Veliaj: Bashkia e Tiranës do të krijojë shumë shpejt shkollën më të madhe në Ballkan - Arbëria News

Veliaj: Bashkia e Tiranës do të krijojë shumë shpejt shkollën më të madhe në Ballkan

Në kryeqytet u mbajt sot Forumi i parë Ekonomik i Tiranës ku aktorë vendimmarrës dhe të biznesit vendas e të huaj diskutuan mbi sfidat e zhvillimit ekonomik.

Në fjalën përshëndetëse, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se ky forum zhvillohet në një moment shumë të veçantë për Shqipërinë. Ai nënvizoi se Tirana ka potenciale për një zhvillim të qëndrueshëm të biznesit dhe se biznesi ka gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare për përmirësimin e klimës të të bërit biznes.

“Tirana është sot një nga qytetet më energjike edhe për faktin se mosha mesatare e qytetit tonë është rreth 27 vjeç; për të gjithë ju që doni të krijoni një kompani në qytetin tonë, krahu i punës është jo vetëm i përballueshëm, krahasuar me shumë vende anëtare të Bashkimit Europian, por paketa që kryeministri dhe qeveria shqiptare kanë ofruar për të bërë biznes është ndoshta një ndër më tërheqëset, jo vetëm për ata që marrin statusin e investitorit strategjik, por sigurisht edhe për ata që mund të fillojnë edhe një biznes të vogël, me një maksimum të taksave deri në 15%, ku shumë miq përtej Adriatikut në anën tjetër të pellgut shkojnë deri në 60% për të njëjtin biznes edhe për të njëjtën linjë prodhimi ose veprimtarie”, deklaroi Veliaj, teksa shtoi se qyteti ka pësuar një transformim edhe përsa i përket planit urbanistik.Falë investimeve në kryeqytet, një rëndësi gjithnjë e më të madhe po merr turizmi, ku numri i atyre që vizitojnë kryeqytetin është rritur me 25% krahasuar me vitin e fundit. “Jam shumë i lumtur që këto ditë, zinxhirët kryesorë të turizmit botëror si “Hyatt”, “Marriot” dhe “Hilton” ose kanë hapur ose po përgatiten për hapjen e qendrave të tyre të hotelerisë në Tiranë. Me një rritje të turizmit rreth 25% në vitin e fundit, krahasuar me një vit më parë, besoj se qyteti po përgatitet të jetë gjithnjë e më shumë një epiqendër ballkanike, jo vetëm e shqiptarosferës në Ballkan, por e gjithë rajonit për aktivitete të kësaj natyre”, deklaroi Veliaj.Bashkia e Tiranës do të krijojë shumë shpejt edhe shkollën më të madhe në Ballkan, sa i përket teknologjisë së informacionit, ku 5 mijë fëmijë mund të përgatiten për profesionet dhe sfidat e së ardhmes. “Po bashkëpunojmë me Fondin Shqiptaro-Amerikan që Piramidën ta kthejmë në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit në Ballkan, sipas modelit të TUMO Center. Ne planifikojmë 5 mijë të rinj çdo muaj që të jenë pjesë e këtyre kurseve sepse nëse nuk përgatitemi sot për një krah pune që mund të flasë këtë lloj gjuhe dhe të ketë këto lloj aftësish, atëherë sigurisht do të humbim edhe një gjeneratë tjetër që mundohet ende të qepë këpucë, të punojë në call center apo të prodhojë këmisha”, u shpreh Veliaj.

 

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

4 + twelve =