Tipat e HPV që infektojnë traktin genital. Cfarë është human papiloma virus (HPV)? - Arbëria News

Tipat e HPV që infektojnë traktin genital. Cfarë është human papiloma virus (HPV)?

Dr. Elton peci
Cfarë është human papiloma virus (HPV)?


  • Human papiloma virus (HPV), është një emër që përfshin më shumë se 100 tipe virusesh. Mbi 40 prej këtyre viruseve mund të transmetohen përmes kontakteve seksuale.
  • Tipat e HPV që infektojnë traktin genital quhen HPV genitale. Më shumë se 50% e individëve me jetë seksuale infektohen me HPV në një moment të jetës së tyre. Por shumica e tyre nuk janë në dijeni të këtij fakti. Kjo shpjegohet me faktin se infeksioni me HPV nuk shfaq simptoma dhe në shumicën e rasteve çrrënjoset nga përgjigja imunitare.
  • Tipat e HPV që kanë aftësinë të shkaktojnë kancer të qafës së mitrës quhen HPV me rrezik të lartë (high risc HPV). Këtu hyjnë tipat 16, 18, 31, 45, 3, 35, 39, 51, 52, 56, 58 dhe 59.
  • Tipat e HPV që mund të shkaktojnë kondiloma quhen HPV me rrezik të ulët (low-risc HPV) pasi kanë aftësi shumë të reduktuar për të shkaktuar kancer të qafës së mitrës. Këtu hyjnë tipat 6, 11, 42, 44.

Sa i shpeshtë është infeksioni me HPV?


Infeksionet genitale me HPV janë infeksionet më të shpeshta që transmetohen me rrugë seksuale (SST). Më shumë se 50% e individëve me jetë seksuale infektohen me HPV në një moment të jetës së tyre.

Cila është diferenca me tipave high-risk dhe low-risk types të HPV?


High risc HPV.

  • Disa tipa (lloje, shtame) të HPV janë shkaktarët e kancerit cervikal (të qafës së mitrës). Këto tipe quhen high-risc HPV (pra HPV me rrezik të lartë). Këtu hyjnë tipat 16, 18, 31, 45, 3, 35, 39, 51, 52, 56, 58 dhe 59.
  • Të infektohesh me një high-risc HPV nuk do të thotë të kesh kancer, por që mund të prekesh nga kanceri i qafës së mitrës në të ardhmen. Në shumicën e rasteve tipat high-risc HPV nuk shkaktojnë probleme shëndetësore dhe kalojnë vetvetiu pa lenë pasoja.
  • Në femrat që kanë tipa high risc të HPV kryerja e ekzaminimeve rutinë (Pap-Testkolposkopi etj) sipas rekomandimeve të mjekut gjinekolog bën të mundur mbajtjen e gjendjes nën kontroll dhe bën të mundur kapjen e ndryshimeve qelizore që në stadet prekanceroze dhe trajtimin e tyre, duke bërë të mundur parandalimin e shfaqjes së kancerit të qafës së mitrës.

Low-risk HPV

  • Low-risk HPV mund të shkaktojnë kondilomat (genital warts). Quhen HPV me rrezik të ulët (low-risc HPV) pasi kanë aftësi shumë të reduktuar për të shkaktuar kancer të qafës së mitrës. Këtu hyjnë tipat 6, 11, 42, 44.
  • Kondilomat mund të formohen javë, muaj, ose vite pas kontaktit seksual me një person të infektuar me HPV.

Tek femrat, kondilomat mund të shfaqen në:

  • Në brendësi dhe përreth hyrjes së vaginës
  • Në labie apo në zonat inguinale
  • Në brendësi dhe përreth hyrjes së anusit.

Tek meshkujt, kondilomat mund të shfaqen në:

  • Mbi penis.
  • Në skrotum apo në zonat inguinale.
  • Në brendësi dhe përreth hyrjes së anusit.

Më rrallë kondilomat mund të shfaqet në gojë dhe fyt.

Dimensionet e kondilomave variojnë.

  • Disa janë aq të vogla sa mezi shihen, ndërkohë që disa arrijnë të kenë dimensione më të mëdha (1-2 cm ose më shumë) dhe të marrin trajtën e lulelakrës.
  • Shpesh ato shfaqen në grupe.

Kondilomat shkaktojnë diskomfort, prurit (kruarje) ose djegie.

Duhet theksuar se jo gjithnjë low-risc HPV shkaktojnë kondiloma. Në shumicën e rasteve, personat e infektuar me low-rsc HPV nuk kanë dijeni për infeksionin pasi nuk kanë asnjë simptomë.

Si e marrin femrat infeksionin me HPV?


Infeksioni me HPV kalon përmes kontaktit lëkurë-lëkurë dhe atij seksual.

A rekomandohet vaksina kundër HPV?


  • Kjo varet nga mosha dhe nga fakti në se ka filluar apo jo jeta seksuale.
    • Vaksinat që qarkullojnë në treg (Cervarix dhe Gardasil) mund të ofrojnë mbrojtje për vajzat dhe meshkujt e rinj ndaj infeksioneve me llojet high-risc të HPV (ato që edhe shkaktojnë shumicën e rasteve me kancer të qafës së mitrës). Vaksinat kanë efektin më të mirë nqs jepen përpara se individi të ketë filluar jetën seksuale. Të dyja këto vaksina rekomandohen për vajzat e moshës 11-12 vjeçare. Megjithatë vaksinat janë efikase edhe në rastet e femrave me jetë seksuale active por që rezultojnë negative ndaj testimit për viruset HPV (tipizimi i HPV).
    • Vaksinat merren në një seri prej 3 dozash.

Si mund ta kuptojë një femër që ka infeksion me HPV?


Shumica e femrave që kanë HPV kurrë nuk janë në dijeni të këtj fakti. Për këtë arsye nevojiten ende Pap-teste të rregullta. Pap-testi është një teknikë shumë e lehtë që mundëson marrjen e qelizave nga qafa e mitrës dhe analizimin e tyre në mikroskop. Pap-testi mund të evidentojë ndryshime qelizore të shkaktuara nga HPV.

Në moshat > 30 vjet, gjinekologu mund të rekomandojë edhe një tipizim të HPV (HPV-Test) së bashku me Pap-testin. HPV-Testi është një test që është i aftë të zbulojnë AND e tipave high-risc të HPV. Ky test do të vërtetoje nëse ndryshimet qelizore të evidentuara nga Pap-testi janë shkaktuar apo jo nga ndonjë tip HPV me high-risc.

A do nevojietn ende Pap-Testet pas kryerjes së vaksinës HPV?


Po! Vaksina nuk ofron mbrojtje kundër të gjitha llojeve të HPV që shkaktojnë kancer të qafës së mitrës. Ato ofrojnë mbrojtje vetëm ndaj tipave 16 dhe 18 që janë përgjegjës të rreth 70% të rasteve me kancer të qafës së mitrës.

A mund të ketë infeksion me HPV edhe në prani të një Pap-testi normal?


Po! Një femër mund të ketë infeksion me HPV dhe të ketë një Pap-Test normal. Ndryshime në qafën e mitrës mund të mos shfaqen menjëherë ose mund të mos shfaqen kurrë, pavarësisht se femra mund të ketë infeksion me HPV.

A mund të kurohet HPV?


Jo! Nuk ekziston asnjë kurë ndaj infeksionit me HPV. Megjithatë ka trajtim për ndryshimet që mund të shkaktojë infeksioni me HPV në qafën e mitrës. Po ashtu edhe kondilomat mund të trajtohen (krioterapi, koagulim, ekscizion). Në shumë raste infeksioni me HPV zhduket vetvetiu.

Cilat janë trajtimet që ekzistojnë në rastet kur evidentohen ndryshime qelizore në qafën e mitrës (Pap Test anormal, dsiplazi cervikale)?


Trajtimi varet nga lloji i displazisë cervikale. Displazia e moderuar në shumicën e rasteve mund të kalojë pa trajtim dhe mjafton të kryerja e Pap Test-eve në dinamikë për monitorizimin e saj. Në rast se ajo persiston apo kalon në displazi të rëndë atëherë duhet të kalohet në trajtim.

Trajtimi i displazisë së moderuar dhe asaj të rëndë përfshin:

  • Kriokirurgjinë
  • Terapia me lazer
  • LEEP – LOOP
  • Biopsia në formë koni (cone biopsy ose cold conisation).
  • Histerektomia (në raste shumë të rralla.

Edhe nqs trajtohen displazitë cervikale (ndryshimet qelizore), HPV virusi ende është në organizëm dhe këto ndryshime mund të rishfaqen sërish pas disa kohësh. Për këtë arsye kryerja rutinë e Pap test-it rekomandohet sërish.

Si trajtohen kondilomat?


Kondilomat mund të trajtohen në mënyrat e mëposhtme:

  • Kimike – përmes aplikimit të substancave kimike mbi to.
  • Lazer – duke drejtuar rrymën mbi to.
  • Koagulim – përmes rrymës elektirike
  • Ngrirje – duke i ngrirë me azot të lëngshëm.
  • Kirurgji – duke i seksionuar ato me instrumenta kirurgjialë.

Edhe nqs trajtohen kondilomat, HPV virusi ende është në organizëm dhe kondilomat mund të rishfaqen sërish pas disa kohësh. Po ashtu, edhe pas trajtimit të HPV, një individ pavarësisht se i trajtuar mund të transmetojë HPV tek partneri.

Nqs nuk trajtohen kondilomat mund të:

  • Zhduken dhe rishfaqen më vonë
  • Të mos ndryshojnë në dimensione.
  • Të rriten në dimensione dhe të shumohen.

Kondilomat nuk shndërrohen kurrë në kancer.

Cfarë shkakton HPV tek meshkujt?


HPV është po aq i shpeshtë tek meshkujt sa dhe tek femrat. HPV shkakton më rrallë probleme tek meshkujt. HPV tek meshkujt mund të shkaktojë kancer anal. Nuk ka asnjë test për të diagnostikuar praninë e HPV tek meshkujt.

Si të mbrohem nga HPV?


Vaksinimi përpara fillimit të jetës seksuale.

  • Vaksinimi në rastet kur testimi për HPV rezulton negative.
  • Përdorimi i prezervativëve mund të ulë rrezikun e shfaqjes së kondilomave dhe kancerit të qafës së mitrës.
  • Monogamia.

A mund të infektohem disa herë nga HPV?


Po! Ka shumë lloje HPV. Një femër mund të kalojë një infeksion me HPV dhe të infektohet sërish me atë lloj HPV ose me ndonjë lloj tjetër HPV. Gjithashtu një femër mund të infektohet edhe nga disa lloje HPV njëherësh.

A e prek HPV shtatzaninë?


Shumica e femrave që kanë patur kondiloma, por që nuk kanë më gjatë shtatzanisë dhe në momentin e lindjes nuk kanë asnjë problem gjatë shtatzanisë por edhe gjatë lindjes.

Për femrat me kondiloma gjatë shtatzanisë duhet patur parasysh se një pjesë e tyre mund të zmadhohen dhe shumohen në raste të rralla, në këto situara infeksioni mund të kalojë nga vagina e nënës së infektuar me HPV tek bebi gjatë lindjes. Nqs kondilomat prekin kanalin e lindjes, është e rekomanduar lindja me operacion cezarian.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eleven − 6 =