Rritet numri i divorceve, çdo 24 orë bëhet një kërkesë. Ja shkaqet - Arbëria News

Rritet numri i divorceve, çdo 24 orë bëhet një kërkesë. Ja shkaqet

MAJLINDA RAMA

“Derisa vdekja të na ndajë”. Duket se fierakët nuk po i qëndrojnë besnik betimit para altarit. Këtë tregon numri në rritje i divorceve, ku çdo ditë shkatërrohet një familje.

Bie në sy fakti se në shumicë të theksuar janë femrat ato që i drejtohen gjykatës për ndarje. Në dhjetë vitet e fundit, afërsisht 4 mijë familje janë divorcuar, një shifër e frikshme kjo po të marrësh parasysh numrin e popullsisë në këtë rreth.

Ndërsa në vitin 2017 u paraqitën rreth 450 padi për divorc nga Gjykata e Fierit, nga të cilat 390 prej tyre u zgjidhën në dëm të familjes, pra me ndarje, në vitin 2018 regjistrohet në Gjykatën e Shkallës së Parë të rrethit Fier një shifër edhe më e frikshme divorcesh. Kështu, mësohet se janë paraqitur 500 kërkesa, nga të cilat 400 kanë marrë zgjidhje përfundimtare.

 

Divorci, një nga fenomenet në rritje në rrethin e Fierit, po godet gjithnjë e më shumë familjet fierake. Nga të dhënat e marra nga Gjykata e Rrethit Fier mësohet se çdo ditë regjistrohet nga një çështje e tillë, që do të thotë një zgjidhje martese çdo ditë, një familje e shkatërruar apo një çift i ndarë çdo 24 orë.

Burimet zyrtare nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier kanë bërë të ditur se në periudhën janar-dhjetor 2018 janë regjistruar gjithsej 525 padi për zgjidhje martese. Po sipas këtyre burimeve, gjykata ka përfunduar gjykimin e 421 padive të të njëjtit lloj. Aktualisht, pra në vitin që kemi hyrë, janë në proces gjykimi edhe 20 kërkesa për divorc të regjistruara vitin e kaluar, ndërkohë që për disa padi të tjera për zgjidhje martese është vendosur pushimi i çështjes.

Sipas avokatëve, shkaqet që e çojnë një familje drejt divorcit janë nga më të ndryshmet, ku pjesën më të madhe të tyre e përbëjnë ndarjet për shkaqe ekonomike, por nuk përjashtohen edhe rastet e mosmarrëveshjeve të ndryshme mes bashkëshortëve. Sipas statistikave, të pakta janë rastet ku çiftet janë ribashkuar sërish. Fenomeni i ndarjeve është shumë më i përhapur në qytetin e Fierit dhe më pak i përhapur në qytet të vogla si Rroskoveci, Patosi apo Ballshi.

Referuar specialistëve, shkak i prishjes së familjes mbetet tradhtia bashkëshortore, gjendja e vështirë ekonomike, emigracioni, keqtrajtimet dhe lidhjet pa baza njohjeje të mëparshme nga vetë çifti. Sipas statistikave, ato që dëmtohen më shumë nga divorcet janë familjet që kanë 5-10 vjet martesë dhe gati 80% e rasteve janë me fëmijë, 1 deri në 3 fëmijë. Gjykata e Fierit bëri të ditur se në shumicën e rasteve, paditë për divorc janë nga femrat.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

14 − 11 =