Simbolika patriotike dhe etnocentrizmi i huaj në Arkitekturë - Arbëria News

Simbolika patriotike dhe etnocentrizmi i huaj në Arkitekturë

Nga Felissia Veliu

Mars 2012. Bashkia Tiranë shpall një konkurs për zgjatimin e bulevardit në veri të qytetit deri në Paskuqan. Marrin pjesë 7 studio ndërkombëtare, disa prej tyre me një portfolio të rëndesishëm. Jam ulur në publik e po dëgjoj disa prej pjesëmarrësve. Prezanton West 8 (studio hollandeze e profilizuar në projektim peisazhi). Prezantim me 30 slide, ku gati në 30% të tyre, ndodhet një shqiponjë. Foto te shpendit shqiponjë, shqiponjë në flamur, kulla me shqiponja në fasadë.

Mendova: “Po, jemi vendi i shqipeve, por nuk besoj se çdo projekt që prezantohet në Itali ka formë rigatoni apo ravioli”.  Shikoja përreth një bezdi kolektive për fyerje inteligjence, mbipërdorim të një simboli në një audiencë intelektualesh e jo patriotikësh injorante. Ama, asnjë nuk pyeti se pse shqiponja zinte gjysmën e kullës në fundbulevard. Mbi të gjitha, ajo që më habiti se fundmi, është fakti që në faqen zyrtare të studios, projekti mungon.

I njëjti fenomen me një studio tjetër pjesëmarrëse, KCAP , ku në projektin e vet merr simbolet e qilimave të traditës shqiptare edhe shtron të gjithë bulevardin (element i cili perceptohet vetëm me dron ose nëse do të ishe zog, sepse një shkallë aq e madhe detaji nuk mund të perceptohet nga niveli i syrit të njeriut). Një formalizëm në plan, i cili vjen si gjenerator i të gjithë propozimit. Sipas historisë së arkitekturës, simbolizmi në plan, pas antikitetit, mbeti pothuajse ekskluzivisht në sferën e religjionit dhe traditat e tij gradualisht u zhdukën gjatë shekullit të 19-të. Plani modern përcaktohet nga problemet e formës (marrëdhëniet hapësinore, etj.) dhe nga kërkesat praktike të përdorimit, jo nga komunikimi simbolik.

Një fenomen të ngjashëm të mbipërdorimit të simboleve patriotike e gjejmë në një propozim kulle të muajve të fundit, ku një studio tjetër e rendësishme, MVRDV, sjell një ndërtesë me hartën e Shqipërisë në fasadë. Një projekt që arrin kufijtë e “Kitsch”-it. (Kitsch – Formë arti që konsiderohet si një kopje inferiore, pa shije e një gjëje ekzistuese)

E përsëri lind pyetja e vjetër e viteve më parë: Pse arkitektët e huaj, kur projektojnë për Shqipërinë sjellin një mbipërdorim të simboleve kombëtare? Cfarë i shtyn të mendojnë se në Shqipëri patriotizmi në arkitekturë funksionon, se patriotizmi shet, se na pelqejnë aq shumë shqiponjat sa mund t’i vendosin gjithandej? Pse propozime të tilla, të mbushura me simbole historike,të njëjtat studio nuk i shfaqin edhe në projekte në vende jashtë Shqipërisë?

Sipas encyclopedica:  Arkitektura simbolike është një term i krijuar nga Charles Jencks në vitet 1980 për të përshkruar arkitekturën me një shkallë të lartë të personifikimit ose me aludimet ndaj ideve kulturore, referencave historike dhe temave të tjera para-moderniste, në të cilat ka shaka vizuale ose motive mnemonike.

Funksioni i arteve figurative në përcjelljen e përmbajtjes ka pasur shumë rëndësi në arkitekturë, si psh në rastet e Skulpturave të tempujve Hindu, mozaikët e kishës bizantine dhe stukimet e pallateve maore, ku simboli tashmë nuk ka më funksion zbukurues; ai përcakton formën e vetë ndërtesës.

Mungesa e simboleve tradicionale në arkitekturën moderne është dëshmi e dështimit të këtyre simboleve për të shprehur modelet kulturore të shekullit të 20-të. Në këto kohë, arkitektura, si piktura, skulptura dhe arte të tjera, ka prirje të jetë abstrakte, për të theksuar cilësitë e formës sesa për komunikimin e ideve të njohura përmes simboleve.

Për të sjellë dhe anën tjetër të medaljes, në mbrojtje të këtyre propozimeve mund të fliste Robert Venturi dhe Denise Scott Brown, ku në studimet e tyre rreth simbolizmit në arkitekturë,sidomos në librin e tyre “Learning from Las Vegas” i bëjnë thirrje arkitektëve që të jenë më perceptiv ndaj shijeve dhe vlerave të njerëzve “të thjeshtë” dhe më pak të pamëshirshëm në krijimet e monumenteve “heroike”, vetë-shtrëngues. Për ta, “…architecture is shelter with ornaments in it…” (arkitektura ështe strehë me simbole në të). “Less is a bore” thotë Venturi, por në rastin e Shqipërisë, pse “more” është gjithnjë një simbol patriotik?

Ndoshta ky është problemi, përshtatja me shijet e masave në Shqipëri sjell mbipërdorim simbolesh patriotike. Po a nuk do të ishte më mirë që këto masa njerëzish të edukoheshin me një arkitekturë ndryshe?

Sië do te thoshte Adolf Loos më 1906: “Ornament is a crime” (Zbukurimi, ornamenti është krim). Përveçse në Shqipëri, vendos një SHQIPONJË si ornament dhe ke fituar konkursin.

 

 

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

4 × three =