Shkelje te pronat, paditen 8 punonjës legalizimesh në Lezhë

Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në Prokurori 2 ish-arkiviste, 1 juriste, 3 ish-juriste dhe 2 hartografë specialistë të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t në qytetin e Lezhës.

Ata akuzohen për shpërdorim detyre, pasi i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dëmin financiar me vlerë 18 milionë lekë. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka gjetur shkelje në regjistrimin e pallateve me shmangie pagesash me detyrime financiare. Sipas KLSH-së, punonjësit e ALUIZN-it kanë regjistruar prona në zonën Ishull Lezhë, të cilat kanë qenë këneta, kanale, ranishte, me sipërfaqe rreth 54 hektarë, duke i tjetërsuar në kundërshtim me ligjin te persona privatë nga forma “shtet”.

 “Me referencë nr. 7041 ka regjistruar në emër të investitorit ‘AR shpk’ leje legalizimi nr.8169, datë 25.10.2016, të objektit ‘godinë banimi 7 + 1 kat bodrum’, Ishull Shëngjin Lezhë, me sipërfaqe totale për banim 5004 m2, për aktivitet 782.9 m2, numri i kateve mbi tokë 7 kate. Ky objekt ka qenë i trajtuar me leje ndërtimi nga komuna Shëngjin dhe është trajtuar me leje legalizimi për efekt të shmangies nga subjekti ‘AR shpk’ të pagesave të taksës së ndikimit në infrastrukturë në vlerën 6.443.415 lekë dëm ekonomik. Janë regjistruar 128 njësi dhe apartamente të individualizuara, por nuk del që të jenë regjistruar sipërfaqet e përbashkë- ta për 1033.5 m2 të barabarta në vlerë prej 722.394 lekësh, që përbën dëm ekonomik për buxhetin e shtetit”, thuhet në raport. Janë regjistruar vendime gjykate në Malin e Renxit, duke regjistruar rrugë, shkëmb dhe rezervuar me sipërfaqe 295 hektarë.

“Në sipërfaqet e regjistruara në ZVRPP Lezhë ndodhen pasuri në zërin kadastral rrugë, shkëmb, rezervuar, ledh dhe ranishte etj., që nuk përshkruhen në vendimin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, apo në vendimet e gjykatave respektive, ndërkohë që sipas tyre është njohur dhe kthyer zëri kadastral pyll dhe kullota”, shpjegon raporti i auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Shkelje janë gjetur edhe në 74 raste për mbivendosje prone, ku nuk janë zbatuar rregullat e caktuara, por janë lejuar të kryejnë transaksione e madje duke krijuar konflikte sociale.

Janë regjistruar objekte të legalizuara pa u kryer pagesat sipas ligjit etj. Nuk është administruar dokumentacioni dhe në arkivin e institucionit nuk gjenden 1045 praktika (referenca pronash), si dhe nuk është nxjerrë përgjegjësia ndaj personave përgjegjës, apo ndjekur ky problem në organet kompetente. Referuar raportit të KLSH-së në 10 raste kanë regjistruar leje legalizimi, duke mos verifikuar elementët e përmbajtjes së aktit administrativ në lidhje me sipërfaqen e parcelës ndërtimore, që sipas përcaktimeve ligjore nuk duhet të kalonte 300 m dhe është përfituar padrejtësisht 1905 m2.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × 5 =