TUPJA: Të nderuara kufoma të ardhshme që na keni qeverisur dje, na qeverisni sot e do të na qeverisni nesër - Arbëria News

TUPJA: Të nderuara kufoma të ardhshme që na keni qeverisur dje, na qeverisni sot e do të na qeverisni nesër

Këtë letër të hapur po ua drejtoj sigurisht jo të gjitha kufomave të ardhshme, por vetëm atyre që do të jenë shumë më të privilegjuara se të tjerat, ngaqë do të bëhen objekt ceremonish mortore e përkujtimore ku e ku më madhështore se ato të vdekatarëve anonimë si puna juaj, jonë dhe pa diskutim imja. Ja, pra, teksti i letrës në fjalë: 

“Të nderuara kufoma të ardhshme që na keni qeverisur dje, na qeverisni sot e do të na qeverisni nesër

Së pari, zonja e zotërinj, ju nuk duhet të skandalizoheni e të reagoni emocionalisht nisur nga mënyra që kam zgjedhur për t’iu drejtuar Juve, duke Ju cilësuar si “kufoma të ardhshme”. Të gjithë njerëzit e gjallë, me famë apo pa famë, në profesionet e pafundme që ushtrohen sot në mbarë botën, janë objektivisht kufoma të ardhshme sepse nuk janë të përjetshëm. Si të gjithë dykëmbëshit pa përjashtim pasardhës të homo sapiens-it, Ju gjithashtu do të kalleni në dhé pasi të keni dhënë frymën e fundit, sado gjatë të keni jetuar. Mbasi t’Ju kenë bërë homazhet më të dhimbshme të shoqëruara me lot e tundje kokësh hijerënda e të pikëlluara, te kryet e varreve tuaja do të thuhen fjalë po aq të dhimbshme, do të vendosen kurora e buqeta me lule nga më të shtrenjtat, mermeri i varreve tuaja do të jetë i një cilësie të përkryer, arkivolet tuaja do të jenë prej druri ekzotik nga më i shtrenjti, përbrenda ata do të jenë veshur me mëndafsh natyral importi të një cilësie të pakrahasueshme; veshja juaj do të jetë konceptuar e realizuar në atelietë e stilistëve më me emër të asaj që në Francë quhet la haute couture dhe në Itali l’alta moda.

Së dyti, sigurisht që, të ndarë përfundimisht nga kjo botë e sidomos nga Shqipëria juaj dramatikisht demokratike, për të cilën ju do të keni shkrirë me dashuri e përkushtim të pashoq gjithë energjitë tuaja mendore (o Zot, ç’sakrifica të panumërta do të keni bërë për atë!), Ju nuk do t’i shijoni dot jo vetëm ceremonitë mortore, por as intérieur-in e banesës suaj të fundit, ku do të preheni në paqe, por jo përjetësisht, sepse…, ah, ka gjithnjë një “sepse” që vjen e prish punë… pra, sepse, pas ca kohësh nuk do të jeni më të vetmuar, do të keni vizita brenda arkivoleve. “Vizita? Kush do të na vijë atje dy pashë nën dhé, – do të pyesni ju tani që ende jeni gjall, – ndërkohë që brenda çdo arkivoli ka vend vetëm për një kufomë?”. Keni të drejtë, të vdekurve u vijnë për vizitë të afërmit, miqtë e kolegët, por përjashta, te varri, për t’u vendosur lule me rastin e përvjetorëve të vdekjes, me rastin gjithashtu e përvjetorëve të lindjes, të cilët gjithashtu do të derdhin lot, madje edhe do të ngashërehen duke prekur me duar e me zemra të dridhura fotografitë dhe emrat tuaj të gdhendur në mermer ose të shkruar me germa të arta. Në fakt, unë e kam fjalën për disa vizitorë katërkëmbësh që fillimisht do të brejnë drurin ekzotik të arkivoleve Tuaja, pastaj do të shqyejnë mëndafshin e çmuar që Ju rrethon, mandej do t’Ju grimcojnë rrobat luksoze – xhaketa e pantallona, këmishë e kravata, kanotiera e mbathje të tipit tangë apo string, së fundi këpucët dhe çorapet e shtrenjta, por nuk do të mjaftohen vetëm me kaq: kompanisë së minjve do t’u shtohen batalionet e krimbave dhe regjimentet e insekteve. Mos u trembni, Ju nuk keni për t’i ndier fare, por ç’festë apo më saktë ç’dafrungë do të bëjnë miqtë Tuaj, katërkëmbësh apo zvarranikë qofshin ata: së pari, do t’Ju hanë sytë, ata sy të babëzitur që, për aq kohë sa ishit gjallë e në pushtet, nuk lanë gjë pa dëshiruar me epsh të pashtershëm; së dyti, do t’Ju copëtojnë trurin, atë tru të panginjur që, për aq kohë sa ishit gjallë e në pushtet, nuk la plan pa thurur e intrigë pa kurdisur për të përvetësuar çdo objekt të konvertueshëm në para, euro apo dollarë qofshin; së treti, do t’Ju shqyejnë gjuhën, atë gjuhë që, për aq kohë sa ishit gjallë e në pushtet, mashtroi turmat militante e mitingashe me fjalë paturpësisht hipokrite; së katërti, do t’Ju lënurin rropullitë e barkut që, për aq kohë sa ishit gjallë e në pushtet, ia zbrazët popullit mjeran në kokë; së pesti, do t’Jua çikëlojnë atë mikun midis shalëve që ia futët me ose pa vazelinë atyre të gjorëve, të cilët, për aq kohë sa Ju ishit gjallë e në pushtet, Ju besuan verbërisht dhe Ju lanë në krye të vendit duke shitur votën e shpirtin e tyre pa e ditur se “çdo figurë politike është priapike si përkufizim” (Daniel Pennac “Ditari i një trupi” Botimet Pegi, Tiranë, 2018, f. 174).

Së treti, më vjen keq, shumë keq, gjithsesi, që do të keni pashmangësisht një fund të tillë makabër, prandaj, që të vdisni të qetë, nxitoni, përmes një ligji apo një akti nënligjor, sidomos tani që keni shumicën superabsolute në Kuvend, të miratoni ndërtimin e një krematoriumi për djegien e kufomave të ardhshme në mos të të gjithë qytetarët shqiptarë, të paktën të atyre të racës Suaj “homo politicus”, në mënyrë që minjtë, krimbat e insektet të mos Ju shqyejnë, shkalafitin e shkarraveshin pa pikë mëshire. Duke u djegur plotësisht, kush e di, mund të keni fatin të rilindni nga hiri juaj si feniksi dhe, pse jo, të qeverisni përsëri… Vërtet, pse jo?”

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

9 − 1 =