Rrëfehet miku i ngushtë i Olldashit: “Koli s’mbante rrip, mbante timonin me bark, sepse dridhte cigare..." - Arbëria News

Rrëfehet miku i ngushtë i Olldashit: “Koli s’mbante rrip, mbante timonin me bark, sepse dridhte cigare…”

Ilir Kadia, mik i vjetër i të ndjerit Sokol Olldashi, kujton bisedën e fundit të tij me ishministrin e Transporteve të PD-së në qeverisjen “Berisha 2”, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik.

Katër vjet pas aksidentit tragjik, ish gazetari i njohur i BBC-së e më pas këshilltari për mediat i ish-kryeministrit Berisha, Kadia vlerëson Olldashin për pasionin për politikën, aftësitë menaxhuese por dhe pasionin për letërsinë dhe kitaren. Ilir Kadia sjell rrëfimet e dëshmitarëve okularë të aksidentit të deputetit demokrat.

Zoti Kadia, ju keni qenë mik me të ndjerin Sokol Olldashi. Si e keni njohur ju ish-ministrin e Partisë Demokratike?

Kolin e kam njohur pas viteve ’90, kur ai filloi të shkruajë për Rilindjen Demokratike, shkrimet e tij ishin pakëz më të veçanta se ato të të tjerëve që shkruanin në atë kohë. Edhe pse i përkiste një gazete partiake, Koli tregonte se kishte një background prej poeti, që vinte jo vetëm nga familja, por dhe nga formimi i tij. Ishte dashnor i kitarës, dhe pse ishte demokrat i orëve të para. Kur unë fillova punë në BBC, në vitin 1993, kur shkoja në Londër, jemi takuar në tranzit në Slloveni dhe kemi pasur mundësi aty që të flisnim gjatë e të njiheshim edhe më shumë. Që prej asaj dite, miqësia vijoi vetëm në rritje. Më vonë marrëdhënia mes politikës dhe medias, interesi i politikës për të pasur sa më shumë akses në media dhe në BBC siç isha unë, e bëri komunikimin dhe lidhjen tonë të përditshme. Ne kishim edhe një pasion të përbashkët, që ishte pokeri, luanim me orë të tëra. Koli mbeti i njëjti njeri i thjeshtë edhe kur u bë ministër, asnjë shenjë fodullëku. Ishim miq shumë të mirë.

Si i ka pasur marrëdhëniet brenda Partisë Demokratike?

Unë nuk kam qenë anëtar i PD-së, si gazetar u kam qëndruar larg partive. Por ajo që flitej në PD ishte se Sokol Olldashi ishte kanakari i Berishës, Berisha i besoi atij disa poste të rëndësishme, por që dhe Koli besimin e kryeministrit ia ktheu me punë dhe me rezultate, si gjatë kohës që ishte ministër i Brendshëm, ashtu dhe si ministër i Transporteve. Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha kanë qenë hap pas hapi me njëri-tjetrin në PD, madje kanë ndërruar të njëjtat ministri. Koli vetëm ministër i Jashtëm nuk u bë dot. Në vitin 2011, pas mbylljes së BBC në seksionin shqip, mua më ftoi kryeministri Berisha dhe u bëra këshilltar i tij për mediat. Gjatë kësaj kohe, unë takohesha shumë shpesh me Kolin.

Si zhvilloheshin mbledhjet e qeverisë në atë kohë, fliste Berisha dhe ministrat mbanin shënime?

Absolutisht jo. Para se të merrja detyrën e këshilltarit të kryeministrit, prisja të takoja një ambient të ngjashëm me atë të qeverisë së Mehmet Shehut, ku nuk fliste njeri dhe hija e Shehut ishte e rëndë. Por me Berishën, pas largimit të mediave, kishte diskutime dhe debate për temat e mbledhjes së qeverisë. Berisha i respektonte shumë vartësit e tij dhe i dëgjonte shumë. Ishte një ekip i barabartë. Mbaj mend në një mbledhje, kur Berisha nxori strategjinë e zhvillimit deri në vitin 2017, dhe deklaroi një shifër shumë të lartë investimesh. Ridvan Bode turfullonte se llogariste shifrat. Sapo u larguan kamerat, Bodja e kundërshtoi Berishën për shifrat e dhëna. Berisha ia argumentoi se qytetarëve duhet t’u ofrosh shërbimet atje ku jetojnë se po braktisin jo vetëm fshatin, por dhe qytetet, po ikin jashtë. Në mbledhje shprehej mendimi i secilit dhe nuk e dëgjova asnjëherë të ulërinte.

Si ishte takimi juaj i fundit me Sokol Olldashin?

Unë kisha lënë një kafe me Adi Krastën te kafe “Artisti” e aty na gjen Koli dhe u ulëm, qëndruam e folëm gjatë. Aty mësova se mbi lokalin, Koli kishte marrë një ambient për zyra, ku donte të kishte zyrën e tij të deputetit. Gjatë bisedës e pyeta Kolin: “Si po ecën kryetari i ri (Lulzim Basha)?”. “Ç’të të them”, më tha. “Berishës i shkoja në zyrë, i shpjegoja problemin, më dëgjonte 2 minuta, por ato 2 minuta ishte totalisht me ty dhe më thoshte kjo bëhet, kjo nuk bëhet. Ndërsa me kryetarin e ri jam ulur, kam folur dy orë dhe pas dy orëve bisedë, më ka thënë: ‘Ma thuaj edhe një herë’! Pra, ai nuk është aty me ty kur ti i flet. Ky është ndryshimi i madh”

Çfarë thoshte për të ardhmen në PD, si e shikonte veten e tij me kryetarin e ri të partisë?

Koli në atë kohë ishte në një riorganizim intensiv dhe të vetvetes, synonte të ishte prezent në të gjitha strukturat e Partisë Demokratike.

Ju tha se ku do të shkonte?

Takimi ynë ishte një ditë para aksidentit dhe nuk na tha gjë. Ishte një bisedë për shumë tema dhe për poezinë, këngën dhe shaka të vjetra tonat. Të nesërmen më mori në telefon Adi dhe më tha: “O Liro, çfarë ishte kjo gjë?!”. Na erdhi çudi e madhe, se një ditë më parë kishim qenë bashkë dhe ishte mirë e bukur.

Cili ishte mendimi i parë që ju erdhi në mendje për këtë aksident?

Nuk e besoja dot (mbush sytë me lot). Unë e mora vesh nga titrat duke ndjekur një emision, ku ishte i ftuar djali, Besi. Aty e lexova për aksidentin dhe cili ishte viktimë e tij.

Ju e keni parë më pas vendin e aksidentit. Personalisht si e gjykuat?

Unë kam punuar në atë zonë, kam qenë ekonomist i furnizim-shpërndarjes në Kooperativën e Bashkuar të Bërzhitës, që përbëhej nga 13 fshatra, dhe unë i arrija ato në këmbë. Kështu që e njihja shumë mirë zonën dhe vendin e aksidentit. Kam shkuar pas dy ditësh dhe pashë vendin. Atje takova pronarin e kafenesë, Kiun. Lokali i tij është më i afërti me vendin e aksidentit. Koli e njihte Kiun, se unë e kisha çuar disa herë kur inspektonim tunelin e Elbasanit. Sa herë kalonte andej, Koli ndalonte dhe pinte ndonjë kafe. Kiu më tha: “Erdhi nga tuneli, ma bëri me drita të gjata, por nuk ndaloi kësaj radhe. Unë isha jashtë, sepse binte një shi i zi dhe frynte erë e po merresha me tendën. E ndoqa me shikim makinën që iku, madje e pashë makinën kur doli nga rruga”. Unë e pyeta: “A shkove menjëherë te vendi i aksidentit?”.

“Jo, më tha Kiu, sepse kur kam shkuar në një rast të ngjashëm, më kanë mbajtur tri ditë në polici, sepse nuk duhet të kisha prekur gjë te vendi i ngjarjes. Kur pashë që ndaluan makinat që kalonin rrugës, atëherë shkova dhe unë te kthesa”. Unë e pyeta se kush kishte shkuar i pari? Kiu më tha se i pari kishte shkuar Zyber Tarja, banor i zonës. Në kohën e monizmit ka punuar me mirëmbajtjen e rrugëve. Zyberi më tha se ishte Koli në makinë, ndërsa kur shkova unë, kishte dhe shumë kureshtarë të tjerë që ndalonin. Koli ka qenë duke folur në telefon kur ka hyrë në kthesë, makina i ka ikur nga kontrolli dhe ka dalë jashtë rrugës. Rruga fatkeqësisht nuk kishte pemë që ta mbante makinë kur doli nga rruga. Kolit, për fat të keq, i ishte përplasur koka te baxhoja e makinës, sepse ishte dhe pa rrip. Koli nuk mbante rrip kur i jepte makinës, shumicën e kohës e mbante timonin me bark, sepse dridhte cigare, përdorte telefonin dhe kjo ka qenë fatale për të.

Duke e njohur Sokol Olldashin nga afër, mendoni se nëse ai do të jetonte, PD sot do të ishte një tjetër parti opozitare nga kjo që është?

Unë e kam ndjekur nga afër fushatën e vitit 2013 dhe e them me siguri të plotë se jo vetëm zgjedhjet e vitit 2017, por edhe zgjedhjet e vitit 2013 u diktuan nga kanabisi. Që pas vitit 2013 nuk kam shkuar më te PD-ja, por duke njohur potencialin e Sokol Olldashit, Partia Demokratike do të ishte një opozitë me cilësi krejt tjetër. Do të kishim një Shqipëri shumë më të balancuar se sot. Koli ishte një buldozer që i merrte përpara të gjitha dhe çante rrugën. Sokol Olldashi ka bërë një fushatë të përkryer për Bashkinë e Tiranës me Edi Ramën, të pakrahasueshme me fushatën që u zhvillua në vitin 2017./Panorama

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × 4 =