Shkrim-leximi i lajmeve në epokën e Trump - Arbëria News

Shkrim-leximi i lajmeve në epokën e Trump

 

Pothuajse dy të tretat e të gjithë Amerikanëve besojnë se lajmet e rreme, (të pavërteta), të ashtëquajturat fake news po krijojnë shumë konfuzion në shoqëri. Duke e parë në pamjen më të gjerë, mund të vërejmë se problemi i fake news, ka të paktën tre pjesë dhe secila pjesë kërkon një zgjidhje të vetën.

Pjesa e parë e problemit është mënyra e shpërndarjes së lajmeve. Shumica e amerikanëve i marrin njoftimet mbi lajmet e tyre nëpërmjet internet dhe shumë prej lajmeve përcillen përmes mediave sociale. Lajmet e mediave sociale nuk bëjnë dallime mes burimeve të ndershme të lajmeve dhe atij xhaxhait, disi të çmendur që betohet se toka është e sheshtë sepse ai ka parë një video në lidhje me këtë fenomen, në YouTube.

Kjo do të thotë se për shumicën e amerikanëve lajmi apo e vërteta e besueshme tani ulet krah për krah me teoritë e komplotit dhe lajmet e fabrikuara.

Pjesa e dytë e problemit ka të bëjë me mungesën e besimit. Besimi i përgjithshëm i publikut në mediat masive ka qenë në rënie të vazhdueshme për dekada të tëra. Në vitin 1999, rreth 55% e njerëzve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ju besonin burimeve tradicionale të mediave për të mësuar apo për të raportuar lajmet me saktësi dhe drejtësi, por që nga viti 2016, shifrat janë në rënie deri në 32%. Kjo është një prirje e rrezikshme.

Pa një media të besueshme, është shumë e vështirë që të detyrosh udhëheqësit e zgjedhur që të mbajnë përgjegjësi dhe të japin llogaridhënie. Kjo është arsyeja pse regjimet autoritare fillojnë zakonisht duke sulmuar gazetarë të pavarur apo edhe subjekte mediatike. Këta lloj politikanësh e dinë shumë mirë se nuk mund ta kontrollojnë dot popullin, nëse dikush po raporton me saktësi për çdo lëvizje të tyren.

Pjesa e tretë e problemit lidhet me aftësinë e publikut për të deshifruar burimin apo leximin e drejtë të lajmeve. Me pak fjalë, njerëzit nuk janë gjithmonë në gjendje të vlerësojnë burimin e lajmeve apo të jenë në gjendje të ndajnë të vërtetën nga e fabrikuara. Fatëkeqësisht, kjo pjesë e problemit të fake news nuk është e kufizuar vetëm tek një grupmoshë specifike.

Në një studim të kohëve të fundit të Universitetit të Stanfordit, tregon se shumica e adoleshentëve e kishin vështirësi të njihnin dallimin mes reklamave të paguara dhe lajmeve të vërteta. Atëherë, çfarë mund të bëjmë? Për fat të keq, nuk ka ende një zgjidhje të vetme, të përsosur për të tre aspektet problematike që prodhojnë fake news.

Problemi i shpërndarjes së lajmit mbetet ende në axhendën e kompanive të mëdha të mediave sociale si Facebook dhe Twitter. Për këtë, duhet që publiku të vijojë të ushtrojë presion mbi këto kompani për të kërkuar më çdo mënyrë që ato të ndalojnë përhapjen e qëllimshme të informacioneve të pavërteta apo mashtrimeve.

Në lidhje me mungesën e besimit nga publiku, kjo kërkon nga burimet mediatike që ato të punojnë fort dhe ndershmërisht për të rifituar besimin e humbur të publikut. Ky angazhim kërkon kohë për tu ndërtuar. Ajo që mund të bëjmë ne ndërkohë, është mbështetja e gazetarisë së mirë sa herë që ne e shohim atë dhe gjithashtu të mbrojmë pa rreshtur ato media që janë ende të pavarura nga ndërhyrjet apo kërcënimet e qeverisë.

Dhe së fundmi, problemi i dallimit dhe vlerësimit të lajmeve lidhet me mundësitë e ofruara për t’I mësuar opinionit publik mbi aftësitë e mendimit kritik në mënyrë që masa e gjerë e njerëzve të mund të vlerësojë më mirë besueshmërinë e çdo informacioni. Programet edukuese dhe informuese mbi atë që quhet ‘shkrim-lexim i lajmeve’ tashmë po shfaqet në mbarë universitetet në të gjithë vendin dhe ky është një fillim i mirë drejt një zgjidhje afatgjatë.

Asnjë shoqëri nuk mund të funksionojë nëse njerëzit nuk mund të dallojnë lajmin e vërtetë nga ai i fabrikuari/trilluari. Përtej ideologjisë politike, ne do të na duhet të zgjidhim problemin e lajmeve të pavërteta apo të trilluara, përpara se të humbasim vetë demokracinë. Një demokraci e shëndetshme ka nevojë për një popull i cili është në gjendje të dalloje të vertetën nga e pavërteta.

Alex Cequea (2018) Editor in Chief of iPhone Life magazine

Përshtatur nga Edlira Late

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

seventeen − 2 =