Vendimi, qeveria në sitë makinat dhe shoferët e institucioneve

Qeveria duket se ka vendosur të ulë numrin e makinave dhe shoferëve në dispozicion të ministrive dhe institucioneve të tjera shtetërore. Të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore brenda datës 15 janar duhet të dorëzojnë në Ministrinë e Financave të dhënat në nivel ministrie/institucioni qendror të pavarur për numrin aktual të mjeteve të transportit në dispozicion si dhe numrin e punonjësve në funksionin “shofer”, miratuar në strukturën organike aktuale.

Kjo vjen pas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave në fund të muajit dhjetor, i cili ngarkon Ministrinë e Financave që të iniciojë vendimin përkatës për përcaktimin e numrit të automjeteve dhe të shoferëve në dispozicion të ministrive dhe të institucioneve qendrore. Në vendimin e vitit 2009, qeveria e mëparshme e drejtuar nga Sali Berisha vendosi që numri i përgjithshëm i automjeteve, në dispozicion të çdo ministrie dhe institucioni qendror, të ishte 3 138, ndër të cilat 200 automjete për institucionet e pavarura dhe 2.938 copë të tjera për ministritë dhe institucionet në varësi të Këshillit të Ministrave. Numri i përgjithshëm i shoferëve, në dispozicion të çdo ministrie dhe institucioni qendror, u vendos të ishte 1 258 e ndarë, si më poshtë: Numri i përgjithshëm i shoferëve të institucioneve të pavarura, 148 copë; numri i përgjithshëm i shoferëve të ministrive dhe institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, 1 110 copë. Në numrin e automjeteve dhe shoferëve për Ministrinë e Mbrojtjes përfshihen vetëm automjetet dhe shoferët e aparatit të institucionit. Ky vendim nisi zbatimin që nga data 1 janar 2010.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

20 − fifteen =