Të luftojmë radikalizmin

Nga: PËLLUMB NAKO

Para disa ditëve, në qendër të vëmendjes së opinionit publik u vendos një mësuese në Medresenë e Shkodrës, e cila kishte bërë propagandë në favor të ISIS dhe të Bin Ladenit. Po aq i gjerë ishte edhe interesimi për arrestimin dhe më pas lirimin e ndjekjen e saj penale në gjendje të lirë. Pas kësaj ngjarjeje, përsëri, masivisht, në të gjitha mediat pa përjashtim, si ato të shkruara, edhe ato televizive, apo edhe në versione elektronike do të shohim të shfaqen një sërë institucionesh laike dhe fetare që vrapojnë kush e kush më shpejt të distancohet nga ligjërimi i mësueses.

Fillimisht drejtuesit e Medresesë, si institucioni i prekur direkt. Më pas Myftinia e Shkodrës (megjithëse e mori në mbrojtje si person) u distancua nga fjalët e saj. Po ashtu, në të njëjtin vrapim distancimi ishte edhe Komitetit Mysliman Shqiptar. Ministria e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës, nuk mund të mungonte. Plotësisht dakord me këto distancime. Mediat u ngopën. E kryqëzuan. Organet kompetente e morën në pyetje. Rasti u quajt i izoluar. Kaq.

Ekzaktësisht ajo që nuk duhet bërë. Diçka mungoi. Dhe mungoi fort. Dhe që kishte shumë më shumë rëndësi sesa vrapi i distancimeve: asgjëkund në media nuk u pa të flitej për ndonjë institucion shtetëror, laik, fetar, OJF, që ta kishte afruar këtë mësuese e të dialogonte me të lidhur me idetë që kishte shprehur. Nuk u pasqyrua se të gjithë ia kishin krisur vrapit të distancimit. Pra, një mësuese që u shpreh nxënësve një ide në kufijtë e veprës penale, pasi merret në pyetje nga organet e drejtësisë për një fakt të bërë publik nëpërmjet një emisioni televiziv investigativ izolohet, braktiset, stigmatizohet. Të gjithë distancohen. E margjinalizojnë. Askush nuk mendon t’i afrohet. Mësuesja ndiqet penalisht në gjendje të lirë.

Pra, nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore. Po cili institucion apo ent duhet të dialogojë me mësuesen që të qartësojë mendimin e saj dhe sidomos burimin se nga ka ardhur? Ishte keqkuptim, moskuptim, apo bindje? Gjërat nuk zgjidhen vetëm me ndjekje penale. Pyetja që ngrihet, është e qartë: Cili institucion do të merret me atë pjesë të shoqërisë që rrezikon të joshet nga propaganda ekstremiste dhe të mobilizojë shoqërinë civile? Ta fuqizojë atë.

Ja se çfarë ka thënë ambasadori amerikan në Kosovë, Delawie, gjatë një takimi në Gjakovë, më 31 janar 2017: “Fuqizimi i shoqërisë civile është kritike në parandalimin e margjinalizimit shoqëror që ushqen këtë cikël të frikës, të zemërimit dhe ndjenjën e padrejtësisë, së cilës i janë përkushtuar ekstremistët. Derisa ne mbështetemi në sigurinë e qeverisë dhe në sundimin e ligjit për mundjen e terroristëve aktivë, pjesëmarrja pro aktive, puna në parandalimin e gjeneratës së ardhshme të ekstremizmit të dhunshëm, kërkon që të gjithë të jenë pjesë e zgjidhjes”.

Konkluzioni është i thjeshtë. Në kushtet kur institucionet dhe shoqëria ia krisën vrapit të distancimit, personi do të ndihet i braktisur, i margjinalizuar dhe në debat me veten për atë që i ndodhi. Ndërkohë, ato rrethe që i futën në kokë këtë ide janë prapë aty dhe më solidarë se kurrë. Këtë radhë, ata do ta kenë më të lehtë që kësaj dhurate që u bëri shoqëria jonë dhe apatia e institucioneve tona t’ia rrënjosin ato mendime akoma më thellë, edhe nëse zonja do të kishte pasur ndonjë hezitim.

Mendimet e shprehura nga ajo kanë një burim. Dikush i ka transmetuar. Në materialin studimor të OSBE-së “Parandalimi i terrorizmit dhe lufta kundër ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm që favorizojnë terrorizmin”, qasja e policimit në komunitet përshkruhet një profil psikologjik i kalimit në ekstremizëm, i cili i afrohet shumë situatës në rastin e mësueses së Medresesë:”… Ato mund të ndikojnë në zhvillimin e ndjenjave negative të zhvendosjes, së të qenit “ndryshe”, për shembull, te ndjenjat e të qenit i përjashtuar, i refuzuar, privimi relativ, ndjenjat e poshtërimit, viktimizimit, padrejtësisë, zhgënjimit, revoltës apo epërsisë”.

Nisur nga disa nocione sociale të shprehura nga sociologu francez Durkheim lidhur me deviacionet sociale penalisht dhe jopenalisht të dënueshme, radikalizimi me natyrë fetare i konsideruar si deviacion social duhet parandalohet që në momentin kur ai nuk është kthyer ende në një aksion penalisht të dënueshme. Dhe këtu bëhet fjalë të parandalohet fillimisht ekstremizmi si fenomen social, para se ai të kthehet në ekstremizëm të dhunshëm e më pas në terrorizëm. Thënë më shkurt, duhen shkulur rrënjët sociale të veprave penale me karakter ekstremist fetar.

Janë problemet sociale ato që përbëjnë zanafillën e qëndrimeve ekstreme, edhe me natyrë fetare. Pikërisht kjo logjikë dominonte edhe në mesazhet e distancimit ndaj mësueses, hartuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe Ministria e Arsimit. Me të drejtë aty shprehej qartë distancimi nga ekstremizmi i dhunshëm. Gjithsesi, distancimi duhet bërë edhe nga forma të ekstremizmit që nuk janë të dhunshme. Konkretisht, mbarë opinioni është i njohur me rastin e disa imamëve shqiptarë që po gjykohen lidhur me rekrutime luftëtarësh për në Siri dhe për këtë flitet gjatë.

Por, përveç këtyre veprimeve, ata demonstrojnë edhe diçka tjetër po aq të rëndë: ata nuk ngrihen në këmbë dhe të respektojnë trupin gjykues. Nuk e njohin institucionin e gjykatës. Njohin “sheriatin”. Në këtë rast nuk ka dhunë, por ekstremizmi përplaset me institucionet e Republikës. Refuzimi i komunikimit me kolege femra për arsye fetare në një shkollë nuk shpreh dhunë, por gjithsesi përplaset me institucionin. Dhe indicie të kësaj natyre ka boll. Në rastin e mësueses, Ministria e Arsimit minimalisht duhet të kishte hartuar një qarkore të brendshme sqaruese në formën e një qëndrimi standard për t’u parë nga të gjitha shkollat private dhe publike, të mesme dhe bachelor, ku të tërhiqej vëmendja lidhur me solidarizimin e shprehur ndaj një organizate terroriste që në median tonë prezantohet me akronimin ISIS.

Asnjeri nuk e di sot se në sa raste pyetje të tilla mund të jenë bërë nga nxënësit dhe asnjë nuk e di se cilat mund të kenë qenë përgjigjet e më- suesve. Qarkorja e Ministrisë së Arsimit do të përbënte standardin unifikues të duhur. Ky do të ishte një hap minimal, në kushtet kur flitet aq shumë për shtetin islamik dhe kur edhe nga Shqipëria kanë vajtur vullnetarë në shërbim të tij. Problemi i dytë që del dhe duhen hedhur hapa për t’u parë është se në media, si rezultat i pasqyrimit të ngjarjeve me karakter ekstremist fetar, përdoren terma të shumtë, të cilët janë huazuar nga gjuhë të huaja dhe janë përkthyer. Njerëzit janë familjarizuar me to, por në fjalorin shqipshqip nuk ka një përkufizim të tyre. Krijohen edhe keqkuptime.

Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për aspektin leksikor të fjalës, por edhe për nocione apo emërtime. Problemi bëhet edhe më delikat, pasi ka fjalë me burim kultet fetare, dhe në tërësinë e tyre kanë kuptim pozitiv, por ka edhe emërtime për probleme fetare nga sociologë e politologë të huaj, (përkthyer në shqip) me anë të të cilave karakterizohen rastet ekstremiste që ata i kanë hasur në vendet e tyre, por që nuk kanë kuptim të njëjtë me atë fetar. Njerëzit flasin, dëgjojnë, shohin lidhur me këto probleme dhe në rastet kur kanë pyetje, kërkojnë sqarime.

Çfarë duhet të shfletojnë? Në rastin e mësueses, në media, pa përjashtim përdoret termi “ISIS”. ISIS është një akronim në gjuhën angleze ( Islamic State of Irak and Syria- Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë). Media nuk e përkthen. Por nuk mjafton kjo. Akronimi ISIS nuk është emërtimi zyrtar i dhënë nga ana e OKB-së për këtë organizatë terroriste. Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara përdor tjetër akronim: ISIL-Islamic State of Irak and Levant-Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit. (Levanti është një territor i gjerë që përmendet edhe në Bibël dhe që i korrespondon Sirisë së sotme së bashku me disa shtete të tjera).

Fjala “terrorizëm” në fjalorin online shqip-shqip shpjegohet si: Zbatimi i dhunës së egër e të pamëshirshme nga një regjim shtypës a nga një organizatë reaksionare e kundërrevolucionare ndaj popullit e ndaj kundërshtarëve të vet politikë, që arrin deri në asgjësimin fizik të tyre; masa terrori; politikë terrori. Terrorizim i hapur. Ky përkufizim fut në konceptin e terrorizmit edhe një regjim shtypës. Pra, që ta aktualizojmë, brenda këtij përkufizimi futet edhe regjimi i Hasadit në Siri. Dhe kjo gjë mund të sjellë shumë diskutime.

Kurse në fjalorin “Larousse” në frëngjisht terrorizmi përkufizohet: Tërësi aktesh dhune (atentate, marrje peng etj) të shkaktuara nga një organizatë për krijimin e një klime pasigurie, për të ushtruar presion mbi një qeveri, për të përmbushur urrejtjen kundrejt një komuniteti, një vendi, një sistemi. Në këtë përkufizim, regjimi shtypës nuk futet në koncept. Koncepti i “radikalizëm” në fjalorin shqip-shqip online përkufizohet: Rrymë politike e majtë e borgjezisë ose e mikroborgjezisë, që kërkon të zbatohen disa reforma demokratike borgjeze pa e prekur sistemin kapitalist të shfrytë- zimit. Krahu i radikalizmit mikroborgjez.

Pra, asnjë pikë lidhjeje me radikalizimin fetar si fenomen që po konceptohet aktualisht si një nga rreziqet kryesore për sigurinë kombëtare të shumë vendeve me demokraci të zhvilluar. Radikalizimi duhet të parashikohet si rrezik edhe për sigurinë kombëtare në vendin tonë (Për këtë do të ketë shkrim tjetër). Kurse në fjalorin “Larousse” në frëngjisht ka dy kuptime: Doktrinë e atyre që kërkojnë një shkëputje totale me të kaluarën institucionale, si dhe qëndrim i një gjendjeje të këmbënguljes totale. Po ashtu, po të shohim fjalën “islamizëm”.

Ajo nuk ekziston në fjalorin tonë shqip, kurse në “Larousse” në frëngjisht thuhet: Pas viteve ‘70 personifikon një rrymë të islamit, e cila kërkon sheriatin si burim të vetëm të së drejtës dhe të funksionimit të shoqërisë me objektiv ndërtimin e një shteti islamik. Ndërkohë ka shumë fjalë të tjera që përdoren rëndom në media dhe fjalori në fjalë nuk i paraqet si xhihad, xhihadist, fondamentalizmi, fondamentalist, salafist, salafizëm, integrist e shumë të tjera. Ministria e Arsimit Kulturës dhe Shkencës, së bashku me Akademinë e Shkencave dhe komunitetet fetare, duhet të bëjnë plotësimet e duhura në fjalorin gjuhësor apo edhe enciklopedik shqiptar për këto terma.

Nëse nxënësi do të kishte të shpjeguar në fjalor ISIS-n, mund edhe mos ta pyeste mësuesen. Por edhe kjo e fundit mund të mos i jepte të njëjtën përgjigje. Harmonia fetare shqiptare, herë e lavdëruar, herë e zmadhuar, së fundmi edhe e përqeshur, ka një kuptim të vërtetë kur të gjitha fetë shqiptare janë gjithmonë në harmoni me civilizimin shqiptar, me institucionet e Republikës.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

twenty + 9 =