Skandali i grurit të skaduar që vjen nga Serbia, qeveria e Kosovës urdhëron hetimin - Arbëria News

Skandali i grurit të skaduar që vjen nga Serbia, qeveria e Kosovës urdhëron hetimin

Skandali i importimit të grurit të skaduar nga rezervat shtetërore të Serbisë, prescription nga kompania “M Sillosi”, në pronësi të “Devolli Corporation”, i denoncuar nga gazeta “Kosova Sot”, që në muajin tetor 2014 dhe i rikthyer në vëmendje së fundmi  nga kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Misin Voci, ka tronditur Qeverinë, por jo edhe drejtorin e doganave, Lulëzim Rafuna, i cili ka preferuar të heshtë, edhe pse akuzat janë drejtuar kundrejt tij. Sipas Vocit, “Devolli Corporation”, e ndihmuar nga Dogana e Kosovës, po i ushqen shqiptarët, në të dy anët e kufirit, me miell që prodhohet nga gruri i destinuar për ushqim për kafshët. Ndërkohë që të dhëna të mëtejshme dhe të hollësishme Voci pritet të japë të hënën pranë sektorit të antikrimit ekonomik në policinë e shtetit, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit të vendit Isa Mustafa.  Ky i fundit ka thirrur dje në takim drejtorin e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) dhe ka kërkuar sqarime në lidhje me raportimet mbi cilësinë e grurit dhe mbi nivelin e kontrollit si në kufi ashtu edhe në depot në vend.

Mostrat të analizohen jashtë Kosovës

Kryeministri Mustafa ka  kërkuar  nga drejtori i AUV-së që menjëherë të themelohet një komision i pavarur me profesionistë, të cilët do të marrin mostra për analizë në mënyrë të pavarur. Mostrat duhet të dërgohen në institute kredibile shkencore në vendet e Bashkimit Evropian me qëllim që të sqarohen dyshimet e ngritura dhe të sigurohemi që qytetarët e Republikës së Kosovës konsumojnë produkte të cilësisë më të mirë dhe të pranueshme me standardet ndërkombëtare. Gjithashtu, kryeministri ka kërkuar informacion nga Administrata Doganore e Kosovës për mënyrën dhe procedurat e importimit të drithërave të importuara. Mustafa ka paralajmëruar se  përgjegjësit do të goditen ashpër, nëse vërtetohet, se ka pasur keqpërdorime nga Doganat për importin e krundeve nga Kompania në të njëjtën mënyrë ka vepruar edhe Ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili ka kërkuar nga dogana raport për rastin në fjalë. ” Posa të përgatiten raportet, do të jepet një sqarim për opinion dhe, nëse është e nevojshme, do të merren masat adekuate në bazë të ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e  MF –së.

Zyrtarët e Doganës arsyetohen

Zyrtari për informim i doganave, Adriatik Stavileci dhe udhëheqësi i procedurave pezulluese Jashar Goga kanë tentuar të mbrojnë shefin e tyre, por duke mos ofruar asnjë fakt për të dëshmuar të kundërtën e asaj që është thënë këto ditë në medie. Sipas Stavilecit, problemi ka ardhur deri te keqkuptimi se si është një procedurë e caktuar e rregulluar, e në këtë rast si është procedura e importit të grurit. Ndërsa sipas Gogës, ky skandal perceptohet si një çështje teknike. “Në kuadër të procedurave me ndikim ekonomik, krahas të gjitha procedurave me pezullim të detyrimeve bëjmë  procedurën e përpunimit  në kontroll doganor dhe procedurën e përpunimit të brendshëm. Mallrat  e importit të cilat iu nënshtrohen  taksave doganore  me autorizim nga dogana e Kosovës për subjekte të cilat  posedojnë autorizimin pezullohen veprimet, të cilat gjithashtu janë të mbuluara me garanci bankare. Kjo  me qëllim që subjektet , mallrave të importit t’ua ndërrojnë trajtën  dhe numrin tarifor  me qëllim të rieksportit, deklarimit  të taksave të detyrimeve doganore  në territorin jashtë Kosovës  dhe procedura e përpunimit nën kontroll doganor, e cila  i pezullon përpunimet me detyrim të mëtejshëm  të mallrave të importit për ndryshim kodit tarifor dhe  pagesë të taksave më pak se 10 për qind, të tvsh -së më pak se 16 për qind apo zero, varësisht se ku fluksi I përpunuar lirohet nga detyrimet doganore, lirohet në qarkullim të lirë”, ka thënë Goga.

Cilësia e dyshimtë e miellit

Më herët, zyrtarisht në Agjencinë Veterinare të Ushqimit, kemi mësuar se mielli i  “M&Sillosi-it”, që ka hyrë në Shqipëri, dhe i prodhuar me grurin e rezervave shtetërorë të Serbisë të blerë me 7 cent nga  ‘M Sillosi’,  ka rezultuar me proteina 10.8  për qind. Gazeta “Kosova Sot”, i ka kërkuar AVUK –ut që t’i vërë në  dispozicion kopje të analizave të grurit që vjen nga Serbia dhe të  miellit që prodhohet nga kompania “M&Sillosi dhe jo vetëm, por sipas  zyrtarit Lamir Thaçi, analizat konsiderohen konfidenciale dhe si të  tilla nuk mund të bëhen publike. Në të shumtën e rasteve, në formularët  e analizave nuk shënohet emri i kompanisë që prodhon miellin apo që ka  blerë grurin. Por, pavarësisht kësaj ne kemi mësuar, se mielli i  destinuar për në Shqipëri, pas analizave ka rezultuar me proteinë në 10.8  për qind.  Ndërkohë, që standardi evropian përcakton se mielli për bukë  duhet të ketë 12.5 për qind të proteinave. “Në një tjetër analizë mielli ka rezultuar me proteinë 10.8 për qind. Kjo analizë me datë 4.09.2014  është bërë për miellin që do të shkonte për Shqipëri. Proteinat  ne  i  llogaritim në materie me lagështi, kurse në Shqipëri i llogaritin në materie  të thatë”, ka thënë  më herët Thaçi, duke justifikuar kështu 10.8  përqindëshin. Gjithashtu më datë 4.09.2014 është bërë një tjetër   analizë e miellit, nga laboranti Valon Sadiku dhe proteinat kanë dalë  11.1 për qind, ndërsa më 17.10.2014 në një tjetër analizë, proteinat kanë  dalë 10.9 për qind.  Në lidhje me skandalin aktual që ka prodhuar një krim të shumëfishtë, zyrtari I AVUK –ut, Lamir Thaçi ka thënë se asnjëherë nuk ka ndodhur që produktet për kafshët të destinohen për konsum human.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

6 − two =