Vetëm viktimat nuk kthehen dot më! - Arbëria News

Vetëm viktimat nuk kthehen dot më!

Nga Gëzim Basha

Mospërdorimi i dhunës policore kundër karnavalit të Agimit të Artë në Bularat, i dha pike serioziteti shtetit Shqiptar. Ata erdhën, bērtitën, ikën, Bularati mbeti aty ku ishte, një komunitet i shokuar nga gjithë ç’ndodhi dhjetë ditët e fundit.

Është koha ti kthejmë sytë nga vetja: racizmi i shprehur këto ditë është shokues, një valë injorance neveritëse, gati fashistoide, përmbyti median dhe tërë rjetet sociale ne Shqip. Politikanët treguan edhe njëherë sa shumë i meritojmë. Në vend të distancimit nga ekstremizmi, shumë prej tyre pane një mundësi te artë për të karrikuar bateritë e rëna.

Ish-Kryeministri Berisha, kritikoi mosnderhyrjen shtetërore në Bularat ku Agimi i Artë u ngjir pēr “Vorio Epirin,” por po të hedhë një sy në rjetet sociale–ai vetë apo çirakët e tij–do të shohe se disa përfaqësues të lartë të administratës së tij, drejtorë drejtorish në ministri, janë jo vetëm propogandistë të flaktë të “Vorio Epirit” por, sipas postimeve të tyre, edhe miq konfidencialë me Karathanon e Agimit të Artë!

Mediat manifestuan edhe njëherë një nivel tronditës të joprofesionalizmit me një mungesë totale të empathisë.

“I kudondodhuri,” Artan Hoxha, rrokullisej si gjyle bizanti nga një studio në tjetrën, duke e ulur debatin në nivele çmendurisht vulgar. Në ngjashmëri perfekte me steriotipin e njohur të zëdhënsit të mafjas, ai i di të gjitha; markën e jelekut antiplumb, numrin e kopsave të pantallonave, kalibrin e fishekëve…etj…etj…Një gjë nuk di, dhe ndoshta s’ka për ta mësuar kurrë, përpjekja për të qenë bindës shpesh të largon nga e vërteta.

“Avokat” Ngjela, politikan me vetëm një votë–votën e vet–kërkon të faktorizohet duke marë në duar flamurin e ultranacionalizmit. “Avokati” shitet si historian duke u (vet)katandisur ne një karakter komik. Për të s’ka fare Grekë por ca anadollakë që e mësuan Greqishtën si gjuhë të huaj !

I quan minoritarët Grekë nje grup prej 20 mijë “kolloqifosh” ardhacakë, pa droje se me këtë lloj retorike nxit përbuzjen dhe përçarjen sociale në vend. (Që një avokat të ketë këtë mungesë ndjeshmërie ndaj te drejtave të njeriut, ai duhet të jetë vetëm produkt i Fakultetit Juridik të UT-së, i cili në vitet 70-të të shekullit të shkuar nuk nxirte juriste por policë politikë.)

Shumica prej nesh u fiksuan pas ekstremizmit te Agimit te Arte apo MAVIT, duke harruar se ata jane vetëm nje grupim minor dhe jo populli zēmergjerë Grek. Por shumë prej nesh e kanë kujtesën fare të shkurtër. Harojmë se në vitin 1991, pas një lufte 45 vjeçare me mullinjtë e erës, në arkën e shtetit kishim vetëm 3 millionë e 700 mijë dollarë, dhe jetonim gjysëm të uritur në një gjëndje gati primitive. Nuk ka popull Europian që të pranojë brenda natës një valë emigrantësh te barabartë me 10% të popullsisë së tij. Greqia e bëri me ne në vitin 1991. Nëse Greqia do të mbyllte kufijtë e saj veriorë, ne do ti suleshim Italisë, dhe racistët e Marinës Italiane do të na mbytnin te gjithëve në Otranto.

Shqipëria nuk kërcënohet nga ardhja e Agimit te Arte, por nga ikja e Shqiptarëve të dëshpëruar. Agimi i Arte mbetet problem i brendshëm i Greqisë. Edhe në Amerikën demokratike, në mbi 25 shtete, akoma egzistojnë celula të KU-KLUS-KLANI-it të cilat ndonjëherë bëjnë mitingje minore. Pas mitingjeve të tyre kam parë njerëz me fshesë në dorë duke fshire simbolikisht sheshin.

Erdhën, bërtitën, ikën!

Vetëm viktimat nuk kthehen dot më!

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eleven − four =