në qëndrimet e LSI-së pas akuzave të medias dhe opozitës për aferën e CEZ. Ju si parti jeni mbrojtur duke akuzuar ish-qeverinë e Berishës për 7 kompani të tjera si DIA, se kanë përfituar njësoj në mënyrë abuzive dhe nga ana tjetër, zoti Manjani e ka quajtur ‘korrupsion politik’ si privatizimin e OSHE-së nga “Berisha”, ashtu edhe marrëveshjen e pajtimit të qeverisë “Rama”?

Nuk ka asnjë kontradiktë në qëndrimin e mbajtur nga LSI për çështjen e CEZ-it, e më lejoni që në këtë kontekst të risjell edhe për lexuesit tuaj qëndrimin që mbajti Ilir Meta, i cili në fjalën e vet në Kuvend u shpreh qartë, prerë dhe pa asnjë ekuivok për hetim ndërkombëtar të të gjithë veprimtarisë së CEZ-it. Besoj që edhe ju e kuptoni se në këtë qëndrim nuk ka asnjë kontradiktë. Unë personalisht e gjykoj të rëndësishëm angazhimin serioz të institucioneve ligjzbatuese për të zbardhur gjithçka, e përsëris, gjithçka ka të bëjë me CEZ-in. Përpjekjet për ta lidhur emrin e Ilir Metës me këtë histori janë sa djallëzore aq edhe paranojake, sepse kërkojnë të devijojnë vëmendjen prej thelbit të problemit.

Ka një tezë se LSI sulmohet apo është në qendër të një skenari mafioz për shkak të rritjes së saj elektorale. Sa qëndron kjo sipas jush?

Për fat të keq nuk është vetëm tezë, është vijë sjelljeje e orientuar prej pafuqisë së të tjerëve për t’u rritur e faktorizuar me ofertë reale për qytetarët, me zgjidhje në të mirë të tyre dhe duke respektuar çdo qytetar, pavarësisht se i ç’kahu politik është. LSI ka lindur si reaksion ndaj të keqes dhe është rritur në luftë me gjithçka të keqe, ndaj t’ju them të drejtën nuk na bëjnë ndonjë përshtypje as shpifjet, as paragjykimet, as sulmet, as akuzat, as thashethemet, pavarësisht se nga na vijnë; nga të inkriminuar që flasin për dekriminalizimin dhe që në Shqipërinë e 2015-s i gjen edhe në Kuvend dhe mentorët e tyre, apo nga minj korridoresh e gjirizesh që kanë zgjedhur të kenë fatin e miut. Por më lejoni të nënvizoj se e rëndësishme është që e gjithë kjo kryqëzatë anti LSI, është përpjekje e dështuar e një pakice ordinere, që megjithëse e di shumë mirë që nuk do të mbërrijë asgjëkund, vazhdon dëshpërimisht të përdorë instrumente dhe individë të dalëboje. LSI e ka marrëdhënien e vet me qytetarët dhe gjithçka tjetër që synon të interferojë në këtë raport shumë funksional e të përpiqet ta kontaminojë apo komprometojë atë, është e destinuar të dështojë.

Nga ana tjetër qarkullojnë zëra se kryeministri dhe PS  përtej qëndrimeve publike duket se kanë një farë lodhje nga kjo formulë bashkëqeverisja me LSI dhe po kërkojnë një formulë të re bashkëpunimi… Keni një koment?

Po përgjigjem duke marrë pyetjen tuaj në fillimin e vet, teksa thoni “qarkullojnë zëra se …” etj., etj. A ia vlen të merremi me to? Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste janë shprehur më se një herë e në vijimësi, zyrtarisht, për gjithçka na ka bërë bashkë jo thjesht për të qeverisur vendin, po për të realizuar reforma të mëdha europianizuese që të përmbushim misionin kombëtar të integrimit europian të vendit. Dhe në dy vjet të këtij bashkëpunimi, progresi është evident, Shqipëria është më europiane në mentalitet e gjithçka tjetër krahasuar me ç’ka ishte më parë. Tani ju më pyesni mua se “ …përtej qëndrimeve publike duket se kanë njëfarë lodhjeje nga kjo formulë bashkëqeverisjeje me LSI-në dhe po kërkojnë një formulë të re bashkëpunimi”.  E para Kryeministri nuk më duket aspak i lodhur, përkundrazi për aq sa unë arrij të perceptoj më duket i motivuar maksimalisht, tërësisht i përqendruar në punët e veta qeverisëse e kryeministrore. E dyta, nëse dikush ndjehet i lodhur nga kostot e reformave, është përgjegjësi e Kryeministrit të ndërhyjë dhe unë jam i bindur për aq sa e njoh se ai nuk do të hezitojë të ndërhyjë. LSI është e gatshme të ndihmojë, me shumë seriozitet e përkushtim sepse në fund të fundit suksesi i qeverisjes së kësaj maxhorance, nuk është dëshirë, është detyrim, është përgjegjësi shumë e madhe për të përligjur pritshmëritë e të gjithë qytetarëve dhe të partnerëve.

Sa reale ju duken zërat për zgjedhje të parakohshme apo qeverisje me bazë të gjerë PS-PD?

Nuk i kam dëgjuar këto zëra, t’ju them të drejtën, ndoshta edhe sepse frekuencat e tyre difuzohen në një mjedis shumë të alarmuar prej këmbanave të dekriminalizimit. Gjithsesi, mendoj se nuk ka kushte objektive dhe kushtetuese për të shkuar tek zgjedhjet e parakohshme. Duke ju ftuar me shumë luajalitet të mos spekuloni me fjalinë në vijim, unë personalisht nuk sugjestionohem nga sfida të tilla.

Si e shihni ju të ardhmen e dyshes Rama-Meta apo PS-LSI, kur brenda dy viteve kemi dy prova (çështja ‘Doshi-Frroku’ dhe ‘CEZ’) se LSI pothuajse është lënë vetëm nga PS-ja përballë akuzave të opozitës?

Nuk e shoh fare si dyshe as Ramën dhe Metën dhe as LSI-në me PS-në. Mazhoranca në bllok është votuar si e tillë nga shumica e shqiptarëve për të qeverisur vendin, ndryshe nga qeverisja e mëparshme. Brenda kësaj maxhorance, Edi Rama, Ilir Meta e cilido tjetër ka detyrën e vet për të kryer, ka përgjegjësinë e vet për të përmbushur. Ju thoni se PS e ka lënë vetëm LSI-në përballë akuzave të opozitës! Nuk ndaj të njëjtin mendim me ju, por LSI nuk e ka problem të përballet e vetme me cilindo e jo më me opozitën e lodhur e pa asnjë ide, pa asnjë alternativë të PD-së së sotme. Më lejoni t’ju kujtoj se Ilir Meta dhe shumë prej ne të tjerëve që drejtojmë LSI-në jemi rritur politikisht e jemi formuar si të tillë në luftë, po, po, realisht në luftë, duke qenë në opozitë me regjimin e Berishës së parë. Ndërkohë që LSI ka në përbërjen e vet një brez të tërë të rinjsh e të rejash gjithë vrull e energji që nuk do t’ia dijë se kush u del përpara në rrugën e shërbimit ndaj qytetarëve dhe të forcimit të marrëdhënieve me ta. Të tjerët e njohin forcën tonë dhe e dinë shumë mirë se nuk kanë çfarë të na bëjnë as sulmet, as akuzat dhe as shpifjet a thashethemet, ngado që të vijnë ato.

Zoti Rama, pas dy viteve qeverisje si e shihni punën e bërë nga qeveria dhe konkretisht aksionet e herëpashershme të saj, siç është edhe ky i fundit për luftën kundër informalitetit?

Qeveria po përballon me shumë përgjegjësi sfida të mëdha që lidhen me një tërësi reformash kruçiale për të ardhmen europiane të vendi. Unë përgjithësisht e vlerësoj pozitivisht atë që është arritur në dy vitet e parë të qeverisjes, e nëse them se duhet më shumë thellësi e më pak show, nëse kërkoj më shumë respekt për qytetarin dhe më shumë vëmendje për cilësinë e jetës së tij siç po tenton të bëjë Erion Veliaj në bashkinë e Tiranës, kjo vjen prej pretendimit për të mbërritur në horizontin që vetë qeveria dhe kryeministri Rama projektuan dy vjet më parë.

Po rolin që luan opozita e drejtuar nga Basha?

Në respekt të MAPO-s dhe të lexuesve të saj, mos më detyroni të shprehem për një opozitë, së cilës po t’i mungonte Berisha në Kuvend, nuk do të ishte e denjë të quhej as OJQ.

Gjithashtu, një çështje tjetër pjesë e debatit të ditës është dhe reforma në drejtësi. Grupi i ekspertëve ka paraqitur një draft të ndryshimeve kushtetuese, ku shikohet një reduktim i ndjeshëm i kompetencave të Presidentit. Ju nga aq sa jeni njohur me këto ndryshime, si do t’i vlerësoni dhe a mund të bëhet reforma në rast se opozita nuk bie dakord për ta votuar atë?

Për të qenë i sinqertë deri tani, si reforma në drejtësi, ashtu edhe i ashtuquajturi dekriminalizim, kanë prodhuar më shumë politikë, për të mos thënë vetëm politikë. Për mua nuk ka sens që reforma në drejtësi dhe dekriminalizimi trajtohen si dy çështje të ndryshme, kur në fakt reforma në drejtësi si një korpus tërësor duhet të zgjidhë edhe problemin e dekriminalizimit, që më parë se një çështje ligjore, është çështje morale dhe politike. Pa konsensusin e të gjithë aktorëve prej Kryetarit të Shtetit e gjithë të tjerëve, mendoj se nuk do të mbërrijmë në atë standard dhe cilësi të reformës që kërkojnë interesat e vendit dhe që presin partnerët ndërkombëtarë. Projektimi në mënyrë të personalizuar i reformës në drejtësi apo edhe qoftë i dekriminalizimit i zhvlerëson dhe i kompromenton ato. Çfarë ndodhi me dekriminalizimin? Në vend që të kuptohej si një sublimë i politikës, si vullnet i saj për vetëpastrim, u kthye në një aksion për vetënjollosje, deri në atë shkallë sa sot Shqipëria të identifikohet në një varg dokumentesh eurokomunitare si qendër e krimit rajonal e më gjerë. Pra, efekti është krejt i kundërt. Reforma në drejtësi nuk është reformë qeveritare, pavarësisht përgjegjësisë që ka qeveria. Pa konsensus, pa sinqeritet dhe besim reciprok, reforma do të jetë e dështuar.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

16 − four =