Si sot, kur e la jetën Isa Boletini - Arbëria News

Si sot, kur e la jetën Isa Boletini

Agim Shehu

Si sot, më 23 janar, u nda nga jeta Isa Boletini. Ditën tjetër pas
tij, më 24 janar iku dhe Ismail Qemali. Si kohë, ata ikën dy vjet pas njëri tjetrit, njëri me kurth në pusi, tjetri me helmim në pabesi. Por dita e ikjes qe gati e përbashkët. Dy figura të mëdha të historisë kombëtare, të pandarë në jetë, të pandarë dhe përtej jetës, thua pa njëri tjetrin s’e bënin dot misionin që i kishin vënë vetes. Ata bashkë, siç i përfytyrojmë shpesh, qenë dy krerë të shqiponjës. Njëri, duke qënë Diplomat, kishte dhe trimërinë e mendimit. Tjetri duke qënë trim, kishte dhe mënçurinë e kryetrimit. Të tillë, arritën majat e lartësisë si personalitete e pa arritur t’u hapte vënd vdekja u hapi derën Pavdekësia.Të tillë, nga jetësorë u kthyen gati mitologjikë.
Kam pasur adhurim të madh për ta, sidomos lidhur bashkë njëri me tjetrin. I kam të ngulitura në shpirtin tim thëniet brilante të tyre: “Atë që Turqia nuk na e bëri gjatë 5 shekujve, Europa na e bëri në 5 muaj” (Ismail Qemali). “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia” (Isa Boletini)…
Në trazirat e mëdha për Shqipërinë pas Luftës I Botërore Heroi i Mendimit donte të këshillohej me Mikun e Madh të armëve. U kujtua që Ai s’qe më në jetën mbi dhé, e u nis ta takonte poshtë katit të nëndheshëm…Perëndia që e çmonte Shqipërinë, i takoi bashkë përsëri më 23 e 24 janar…
Më 11 janar 1971 isha në Kosovë, në tubimin e Poezisë që bënte Gjakova. Pata mbresa që nuk i përmbledh dot me fjalë. Kur u ktheva në Tiranë bëra disa poezi nga ato përshtypje. Pata shumë falënderime, aq më tepër kur flisja për Kosovën si pjesë e pandarë e Shqipërisë. Pata dhe goditje anësore zyrtare që ndikuan më pas në dënimin tim (siç ma tha sekretari i organizatës, një budalla i këndshëm, (të dy me gra vlonjate si shoqe) për vargjet “nacional-separatiste” që guxova t’i botoja: “Kosovë e bukur-gjak i fryrë/, çdo hap i hedhur – drithërime!” Erdha…dhe mbeta. Kisha hyrë/ në vëndin bosh të zemrës sime”/. Qe viti 1973…
Po botoj baladën që ma kërkuan datat 23 dhe 24 janar për dy Figurat e mëdha e veçanërisht të pandara të historisë sonë,

NAGANTI I ISA BOLETINIT

Bënë udhë të gjatë,
te “inglizi” vinin
Ismail Qemali,
Isa Boletini.

Hynin dy shqiptarë
brënda në Pallat,
njëri Luftëtar,
tjetri Diplomat.

Shqipëri e tyre
kishte hall, e mjera…
“Zotërij, tha roja,
armët…rrinë te dera!…”

U ngrys Luftëtari,
sytë i shkrepën çikë.
“Lerua!” Diplomati
i tha me qerpikë.

Nagantin te dera
la qetë Boletini.
(të voglës nën brez
sytë i shkrepëtinin).

Hapat qetë e qetë
ecnin në Pallat
(njëri Luftëtar,
tjetri Diplomat).

Lordi Grej i priti
në takim “biznes”
dhe çeli bisedën
me humor anglez:

“Ja, dhe çarmatosur,
zotërinj shqiptarë!…”
Si kallkan i ngrirë
ngriu fjalë e parë.

Sytë e Diplomatit
zjarr të hidhur shkrepën.
Isa Boletini
nxjerr nga brezi tjetrën;

Me humor të tij
i tha lordit pranë:
“Madhëri, shqiptarin
nuk e gjen pa armë!”

Shkrepëtiu fildishi,
zbardhëlloi sërmaja.
Ndritën malet tona
me dëborë në maja.

Qelqe e shandanë
dhanë dritë të ligë.
Ismail Qemali
qeshi nën qerpikë.

Dhe naganti ulur
rrinte siç i thuhej:
dora nga i zoti,
tyta – nga t’i duhej!

Nxinte tytë e vogël,
brënda nxinin halle…
Shqipëri e vogël
në tryezë të madhe.
1972

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × 3 =