Shpjegim për partitë, për partiakët dhe për ata që s’kanë ende parti… - Arbëria News

Shpjegim për partitë, për partiakët dhe për ata që s’kanë ende parti…

VISAR ZHITI 

Fillimi i vitit e pranon poezinë, ndërkaq poezia duhet të jetë e pranishme gjithkund e gjithmonë, s’është fjala vetëm në formë vargjesh, por si gjendje, kjo ka rëndësi, përjetim mbi të gjitha.

Në ditën e parë të këtij viti, Papa Françesku në meshën e parë foli për mahnitjen, që, sipas tij, është venitur. Jeta pa mahnitje, tha ai, bëhet gri, rutinë. Pjesë e mahnitjes është dhe poezia, besoj unë.

Dhe nëse të keqes duhet medoemos t’i kundërvihesh dhe sado shumë të pllakosë ajo, kurrë nuk duhet të luftohet me të keqen, ndryshe është e njëjta gjë.

E bukura do të shpëtojë, themi shpesh dhe kollaj atë që tha Dostojevski, pra dhe poezia, poetikja, më saktë që s’është vetëm poezi. Kultura, aty janë “armët” e brendshme të njeriut, mrekullia e tij, që të mahnit, kur ndërkaq pikërisht ajo është nëpërkëmbur më shumë dhe institucionalisht është drejtuar nga më të pabesueshmit e saj, që na çudisin për të kundërtën.

Prandaj do të doja pikërisht të sillja një poezi, vezullimin “e thikës” së saj, që duhej të shërbente veç për të qëruar “mollën e mëkatit”, që të mos ta kafshojmë atë si të egrit, po mendoja…

Poezia na ngre lart me mahnitjen e saj, na bën deri dhe hyjnorë, por le të zbresim në tokë nga Pegasi me flatra, në baltë, ku shpesh ka rënë jeta. Poezia na ka mbrojtur, por, ah, edhe është përdorur, gjithsesi ka qenë lehtësuese dhe në të keq, madje ajo di të jetë dhe opozitarja më e bukur. Sepse poezia është kundër shëmtisë dhe, duke qenë vetë harmoni, është dhe kundër çrregullit, duke qenë e sinqertë, është dhe kundër mashtrimit. Është kundër varfërisë, por për pasurimin, atë shpirtëror, më të vështirin, më të lehtin…

Poezia dhe është hakmarrë, sepse dhe e kanë katandisur dhe për propagandë, për të himnizuar diktatura e sundimtarë. Në perandorinë komuniste, kur në letërsi e arte ishte e detyruar metoda e realizmit socialist, por jo e realitetit social, poetët duhej t’i këndonin partisë, asaj që kishte krijuar më së shumti realitete të rënda tjetërsuese, gjëma aq të mëdha.

Prandaj përzgjodha një poezi të një poeti që jetoi nën diktaturë, larg në Moskë, që ishte i njohur dhe te ne ngaqë s’lejohej të njihej, teksa përflitej si “poet oborri”, por dhe si disident, veçse “disident i emëruar” është quajtur, por mua sot më intereson ajo poezia e tij për partinë, e shkruar kur ishte dhe i ri, siç duket përfitoi dhe nga zbutja disi e diktaturës “në vendin e tij revizionist”, ishte viti 1972, se dhe e keqja lodhet si në përgjumjet e frikshme të përbindëshit, por ajo poezi mundi të botohej vetëm pasi u shemb Muri i Berlinit, që ndante botën dhe kohën më dysh dhe fill pas tij ra dhe perandoria komuniste e diktaturat e saj.

Kumti i asaj poezie të gati gjysmëshekulli më parë duket se vlen dhe për sot, sidomos në vendin tonë, ku gjendja ka më shumë nevojë për qytetarë të çliruar sesa për militantë fanatikë të partive, të cilat duan të sundojnë për interesa oligarkike, ku shpesh na kanë dalë në krye të shtetit e janë bërë edhe presidentë “çalamanët moralë”, siç thotë poeti i kësaj poezie, militarë të diktaturës, që kanë qenë gati të zbraznin kallashin mbi njerëz për të mbrojtur statujat me bronz stalinian dhe kësaj dukurie vetëm poezia i ka dalë përballë si ato heroinat para tankut, teksa ende mungon partia e vuajtjeve dhe dhembjeve, e ëndrrave të të burgosurve politikë, partia e nënave, partia e njeriut, sipas poetit..

Nëpër protestat e reja, studentët grisën flamujt partiakë dhe po ngrenë shpresat që dhe Shqipëria e vonë të bëhet vend sa më normal, mundësisht, pa korrupsionin asfiksues, pa “klanin” e zi të oligarkëve me afera të dyshimta, që sa më të pasur bëhen, aq më mediokër shpallen, bisha që në vend të brirëve kanë antena televizive, që si dema u janë vërsulur partive, që ende lëkundin cohat e kuqe të flamujve të leckosur të së dikurshmes.

Mbase dhe kjo poezi e djeshme, që unë e përktheva që atëherë kur ajo u botua për herë të parë në 1991-n në shtypin e huaj e poeti i saj më pas emigroi dhe vetë nga Moska në SHBA, në vendin kampion të lirisë dhe demokracisë, pra dhe kjo poezi që dëshmon, besoj se na thotë diçka që duhet, sidomos për të rinjtë, “në kryengritjen e tyre morale”, siç shkruan një student.

Duhet për qytetarët pa parti, që i shmangen me dinjitet anëtarësimit, duhet dhe për ata me parti që të kuptojnë, edhe për vetë partitë që ta kenë parasysh në programet e tyre. Poezia nuk duhet të jetë e huaj, sidomos armiqësore. Që partitë të kenë guximin t’i durojnë poetët.

Diku në poezinë në fjalë përdoret fjala “krimb”, që unë e kam shkruar kështu: “krim(b)”, është lojë e përkthimit, kam dashur të kujtoj dhe krimet, ma dha begatia e shqipes, realiteti i tanishëm.

Në strofën e katër në vargun e fundit përmenden Aushvici, kampi nazist i internimeve në Poloni, ndërsa Songmi është lokalitet në Vietnamin e Jugut, kampin e të cilit e shkatërruan amerikanët, ndërsa gulagu Magadan është në Siberinë e internimeve. Lexuesi është i lutur të kujtojë dhe burgjet shqiptare, të Burrelit, kampet e kënetave, të aeroportit, Spaçin dhe Qafë Barin, ku ndodhën dhe dy revoltat e të burgosurve, mes të cilave kishte dhe poetë, të vetmet në të gjithë parandorinë komuniste.

Dhe një sqarim i fundit, në strofën e fundit poeti flet për “çalamanë moralë”, natyrisht që nuk është fjala për cene fizike, ato duan ndihmën dhe dhembshurinë e të gjithëve dhe s’është fjala as për ndonjë ish-President shqiptar, ngjashmëria është krejt e rastit, por poezia edhe pararend e shpesh bëhet dhe profetike.

Ndjesia që krijon kjo poezi dhe kumti i saj tronditës, mendoj se vlejnë, më shumë se sa për nesër, për sot, në fillimet që s’kanë mbarim. Dhe e sotmja për poezinë ndonjëherë: është e pakufi…

MONOLOGU I NJERIUT TË PASNESËRM

EVGENI JEVTUSHENKO
As Eva, as Adami nuk ishin anëtarë partie,
njerëzimi e di, të lutem dhe ti dije.
Pa parti Noja me atë arkën e tij,
Globi shtyn errësirërat pa parti.

Por Djalli, me pikpamje djalliste,
shpiku partitë, – ç’gusto neveritëse!
Në zemër të mollës futi krimbin, –
krim(b) dhe gjarpër një ishin,-
politikën – profesion
me prejardhje djallëzore,
që krim(b)ëzon njerëz kohë pas kohe.

Politika shpiku policinë,
Politika shpiku kryetarët.
Njerëzit kishin ëndërruar bashkësinë,
jo partitë dhe nënndarjet.

Po ku është partia e vejushave,
invalidëve, pelegrinëve,
ku është partia e familjes, e fëmijëve?
Partia e syve të skuqur ku është vallë,
në hirin e Aushvicit, Songmit,
Gulakut të gjallë?

Por një ditë, një ditë, një ditë,
për stërnipërit tanë të gjitha partitë
do të kujtohen si një gjë e tejshkuar
si superkafshët, si Babilonia e rrënuar.

Bota pa të persekutuar e blasfemi do të jetë,
pa çalamanë moralë në pushtet,
e gjitha një e asnjë parti,
veç ajo me emrin e thjeshtë: njeri.

Shkruar më 1972.
Botuar për herë parë më 1991

 

 

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fifteen − ten =