Shehu: Energjia për bizneset, pas 30 qershorit në treg të lirë

Ministria e Energjisë i ka komunikuar bizneseve të lidhura në tensionin e mesëm se pas 30 qershorit nuk do të furnizohen më nga Operatori i Shpërndarjes, por duhet ta gjejnë vetë energjinë në treg të lirë.

Entela Shehu, këshilltare e ministrit të Energjisë tha se bizneset që nuk arrijnë të gjejnë furnizues privatë energjie brenda këtij afati do të furnizohen edhe për dy muaj të tjerë nga OSHEE, por jo me çmimin aktual.

“Çmimi i furnizuesit të mundësisë së fundit, në rast se plotësohet afati ligjor, nuk është me të njëjtën tarifë të çmimit të rregulluar. Ka një çmim më të lartë që ERE nuk e ka miratuar ende, që varion deri në 10 për qind të çmimit aktual”, deklaroi Shehu, duke shtuar se ka disa vende në Europë që aplikojnë një praktikë të tillë.

Sipas planit të qeverisë, fillimisht do të dalin nga tregu i rregulluar bizneset e lidhura në rrjetin 35 kilovolt, që janë rreth 80, ndërsa vitin tjetër do të dalin në mënyrë graduale edhe 6.200 biznese të tjera më të vogla.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

17 − 12 =