Shqipëria vendi më i shtrenjtë në Europë për tarifat standarde të telefonisë celulare - Arbëria News

Shqipëria vendi më i shtrenjtë në Europë për tarifat standarde të telefonisë celulare

Shqipëria është vendi më i shtrenjtë në Europë për tarifat standarde të telefonisë celulare.

Sipas raportit më të fundit të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve, web “Matja e Shoqërisë së Informacionit 2014”, Shqipëria renditet në vendin e 135 në Botë, duke i klasifikuar vendet nga më i liri tek më i shtrenjti për tarifat e telefonisë celulare, në raport me të ardhurat mujore për frymë. Në Shqipëri, shporta bazë e shërbimeve të telefonisë së lëvizshme kushton 31.7 dollarë amerikanë ose sa rreth 8.1% e të ardhurave mujore për frymë.

Shporta bazë e shërbimeve celulare përbëhet nga kosto e 30 thirrjeve dalëse drejt destinacioneve të ndryshme dhe 100 mesazhe të shkruara. Megjithëse në vitet e fundit komunikimi me celular është bërë më i lirë, kjo vlen pothuajse ekskluzivisht për paketat ofertë, ndërsa tarifat standarde kanë ngelur pothuajse të pandryshuara në vite. Në metodologjinë e vet, Unioni i Telekomunikacioneve e bën krahasimin vetëm mbështetur në tarifat standarde, pa marrë parasysh paketat e ofertave.

Kjo është arsyeja pse Shqipëria po rrëshqet viti pas viti në renditjen e kostove të telefonisë celulare për qytetarët. Në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, vendi më i lirë për komunikimin celular është Kroacia, ku shporta e komunikimit celular kushton sa 1.49% e të ardhurave për frymë. Më tej, vijon Mali i Zi me 1.9% të të ardhurave mujore, Maqedonia me 2.83%, Serbia me 3.17% dhe Bosnje-Hercegovina me 3.72%.

Prej disa vitesh tashmë, komunikimi celular në Shqipëri, në segmentin më të rëndësishëm, atë me parapagesë, është kanalizuar pothuajse ekskluzivisht në paketat ofertë, në mënyrë që përdoruesit të shpenzojnë një vlerë minimale mujore kundrejt paketave me sasi të caktuar të njësive të komunikimit. Vendet me tarifat më të lira të telefonisë celulare në Botë kundrejt standardeve të jetesës janë Hong-Kongu, Makao, Danimarka dhe Singapori.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

11 + thirteen =