Sot, në ditën e parë të punës së vitit, ajo ka nisur punë në Ministri si Këshilltare. Edi Rama dhe Ardit Gjebrea, autor i Së Dielës Shqiptare, ku Eriglisa kishte dërguar një letër, e kanë shoqëruar në mjediset e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku është pritur nga ministrja Ogerta Manastirliu.

Eriglisa nuk e kishte nisur letrën te “Ka një mesazh për ty” për të kërkuar punë, por dhurata për fëmijët rom të kopshtit ku ajo punon. Mes shumë vështirësish vajza rome kishte arritur të studionte për mësuesi cikli i ulët, ndërsa i ati mblidhte kanaçe dhe e ëma në duart e saj të vogla ka mbledhur forcën për të çarë betonin e për të fituar pak para për familjen.

Eriglisa është kujdesur për fëmijët e familjes që kur ishte 6 vjeç, ka ndihmuar të atin në punën e tij, ndërkohë që ka vazhduar të studiojë megjithë mungesën e kushteve. Puna e përkushtuar në një organizatë të krishterë në Laç i siguroi një pagë të vogël  prej 50.000 lekësh të vjetra.

Edhe pse, fitoi të drejtën e studimit për Punë Sociale ajo nuk arriti të shkonte në këtë degë, por studioi për Mësuesi, cikli i ulët.

U mundua shumë gjatë gjithë kohës, por sot ka një vend pune ku mund të bëjë për më shumë njerëz atë që ka bërë gjithmonë, të ndihmojë. Historia e saj e bërë publike preku Kryeministrin, i cili i premtoi një vend pune në Ministri. Sot është dita e saj e parë në punën e re!