Zbatimi i Vetting-ut, pritet zbardhja e vendimit nga Kushtetuesja

Ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i njohur si Vetting-u, pritet të nisë nga zbatimi sapo Gjykata Kushtetuese të zbardhë vendimin e saj të 22 dhjetorit, që rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për shfuqizimin e ligjit, duke e shpallur atë në përputhje me Kushtetutën.

Pritej që zbardhja e tij të bëhej në ditët e fundit të 2016-s, por më 28 dhjetor Kushtetuesja e shtyu me një javë vendimin e saj, duke parashikuar që brenda 5 janarit gjyqtarët kushtetues të shpallnin vendimin e shumëpritur.

Zbardhja e vendimit nga Kushtetuesja do të pasohet me botimin e tij në Fletore Zyrtare, nga ku më pas nisin dhe hapat e nevojshëm procedurialë për zbatimin e Vetting-ut. Dy janë kryesoret:e para është paraqitja e tre formularëve nga gjykatësit dhe prokurorët brenda një afat njëmujor. Ndërsa hapi i dytë është shpallja publike nga Presidenti për komisionerët e Komisionit te Kualifikimit, Kolegjin e Apelimit dhe për Komisionerin Publik.

Nëse Presidenti nuk vepron brenda 45 ditëve për këtë procedurë, atëherë futet në lojë Avokati i Popullit. Brenda 15 ditësh duhet të vijnë kandidaturat, nga dita kur Presidenti bën shpalljen publike. E gjithë kjo përfshi dhe procedurën e miratimit në Kuvend. Parashikohet qe i gjithë procesi i konstituimit të tre strukturave që do të bëjnë rivlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë të përfundojë brenda marsit. Ky proces do të mbikqyret edhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM).

Janë rreth 800 zyrtarë të sistemit të drejtësisë’, të të gjitha niveleve, që pritet të kalojne ‘testin’ e verifikimit të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.
Subjektet e para që do t’i nënshtrohen Vetting-ut janë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ata të Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm.

Ligji i Vettingut, që përbën dhe thelbin e reformës në drejtësi u miratua nga Kuvendi më 30 gusht, pa pëlqimin e opozitës së djathtë. Më 5 tetor ajo e ankimoi ligjin në Gjykatë Kushtetuese duke e konsideruar ‘antikushtetues’. Më 25 Tetor ajo vendosi pezullimin e ligjit dhe ju drejtua Komisionit të Venecias për të marrë një opinion. Në përgjigjen e këtij organi më 10 dhjetor theksohej se dispozitat e ligjit nuk shkelin nenet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe as nuk shfaqin probleme për çështjet e ngritura nga Gjykata shqiptare. Me 22 dhjetor Gjykata Kushtetuese me 6 vota kundër dhe 2 vota pro rrëzoi kërkesen e opozitës.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 × 3 =