Safo Marko, vizatimet e gruas së Petro Markos - Arbëria News

Safo Marko, vizatimet e gruas së Petro Markos

Safo Marko, nuk njihet vetëm si bashkëshortja e shkrimtarit Petro Marko, por edhe si ilustratorja, apo piktorja, disa punë të së cilës ruhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Safo ishte pjesë e artistëve të rëndësishëm grafistë të shekullit të XX-të në artin pamor shqiptar. Ajo kreu shkollën e mesme në Instituttin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, Tiranë, por nuk arriti ta mbaronte vitin e fundit pasi u lidh me lëvizjen antifashiste Nacional-Çlirimtare. Duke patur pasion pikturën Marko bashkëpunoi menjëherë pas çlirimit në disa organe të shtypit dhe të propagandës së viteve 1945-1960. Më tej rreth viteve ’70 ajo do të ishte piktore në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, Tiranë.

Artistja ka realizuar gjatë krijimtarisë së saj mbi 1000 kopertina librash si dhe ka qenë një nga piktoret kryesore ilustratore të revistave për fëmijë “Fatosi”, “Pionieri”. Në gjininë e Pllakatit ajo ka realizuar me dhjetra e dhjetra pllakate për festat popullore, për ngjarje të rëndësishme politike si festimet e ndryshme me karakter politik, social, kulturor & propagandistik si “1 Maji”, “28 – 29 Nëntori”, “8 Nëntori”, “1 Qershori”, “8 Marsi” etj.

Në këtë gjini Safo Marko kontriboi duke i botuar pllakatet e saj në shtypin e kohës të zmadhuara në sheshet e Kryeqytetit si dhe të realizuara në disa prej qyteteve kryesore. Ajo sëbashku me piktorët e tjerë grafistë të pas viteve 1960 si Pandi Mele, Ibrahim Shehu, Zef Shoshi, Besnik Dizdari, Vlash Prifti, Franc Ashiku ku realizuan pllakate të ndryshme në shërbim të propagandës partiake komuniste të kohës.

Në punimet e saj në pikturë Safo Marko ka lënë një koleksion me peizazhe kryesisht nga zona e bregdetit Jon, por edhe kompozime me figura femërore, ku ndjehet prirja e artistes për ti stilizuar figurat dhe për pasurimin e tablove me një kolorit me dritë. Safo Marko ishte pjesmarrëse duke filluar nga viti 1957 në ekspozitat kombëtare. Me punimet e saj ajo ishte pjesmarrëse në tri edicione të Bienales së Aleksandrisë në Egjypt.

Duke qenë e martuar me shkrimtarin Petro Marko i cili u arrestua dhe dënua në vitin 1947, sigurisht ju mohuan shumë të drejta në fushën e artit. Kjo gjë ndodhi edhe në vitin 1975 kur ju arrestua i biri për agjitacion e propagandë. Piktorja Safo Marko deri në vitet e fundit të jetës mbeti bashkëpuntore e revistave për femijë si “Sirena e vogël”, “Mrekullia” etj. por gjithashtu ajo realizoi edhe kopertina dhe ilustrime për librat. Artistja vazhdoi të punoje deri vonë në moshë të thyer vepra në pikturë me motivet e bregdetit Jon. Safo Marko ndërroi jetë më 26 gusht 2012.

Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë ruhen njëzet vepra të artistes Safo Marko të viteve 1959-1998 ku mund të kujtojmë: “Qymyrxhesha” (1959), ”Portreti i Petro Markos” (1960), “Shitësja e luleve”(1960), “Autoportreti” (1960), “Fidanët” (1973), “Vajzat e Himarës (1998). Vepra të artistes ruhen në familjen Marko si dhe nga koleksionistë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj.

Biografia.

Safo Marko lindi në Selanik më 28 mars 1925.

Ajo ishte vajza e Shefqet dhe Shazije Çelos. I jati Shefqeti kishte mbaruar studimet në Stamboll dhe punonte në administratën shtetërore si Kryetar Bashkie në disa qytete të Shqipërisë deri sa u nda nga jeta në vitin 1942. Safoja vazhdoi studimet e mesme në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, Tiranë, por nuk arriti ta mbaronte vitin e fundit, pasi u lidh me lëvizjen antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Gjatë studimeve mësuesi i saj, piktori italian, Radoani Mario dhe skulptorja Kristina Hoshi e inkurajuan të zhvillonte talentin e saj për pikturë. Pati fatin të ketë si pedagog figura të shquara të arsimit si Prof. Ahmet Gashi, Hysni Babameto, Kristina Hoshi, Marie Kraja etj. Që në vitet e para të shkollës ajo u shqua si një vajzë e talentuar në pikturë e letërsi. Në vitin 1945 e në vazhdim Safo Marko, fillimisht punoi si spikere në Radio Tirana dhe gradualisht u aktivizua si piktore në disa organe të shtypit të kohës. U shqua në pllakatet festive që afishoheshin në kryeqytet dhe në të gjithë vendin.

Ka punuar si piktore krijuese për abetaret e para dhe revistat për femijë që u krijuan, që nga numri i parë e në vazhdim me kopertina dhe ilustrime (“Fatosi”, “Pionieri”). Gjatë këtyre viteve ka punuar në kushtet e shtëpisë pa qenë në marëdhënie pune. Në vitin 1957 u bë anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në Pallatin e Pionierëve, Tiranë artistja rreth viteve 50’ drejtoi rrethin e pikturës.

Ajo ka kontribuar si piktore në agjitacionin figurativ të Ministrisë së Bujqësisë, Kryqit të Kuq Shqiptar në vitet e para pas çlirimit. Safo Marko filloi punën e rregullt si piktore krijuese në Shtepinë Botuese “Naim Frashëri” rreth viteve ‘70 dhe vazhdoi aty deri sa doli në pension. Nga duart e saj kanë dalë mbi 1000 kopertina origjinale librash të letërsisë për fëmijë e të rritur si dhe një numër i jashtëzakonshëm ilustrimesh. Ndërkohë Safo Marko vazhdonte bashkëpunimin me të gjitha organet e shtypit për pllakate festive e ilustrime për fëmijë e të rritur.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × 1 =