Shkallmimi i Teatrit: Psikanaliza e një vetëvrasjeje kolektive - Arbëria News

Shkallmimi i Teatrit: Psikanaliza e një vetëvrasjeje kolektive

Nga Artan Fuga

Ka kohë që zien çështja e ndërtesës të Teatrit Kombëtar. Gati si një dramë e dilemë tragjike hamletiane: Ta prishim apo të mos e prishim? Teatri Kombëtar, si përmbajtje, është i marrë fund për shkaqe të ndryshme, drama shqip është pothuajse inekzistente, tani kur flitet të prishet apo jo teatri, formulimi logjik është midis shprehjes dhe mosshprehjes.

Bëhet fjalë për ndërtesën sepse për përmbajtjen e teatrit, fatkeqësisht degradimi nga politika kulturore dhe artistike krejt shfarosëse, as nuk bëhet fjalë. Ta prishim apo mos ta prishim Teatrin Kombëtar, kur teatri është prishur!!! Jo, shprehja fsheh dhimbjen. Duke sikur psikika e nëndheshme në këtë shprehje kërkon të mos pranojë faktin se drama shqip nuk lëvrohet më, nuk vihet më në skenë. Kur pashë Mirush Kabashin dhe Robert Ndrenikën, këta dy mjeshtra të mëdhenj të kombit, që ose recituan ose monologuan duke shprehur habinë e tyre, ndjeva se fjala e tyre politike ishte e bllokuar dhe regjistri i shprehjes së tyre shkonte drejt fjalës artistike. Fjala artistike censuron fjalën politike. Sepse populli, që të mblidhet atje ku e thërresin, kërkon figura gati mitologjike aktorësh. Dikush tha aty se gjenerata e lavdishme nuk është më. Mjeshtrit që kanë arritur absoluten vlerore kanë ngelur dy ose tri kokrra.

* * *

Gjithsesi, përtej planeve të një aleance mes administratorësh me pushtet publik të hapësirave urbane dhe lobive të ndërtimit që shënohen me të drejtë me gisht nga protestuesit kundër idesë dhe projektligjit për prishjen e ndërtesës të teatrit, unë shoh dhe një simptomë psikanalitike, pra, një sjellje e strukturuar në nënndërgjegje. Simptomat janë dhe duhet një përqasje psikanalitike jo medoemos frojdiste për ta nxjerrë neurozën kolektive në dritë.

Pyetja ime është: Pse duan ta shkallmojnë ndërtesën e teatrit për të bërë ndërtime aty, kur ende Tirana në qendër ka plot hapësira? Nevoja për hapësirë vitale sigurisht është ethshme për betonizuesit hekurthyes, por ka ende vende akoma të pashfrytëzuara jo shumë larg metra në vijë ajrore nga aty. Pse pikërisht aty? Pse e ndërlikojnë situatën duke bashkuar në një të vetme shkallmimin e një vlere të pashoqe dhe të papërsëritshme të kujtesës kombëtare me krijimin e hapësirave, pra, trojeve të lira për ndërtim? Nga ana racionale, kjo nuk kuptohet lehtë.

Por veç anës racionale, mendoj se ka një aspekt psikologjik, pra, psikanalitik, që mund të shpjegojë gjithçka. Është një nënndërgjegje kolektive vendimmarrëse që i bashkon të dyja anët në një dhe prodhon krizë njësoj si gjendjet e skizofrenisë, si simptomat neurotike, ku pacienti kërkon të bëjë një veprim dhe po atë çast prodhon edhe mekanizmat e frenimit të këtij veprimi, duke u luhatur si në një lisharëse psikologjikopolitike.

* * *

Pse kemi të bëjmë me impulse të interpretuara psikanalitikisht? Pse kemi të bëjmë me një simbolikë vetëvrasjeje kolektive? Pse ndërtesa e teatrit përpara se të jetë viktima e pafajshme e etjes ndërtuese, është shenja simbolike e një eutanazie mazokiste kolektive?

* * *

Ta marrim çështjen duke analizuar shtresat e saj njëra pas tjetrës. Duhet thënë se radha e shkallmimit të ndërtesës të teatrit po vjen pasi janë shkatërruar një sërë vlerash paraprake. Ndërtesa e teatrit është hallka e fundit simbolike e një sistemi shkatërrues që na ka pllakosur ndër vite. E para, sikurse theksova, ishte vlera e teatrit shqiptar, e dramës shqiptare, që u shkallmua. Teatri nuk mund të vihet nën urdhrat e politikës, ai është revoltë, madje koncentrat kritike racionale multisimbolike.

Pastaj, me shkallmimin e dramës shqiptare, mori goditje edhe vetë trupa artistike e aktorëve që në shumicën e radhëve janë të papunë, që luajnë dramën dhe tragjedinë e tyre në rrugët e qytetit, në kafenetë e tij ose në apartamentet e banimit me paga të vogla ose me pensione qesharake. Nuk ishte vetëm teatrit dhe trupa e aktorëve, por goditje ka marrë vetë arti kombëtar shqiptar.

A e fshiu televizioni dhe politika gllabëruese e kanaleve televizive, a e fshiu globalizimi, a fshiu emigrimi i brendshëm që e boshatisi territorin shqiptar, a e fshiu interneti, këtë e debatojmë një herë tjetër sepse këtu dy mendje bëhen bashkë po aq sa mund të bëhen bashkë dy kokrra misri në stomakët e dy gjelave këndesa në majë të gardheve përballë njeri-tjetrit. Por, një gjë dihet, një produkt sa populist pa shije, sa një art kozmopolit, pse jo me vlera, e përmbytën artin shqiptar sikurse shega e importit e mundi shegën e vendit.

* * *

Por, iku dhe u shpartallua edhe hapësira urbane. Kaotike, pa formë, pa plan, e betonizuar, pa delikatesë, kjo hapësirë shpartalloi edhe shpërndarjen demografike proporcionale të vendit, duke na dhënë tablonë ku fshati rrethon qytetin dhe qytetin shkatërron vendin. Shikoni se kush merr më shumë ndihma sociale. Qytetarët. Atje janë mbledhur energjitë parazite të kombit, ndërkohë që njerëzit e papunë mezi presin t’i kthehen jetës të integruar profesionale.

* * *

Ra puna. Por, u shkatërruan edhe mjaft simbolika që shprehin solidaritete sociale. Ku ka sindikata? Ku ka shoqata funksionale? Ku partitë janë më shumë sesa organizma që rreth liderit, veç disa militantëve të ndershëm, mblidhen shtresa përfituesish të gatshëm për vende pune?

* * *

Ndërtesa e teatrit është rënia e fundit. Shkallmimi i fundit. Ra arti shqiptar, ra drama shqiptare, ra trupa e aktorëve, ra kultura artistike e popullsisë, ra qyteti duke u kthyer në fjetore e vend ndihmash sociale, ra arkitektura dhe vlerat e së kaluarës, ra trashëgimia kulturore. Tani duhet të bjerë edhe ndërtesa e teatrit, sikurse bie një kokërr mollë pasi ke prerë trungun e pemës dhe degët që e mbanin.

Po përse kjo përmbyllje obsesive te shkallmimi i ndërtesës të teatrit? Pse korkolepset puna dhe mblidhet e pështillet te ndërtesa e Teatrit Kombëtar? Që tek emërtimi. Quhej Teatri Popullor, nuk ishte popullor. Quhet kombëtar, nuk është kombëtar. Quhet ashtu sikurse nuk është, quhet ashtu sikurse nuk ka qenë. Këtu fillon shkallmimi i ndërtesës që mund të bëhet edhe për gjysmë ore. Teatri u shpartallua për disa dekada, ndërtesën e prishin brenda disa minutash. Minutat ngrihen mbi dekada.

* * * Arsyeja nuk ka fuqi ta shpjegojë se përse shkallmimet arrijnë kulmin te dëshira për t’i venë minat ndërtesës të teatrit? Arsyeja jo, por nënndërgjegjja nëse shpjegohet e bën të kuptueshme se përse historia ka ngecur aty.

* * *

Çfarë simbolizon e pandërgjegjshmja e teatrit, i cili projektohet materialisht te ndërtesa e tij? Së pari teatri është lojë, është maskë. A nuk është se ka kaq shumë hipokrizi në jetë, tonë sociale, sidomos në politikën që na drejton? Thonë se jemi në demokraci, por kush nuk e di se cili është vendi i qytetarit në sistemin tonë politik sot? Cili është vendi i publikut në komunikimin masiv sot? Sa i lirë është qytetari sot të shprehet, ta zëmë në radiotelevizionin publik? Sa shoqëria jonë ngre njeriun me vlera dhe ul atë me vese morale? Kuptohet se midis atyre që na propagandohen dhe atyre që ndodhin realisht ka një hendek të madh.

Hipokrizia është sheshit. Por, sui generis loja sociale dhe politike është lojë si gjithë të tjerat, dhe, pra, mishërohet te kulmi i lojës, loja aktoriale, te teatri. Inati me teatrin, fshirja e ndërtesës të teatrit në nënndërgjegje ka dëshirën e pathënë për fshehjen e lojës, fshehjen e fshehjes. Teatri është treguesi më sintetike i skizofrenisë midis aktorit artist dhe aktorit njeri. Dy fytyra, si në politikë. Dy fytyra si edhe publiku që qan, ndonëse e di që drama në skenë është lojë. Loja është pseudongjarje, por më e vërtetë sesa një ngjarje e vërtetë, edhe reagimi i publikut është pseudoreagim sepse edhe qan, edhe luan, edhe voton, edhe luan, edhe shkon në mitingje, edhe voton. Fshirja e ndërtesës të teatrit në rrafshin psikologjik është ikje nga fajësia e dyfytyrësisë që na mundon si komb e si politikë.

* * *

Ja sindromi i parë. Së dyti, teatri që simbolizohet nga ndërtesa e tij si një lloj stigmati material trupor, është një shfaqje me spektatorë. Dhe kjo mbledh në vetvete dhe bën komb si në simptomat neurotike dy elemente të ndërlidhura ngushtë me njëra-tjetrën. E para që spektatori gjykon shfaqjen. Sidomos në pushimet mes akteve dhe pastaj pas shfaqjes. Në shfaqje ndofta është i magjepsur, i manipuluar, por jashtë saj nis të gjykojë dramën, personazhet, lojën aktoriale, regjinë, skenografinë, vetë aktorët. Koha i jep të drejta spektatorit dhe jo aktorit.

Spektatori gjykon në fund aktorin. Por, kjo simbolikisht është shqetësuese për pushtetarin, vendimmarrësin, elitat sunduese. Prandaj, ndërtesa e teatrit paguan haraçet e dramës së teatrit, e teatrit si art skenik, sepse atje spektatori gjykon shfaqjen dhe aktorët. Opinioni gjykon politikën. Sigurisht kjo nuk sjell qetësi shpirtërore për këta të fundit, prandaj shkreptimat e rrufeve bien mbi ndërtesën e teatrit që në fakt paguan sipas një sistemi zhvendosës, aq i njohur në psikologjinë analitike, haraçet simbolike që teatri duhet t’i paguajë politikës.

* * *

Por, së dyti, spektatori në një shfaqje të dobët edhe mund të largohet nga salla. Tmerri i aktorëve, ai inkoshienti, i pathënshmi, është pikërisht ky: Po sikur të ikin të gjithë, po sikur të nisin të më fërshëllejnë? Një ikje e spektatorëve nga salla për shkak të lojës së keqe të aktorëve i ngjan simbolikisht një ikjeje masive në emigracion, që e lë politikën të luajë pjesën pa spektatorë, i ngjan një injorimi të procesit të votimit ku elektorati nuk vjen te kutitë ku hidhet vota.

Është vërtet një ëndërr e keqe që duhet fshirë. Kjo bën të fshihet ndërtesa, kjo bën që te ndërtesa në fakt të shprehin inatin për teatrin. Se treti, teatri është midis realitetit dhe mitit që nga koha e tragjedive greke aq bukur rrëfyer nga Frederik Niçka, kur flet për artin skenik që luhatej midis Apolonit dhe Dionisit. Marshall Mc Luhan rrëfen në veprat e tij se në Londrën e shekullit 18 dhe 19, aktorët që luanin role negative duhej të iknin nga deriçkat e ndërtesave të teatrit përballë, përndryshe i priste një turmë spektatorësh që donin t’i ndëshkonin për rolet negative që kishin pasur në skenë. Donin t’i rrihnin. Aktori është miti zëvendësues i mitologjisë së politikanit përpara turmave. Është hija e politikanit, është personi që ka protagonizëm, është heroi që luan heroin. Është heroi prej gjasme që mund të merret si heroi i vërtetë, që prodhon dëshirën dhe urinë për heronj.

* * *

Politika ka rivalitet me të gjitha fushat e tjera ku ngjizen individë që kanë pushtet moral mbi masat. A nuk u rrasën burgjeve klerikët ose u vranë? A nuk u shpartalluan nëpunësit? A nuk u çuan në derexhe të fundit njerëzit e drejtësisë? A nuk i shpartalloi profesorët ligji për arsimin e lartë? A nuk i hapërdamë futbollistët e kombëtares sa hap e mbyll sytë pasi i hipëm në një autobus të hapur shëtitur rrugëve si Akili, duke tërhequr rreth Lanës trupin e Hektorit?

Ndërtesa e teatrit tërheq mbi vete inatin me teatrin, sepse arti skenik prodhon plastikë individësh të adhuruar nga turmat. Inkoshienca e politikanit e do këtë, të luajë vetëm në skenat e vendit. Skena e mitingut të mos konkurrohet nga skena e tetarit, nga auditorët, të mos brohorasë tifozi futbollistin në fushë. E gjitha do të ishte një energji e ikur kot politikisht.

* * *

Prandaj ka një urrejtje simbolike që përplaset te muret e dobëta të ndërtesës së teatrit, e cila në fakt paguan inatin kolektiv politik kundër teatrit. Pse kemi atje një vetëvrasje simbolike kolektive? Sepse pasi mbi teatrin shfryn instinkti i thanatosit që mundon, dihet sikurse thamë që shkallmimi i ndërtesës të teatrit është fundi i një procesi, ku pastaj gjithçka mbaron. Kap fundin e vet. Nuk ngelet asgjë më. Është përmbyllja e asgjësimit. E vetasgjësimit. Dihet se gjithçka kërkon të marri estetikën e një shfaqjeje. Pra, të një drame që luhet me spektatorë.

Nuk thoshte kot Shopenhaueri se njeriu vendos në skenë ikjen e vet nga kjo botë dhe kundron me sytë e mendjes se çfarë do të bënin të tjerët kur ai nuk do të ishte më. Tundim i madh njerëzor. Edhe bukuri edhe tmerr, një botë vetëm me spektatorë, pa aktorë. Jo kjo nuk duhet t’i shkojë askujt ndërmend. E këtu duhet goditur teatri, me ligj, sepse ai është pikërisht një vetëvrasje me gjykatës që komentojnë. Ne na duhet një vetëvrasje pa spektatorë, pra, nuk na duhet as simboli i ndërtesës të teatrit.

* * *

Teatri është ndërgjegjja kombëtare. Teatri dhe shtypi janë dy instrumentet që kanë formuar kombet moderne. Ndërtesa e teatrit është mitra ku është ngjizur kombi. Tetari është demokraci e mirëfilltë sepse është dialog me rregulla, pa zhurma, ku çdo tingull ka kuptimin e vet, si në demokracitë e vjetra orale. Çfarë do të realizojë ky dialog racional që u nënshtrohet kodeve të shenjta dhe që luhet jo prapa skene, por para syve të spektatorit, përballë dritave të skenës?

* * *

Unë mendoj se askush nuk do të jetë në gjendje ta shkallmojë ndërtesën e teatrit. Sikur të mos doja edhe unë siguri për atë ndërtesë sublime, do të kisha thirrur: Lërini ta shohim a do të kenë fuqinë psikologjike ta prishin dot? Unë nuk besoj se ka nga ata që e përballojnë fajësimin që sjell kënaqësia e çastit për ta fshirë nga fusha pamore diçka që sjell trauma të papërballueshme.

Vetëfajësimi eternel pastaj do të bënte një brejtje të papërballueshme. Me gisht do të shënohej kushdo që do ta ndërmerrte atë akt jashtë kontrollit të arsyes. Dhe në gjunjë do të binte duke qarë me lot, pa mundur më të riparonte atë që u shkatërrua, pikërisht se ka ngjizur kombin dhe që simbolizon demokracinë. Atë që me heshtjen, ndoshta me amiantin e vet, na tregon se kush jemi e nga se vuajmë.

/Panorama

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

14 + 11 =