Interviste me muzikologun, kompozitorin Akademik Vaso Tole

Festivali 55-të përfundoi. Shumë pyetje, diskutime, shqetësime e dilema u artikuluan në media, gazeta, rrjete e ambjente sociale, për këtë festival dhe përgjithësisht për festivalet post viteve 90′. Më poshtë po artikuloj disa prej tyre si shprehje e dashurisë së njerëzve tanë për këngën shqipe dhe për nevojën urgjente për rimëkëmbjen e saj:

-A ishte festivali, festival? -Festivali është vetëm i këngës, i këngës dhe i spektaklit apo i spektaklit? -I kompozitorëve e poetëve, apo vetëm i këngëtarëve? Se a nuk renditen këngët me emrat e këngëtarëve? Se kështu a nuk quhen edhe këngët: e filanit apo e fistekut?

-Pra kryesisht e qartë: është festival i krijimit apo i interpretimit? -I zërave të bukur dhe brendisë artistike apo i paraqitjes dhe formës fizike? -I këngëtarëve/reve protagonistë, apo i konferencierëve protagonistë? -Fjala këngëtar buron nga fjala këngë. Po kur s’ka këngë, si quhen ata që i këndojnë ato? -Përse shumica e kompozitorëve profesionistë e ka braktisur festivalin? Po poetët kur do të rikthehen? -Përse tekstet nuk i këndojnë më bukurive dhe halleve të jetës shqiptare të të gjitha formave dhe mēnyrave? -Pse këngëtarët e sprovuar janë jashtë festivalit dhe nuk ftohen të këndojnë, por në rastin më të mirë vetëm prezantonin të tjerët? -Përse në kohën kur kishim vetēm RADIO bënim alamet festivali dhe tani që kemi edhe TELEVIZION s’kemi alamet festivali të tillë? -A ishte festivali më i mirë atëhere kur ishim keq, apo tani më keq me festivalin, e më mirë me gjërat e tjera? -I kujt është faji që njerëzit nuk mbajnë mend dhe nuk këndojnë dot me meloditë dhe fjalët e këngëve të tij? I festivalit apo festivalistēve? I krijuesve apo i dëgjuesve? -Përse ata që këndojnë nuk e përcjellin zërin si duhet përmes mikrofonit, por e mbajnë atë si të ishte akullore, kastravec ose banane? Si duhet kuptuar identiteti shqiptar i këngës sonë? Vetëm nga gjuha? Po parametrat e tjerë? Po stilistika e krijimit muzikor? -Festivali është vendi ku duhet të këndohet qartë e shqip në shqipen letrare, apo ku mund të kēndohet edhe në dialekte e ndonjëherë edhe me fjalë të huaja? -Është festival i këngës në Radio dhe Televizion apo vetëm në Televizion dhe jo në Radio, se p.sh. titrat prezantuese vetëm mund ti shohësh dhe lexosh në TV apo ka ndonjë mundësi që edhe ti dëgjosh titrat në Radio? -Është festival i madh dhe festë e këngës shqiptare apo vetëm konkurs i rradhës, i këngës që dërgon Shqipëria ne Eurovizion? -Pra, “E duam këngën shqipe si gjithë Evropa” apo ” E duam këngën shqipe në Evropë”? -Festival live me orkestrën e mrekullueshme të RTSH edhe me stonime nga këngëtarët, apo si dikur, me dy interpretime për të bërë diferencēn? -Më mirë të ketë një drejtor artistik festivali si “dashi me këmborë” apo me pesë producentë si “cjeptë me zile”? -Festival i profesionistëve dhe amatorëve, apo vetëm i profesionistëve ose dhe vetëm i amatorëve? -Êshtë vendi ku garohet me kompozim muzikor, poezi dhe interpretim apo ku mjafton ti futësh mik jurisë e del përtej (jurisë me instrumentistë, këngëtarë, poet e regjisor), këtë vit për be pa asnjë kompozitor e muzikolog si anëtar të saj? -Në festival konkurrojnë studiot muzikore apo stilet muzikore? -Festivali është aty ku kēndojnë ata që s’dinë notat muzikore apo është edhe i atyre që dinë notat, që dinë të këndojnë e nuk stonojnë?

-Mendim me humor: Përse kur kishim vetēm një Parti kishte këngë dhe tani që kemi shumë parti kemi vetëm pak syresh? -Si spjegohet që atëhere kur s’dinim-dinim të bënim festival dhe tani që dimë, nuk ja dalim dot të bëjmë një të tillë? E më së fundi, përse Lasgushi i madh ka shkruar me dhimbje vargjet: -Pa zë çbëhet ç’u pat bërë, ç’u godit zë shkatërrohet. Çu ndërtua brez pas brezi, bje greminë me një çast. Ku këndoi bilbil i Kombit, grifsh e huaj çirret pas!

P.s: Në mbyllje, urime për fituesit, pjesēmarrësit e organizatorët, në mënyrë të veçantë për Thoma Gëllçi, për mbështetjen e artistëve të orkestrës së RTSH-së- vlera e pakontestueshme e festivalit, si dhe kolegun Klodian Qafoku, ish-studentin tim të kompozicionit për vendin e I-rë.

You May Also Like