Trump dyshon se Bajraktari ka rrjedhur bisedat sekrete, kërkon shkarkimin! - Arbëria News

Trump dyshon se Bajraktari ka rrjedhur bisedat sekrete, kërkon shkarkimin!

John Bolton, këshilltari i Presidentit Donald Trump për Siguri Kombëtare, ka kërkuar shkarkimin e Ylli Bajraktarit, zyrtar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë (N.S.C.), i cili ka punuar si asistent i Zëvendës-sekretarit të Mbrojtjes gjatë Administratës së Obamas dhe ka qenë i afërt me H.R. McMaster, ish-Këshilltar i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

Por, në mbrojtje atij i dalë Shefi i Stafit të presidentit Trump, John Kelly, i cili i ka rezistuar kërkesës së Boltonit për shkarkimin e Bajraktarit, transmeton Koha.net.

Konservatorët kanë akuzuar Bajraktarin se ka rrjedhë në publik tregimin se Trumpi kishte injoruar udhëzimet për të mos e uruar presidentin rus, Vladimir Putin, në fitoren e tij në zgjedhjet e fundit.

Veç kërkesës për shkarkimin e Bajraktarit, sipas burimeve të “Vanity Fair”, Bolton kishte kërkuar nga Kelly të zëvendësonte edhe Michael Antonin, zëdhënës i N.S.C.-së, por Kelly kishte rezistuar edhe për këtë. Bolton e refuzoi atë. “Bolton i tha Kellyt, ‘Presidenti më ka thënë të largoj këdo që ai mendon se është rrjedhës i informacionit. Nëse do të stoposh këto, atëherë çdo rrjedhë e informacionit në të ardhmen do të bie mbi N.S.C.-në’”, ka thënë burimi i “Vanity Fair”.

Ky burim, i afërt me debatin, i ka thënë “Vanity Fair”-it se Boltoni nuk ishte përgjegjës për largimet e Antonit dhe Bajraktarit, dhe se ata dy, si aleatë të McMasterit, kishin planifikuar të largoheshin. Burimi shtoi se ata dy nuk ishin personat që rrodhën informacionin në publik.

“Thjeshtë, nuk është e vërtetë”, tha burimi.

Shqiptaro-amerikani shkoi si refugjat lufte nga Kosova në SHBA dhe shënoi një ngjitje të jashtëzakonshme në karrierë, bashkë me vëllanë e tij Ylberin, në hierarkinë e Pentagonit dhe Departamentit të Mbrojtjes.

Bolton është i njohur për deklaratat kundër pavarësisë së Kosovës

Bolton njihet si njeri i prirë për luftë e mes tjerash ishte edhe kundërshtar i pavarësisë së Kosovës, i cili pohonte se Kosova e pavarur mund të ngjallë ekstremizmin islamik në Evropë.

69-vjeçari është pjesë e qarqeve të mbrojtjes mes Republikanëve me dekada. Ai ka shërbyer në administratën e Ronald Reaganit, George HW Bushit dhe George W Bushit. Bushi i dytë e kishte emëruar ambasador në OKB.

I etur për luftë, neo-konservatori Bolton ndihmoi në krijimin e rastit kundër diktatorit irakian, Saddam Hussein, për posedimin e armëve të shkatërrimit në masë, që më pas doli të ishte vlerësim i gabuar. Duke u pajtuar me mendimin e Trumpit rreth Koresë Veriore dhe Iranit, ai madje është për sulmet ndaj këtyre dy shteteve, raporton KTV.

Mes tjerash, edhe mendimet e tij rreth Kosovës dallojnë shumë nga shumica e politikanëve amerikanë. Në vitin 2008, në kohën kur Kosova e shpallte pavarësinë, Bolton kishte thënë se rajoni mund të përballet me destabilitet nëse Kosova pavarësohet. Duke qenë mysafir i shpeshte në televizionin ‘Russia Today’, Bolton kishte thënë se shpallja e njëanshme e pavarësisë do të ishte joligjore dhe do të mund të nxiste lëvizjet separatiste në botë, duke prishur kështu rendin ndërkombëtar.

“Nuk mendoj se ekonomikisht është ide e qëndrueshme. Mendoj se paqëndrueshmëria e pavarësisë rrezikon të tërheqë ekstremistët islamikë nga e gjithë bota. Përzierja në Ballkan në fakt tenton të destabilizojë vendet e tjera, si Mali i Zi dhe Maqedonia, që gjithashtu kanë popullsi shqiptare. Pra, ky është rezultati përfundimtar i një marrëveshjeje të madhe për ish-Jugosllavinë dhe mendoj se duhet të arrijmë deri në pikën ku përpjekja për të nxjerrë në pah vendet e reja me të vërtetë kërcënon të përkeqësojë rrezikun dhe destabilitetin”, kishte thënë Bolton.

E në një intervistë me BBC në gjuhën serbe para pavarësisë, Bolton tha se Departamenti Amerikan i Shtetit ka udhëhequr politikën antiserbe që nga shpërbërja e Jugosllavisë.

“Them se SHBA-ja do të gabojë rëndë nëse e pranon shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Zgjidhja e vetme e arsyeshme do të duhej të ishin negociatat mes serbëve e shqiptarëve. E zgjidhja e imponuar mund të çojë në dhunë”, kishte thënë ai.

Ai madje u ankua se si Uashingtoni nuk u përcaktua për pavarësinë e Kosovës derisa ai nuk u pensionua nga posti i ambasadorit në OKB dhe, sipas tij, nëse SHBA-ja do ta njihte pavarësinë e Kosovës do të ishte gabim, por është çështje e pashmangshme.

Dhe në një kolumne të publikuar më 31 janar 2008, në gazetën ‘The Washington Times’, Bolton tha se administrata e Bushit ka shprehur gatishmëri të pranojë pavarësinë e Kosovës.

Mes tjerash, në të shkroi se ‘imponimi i zgjidhjes ndaj Serbisë do të ishte sfidë direkte për Federatën Ruse, e cila kundërshton çdo zgjidhje për Kosovën, e cila nuk pranohet nga Beogradi.

Ai argumentonte se zgjidhja për Kosovën dhe shkëputja e saj nga territori sovran i Serbisë pa pajtimin e saj nuk është në interes të SHBA-së. Në një rast tjetër, po ashtu në ‘Russia Today’, ai ka thënë se Kosova mund të ngjallë ekstremizmin islam në Evropë.

/koha.net

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eighteen − six =