Ujësjellësat ose oazet e punësimit të militantëve dhe "grabitjes së ligjit" - Arbëria News

Ujësjellësat ose oazet e punësimit të militantëve dhe “grabitjes së ligjit”

Aktualisht shteti shqiptar harxhon çdo vit me shumë se 10 milione euro si subvencion për 2/3 e shoqërive të Ujesjellës kanalizimeve të vendit, të cilat ngjajnë si vazhdim apo mbetje të harruara të socializmit në kapitalizëm.

Nga 3 litra ujë që hidhen në treg, vetëm 1 litër kthehet prapë në lekë në arkën e këtyre shoqërive, dmth 2 litrat e tjera humbasin në rrjetet e amortizuara, vidhen nga bizneset apo nuk paguhen nga institucionet publike dhe familjarët.

Në fakt, kjo ndodh kur uji teorikisht i pijshëm që leshohet në rrjet është pothuajse i papijshëm. “Sëmundjet si salmonela, diarreja dhe hepatiti janë ndër më të zakonshmet që kontaminojnë ujin”, shpjegojnë mjekët infeksioniste.

Në fakt, çmimi ujit ka njohur vetëm rritje ndërsa performanca e kompanive të ujit duke përfshirë edhe Tiranën, dmth faturimi dhe mbledhja e të ardhurave pothuajse ka ngecur në vend – gjatë 10 viteve të fundit sasia e ujit pa të ardhura (dmth e sasisë së leshuar në rrjet që as faturohet e as mblidhet në lekë) është ulur nga 67% në 65%…

Ndërkaq, një studim i fundit i Erobarometër i publikuar vetëm tre ditë më parë sqaron se “34 % e popullsisë në vështirësi për të paguar faturat e dritave e ujit”… Megjithë problemet në pastertinë dhe në cilesinë e ujit, mesatarisht çdo familje shqiptare furnizohet me ujë vetëm rreth 12 orë në ditë (dmth në 24 orë) nga 11,5 orë që ka qenë ky tregues dhjetë vjet më parë…

Çdo koment tjetër është i tepërt…

E gjithë kjo situatë tregon nevojën alarmante për reforma serioze në menaxhimin e ujësjellës-kanalizimeve dhe heqjen dorë nga propaganda boshe mbi “arritjet dhe fitorjet” në këtë sektor, duke filluar me shkurtimin e stafeve dhe vendosjen e një personeli të kualifikuar në drejtimin e tyre.

Nëse krahasohet ngarkesa në punë e punonjësve të shoqërive ujësjellës-kanalizimeve të vendit tonë me vendet fqinje, kjo ngarkesë është rreth 2 herë më e vogël, çka do të thotë se praktika e shtimit të stafeve të punës sepse konsiderohen shoqëri aksionere është berë modë, se këtu kanë gjetur strehë dhe militantë pa asnjë lidhje me sektorin, se vendosja e pagave të larta, bile edhe më të larta se pagat e drejtuesve të rëndësishëm në institucionet publike e kushtetuese përsëri mbi të njëjtin parim, është krejtesisht e gabuar dhe shërben si shkak për penalizimin dhe varfërimin e metejshëm dhe të padrejtë të familjeve shqiptare.

Së fundi, një vend i bekuar nga Perëndia si yni, “i mbytur” nga ujërat e brendshme dhe i lagur nga dy dete, nuk ka përse të vuajë për ujë dhe nuk ka asnjë argument që familjet shqiptare të rëndohen me pagimin me një çmim që njeh vetëm rritje të ujit të papijshëm për ujë të pijshëm…

“Ju do të bëheni një vend normal, kur të filloni të pini nga ujë nga rubineta…” – më tha një diplomate e huaj në shtëpine e saj, ndërsa kamarjerja na shërbente ujë në shishe plastike të mbushur kushedi se në cilin bodrum të Tiranës…

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

16 + two =