Unioni i Gazetarëve reagon kundër lajmit që u shndërrua në fake news - Arbëria News

Unioni i Gazetarëve reagon kundër lajmit që u shndërrua në fake news

Një intervistë e kryetarit të Unionit të Gazetarëve Aleksandër Çipa, dhënë për Zërin e Amerikës, është keqtransmetuar duke u kthyer në fake news. Portale të shumta kanë cituar në mënyrë të pasaktë Çipën, duke thënë se 45 gazetarë kanë kërkuar azil. Në intervistën për VOA, videon e së cilës mund ta shihni më poshtë, Çipa bëri me dije se 12 gazetarë kanë kërkuar azil ndërsa 34 të tjerë kanë emigruar për arsye të ndryshme. Sot Unioni i Gazetarëve ka reaguar duke u distancuar nga lajmi që u shndërrua në fake news. Më poshtë deklarata e plotë:

Saktësim për disa prej mediave që falsifikojnë dhe keqservirin disa të dhëna të publikuara në intervistën e kryetarit të UGSH-së, gazetarit Aleksandër Çipa.

Tiranë, më 5 shtator 2018

Në intervistën për “Zërin e Amerikës”, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, zoti Aleksandër Çipa, deklaron me zërin e tij për 12 kërkesa për azil në shtete të ndryshme të BE dhe për 34 gazetarë dhe punonjës mediash që emigrojnë dhe janë në procedurat për marrje shtetësie tjetër.

Nuk e kuptojmë se kush e ndryshon shifrën dhe e keqinterpreton atë?!!! UGSH është organizata që ka përgjegjësinë për çdo të dhënë që publikon dhe mban të dhëna periodike për situatën dhe gjendjen e komunitetit të gazetarëve në vend. Keqinterpretimet dhe ndryshimi i statistikave që nuk përkojnë me ato zyrtaret dhe aq më tepër me të dhëna të publikuara me zërin e përfaqësuesve të organizatës sonë, janë në mos dashakeqësi, interpretime për interesa politike apo qëllime të tjera që s’kanë të bëjnë aspak me UGSH.

Organizata jonë vazhdon të mbetet një strukturë aktive dhe në kurajo të përhershme për mbrojtjen e anëtarëve të saj dhe të komunitetit të gazetarëve në përgjithësi.

Zyra e shtypit

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

19 + 3 =