Transformimi i Europës dhe marrëdhënia me Ballkanin

 

Nga Akri Çipa

Europa e bashkuar e ka humbur sot sharmin dhe imazhin e dikurshëm të saj. BE-ja e re në kontinentin e vjetër është sot një figurë që nuk pasqyron idealizmin që premtonte projekti europian në gjenezë të tij. Megjithatë, edhe pse nuk ngjall të njëjtin entuziazëm dhe nuk përqafon më të njëjtin idealizëm politik, Europa mbetet sot një faktor tejet i rëndësishëm dhe pozitiv në rajonin e Ballkanit.
Kriza ekonomike ndihmoi në zbehjen e imazhit, por ringritja e kohëve të fundit dhe pritshmëritë e një performance ekonomike në rritje në vitet e ardhshme nuk mjaftuan për ta rikthyer atë. Kjo për shkak se nuk ishte vetëm çështja ekonomike që solli këtë zbehje. Europa e bashkuar hoqi dorë nga idealizmi i saj. Teksa burokratët në Bruksel u vinin përsipër politika austeriteti vendeve në të cilat ekonomia kishte marrë të tatëpjetën, ata frustronin banorët e thjeshtë të këtyre vendeve dhe nuk përmendnin asnjëherë elitat e korruptuara dhe të paafta që i çuan ato ekonomi në atë pikë.
Teksa dështoi të tregonte vullnet për të vënë nën kontroll dhe përpara përgjegjësisë Viktor Orban në Hungari dhe për të mos lejuar shndërrimin e tij në një autokrat të vogël në zemër të kontinentit, Bashkimi Europian konfirmoi cinikisht se, përpara përballimit të valës së emigrantëve dhe ringritjes ekonomike, demokracia mund të kalojë edhe në plan të dytë. E njëjta gjë vlen dhe për rastin e Polonisë, ku së fundmi Kaczynski dhe partia e tij po projektojnë vënien në kontroll të të gjitha pushteteve. Edhe në këtë rast, Europa po e bën një vesh shurdh dhe, megjithë fjalët e korridoreve për përdorimin e Artikullit 7 (artikull që heq të drejtën e votës për vendet e BE-së që shkelin të drejta themelore), po e lë kastën politike polake të degjenerojë gjithë proceset demokratike në vend.
Europa e bashkuar është sot një entitet që e ka mendjen tek shenja e euros më shumë se sa tek standardi demokratik. Artikulli 2 i traktatit të Lisbonës, i cili konfirmon themelimin e Bashkimit Europian në vlerat e dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, respektimin e ligjit dhe të të drejtave të njeriut, është sot më shumë një stilemë letrare se sa një princip të cilit i drejtohen zyrtarët e BE-së në deklaratat e tyre publike. Ky transformim i Bashkimit Europian nuk është i rastësishëm. Në fakt, është një zgjedhje që liderët politikë europianë të dekadës së fundit e bënë sa nën presionin e zhvillimeve të jashtme, aq edhe në mënyrë të vetëdijshme.
Por, pavarësisht trajtës së re cinike, Europa e bashkuar vazhdon të jetë një magnet i fuqishëm për vendet ballkanike. Megjithëse BE-ja ka humbur aftësinë e saj për të përmirësuar nivelin e demokracisë në vendet ballkanike, ajo ia ka dalë të përmirësojë marrëdhëniet diplomatike ndërmjet këtyre vendeve. Në atë nivel që as SHBA dhe asnjë aktor tjetër ndërkombëtar nuk mund ta arrijë.
Nuk do të mund të përfytyrohej dot një afrim i Serbisë me Kosovën pa qënësinë dhe ndërmjetësimin e BE-së. Pranimi de facto nga lidershipi politik serb i pavarësisë së Kosovës në ditët e fundit duhet parë si vijueshmëri e impaktit të BE-së në rajon dhe si rezultat i drejtpërdrejtë i Samitit të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Trieste vetëm dy javë më parë. Pa fondet e vëna në dispozicion nga BE-ja, nuk do kishim as planifikimin e një mbledhjeje të përbashkët qeverie ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë. Edhe kjo dukej e paimagjinueshme pak muaj më parë.
Paqtimi i Ballkanit kalon përmes llogarive bankare të këtyre vendeve. Një aleancë ekonomike si Europa e ditëve tona e ka kuptuar mjaft mirë këtë fakt. Marrëdhënia e vendeve të Ballkanit me Europën është bërë transaksionale. Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi e shikojnë Europën si bankomatin në të cilin tërheqin fonde për të rindërtuar infrastrukturën. Politikanët e këtyre vendeve e shikojnë Europën si legjitimim dhe mbështetje për të bindur masat e gjëra të votuesve të tyre se realisht po punojnë. Europa, nga ana e saj, i shikon këto vende si fëmijë të cilët duhen mbajtur të kënaqur (por jo shumë) dhe të qetë (sa më shumë).
Bashkimi Europian ka potencialin tw rikthehet të jetë një bashkim principesh po aq sa bashkim interesash ekonomike, sikurse ka tw gjitha aftwsitw të rikonfirmojw vlerat e shprehura në artikullin 2 të traktatit të Lisbonës dhe të garantoje qënësinë e atyre vlerave, jo vetëm ndër vendet anëtare, por edhe ndër vendet që aspirojnë të jenë të tilla. Por, deri atëherë, duhet të pranojmë se, edhe thjesht si aleancë pragmatiste, Europa ka mundësinë dhe fuqinë të garantojë stabilitetin në Ballkan dhe normalizimin e marrëdhënieve shpesh të acaruara ndërmjet vendeve të këtij rajoni tragjik. Dhe kjo nuk është pak.

Botuar ne “Panorama” 28′ korrik 2017

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

17 − 17 =