Zgjidhja është ajo e Bashës

SAMI NEZA

Lulzim Basha tha sot pa shumë modesti se atë që çadra ka bërë për 76 ditë, nuk ia ka dalë as Grupi Parlamentar i opozitës në Parlament për rreth 4 vjet. Indirekt, në kushtet kur ka pak analizë rreth protestës dhe efekteve të saj, Basha është i detyruar ta bëjë vetë këtë analizë. Jo se nuk flitet për çadrën.

Në fakt, flitet shumë. Por se në diskurin e këtyre ditëve, rrallëherë konstatohet ndryshimi që ka sjellë çadra në perceptimin për zgjedhjet, reformimin e politikës , oksidimin e Edi Ramës dhe kalimin e dialogut nga mjetet te parimet.

Lulzim Basha sot ka një bilanc të ngjeshur përmes një proteste në shumicën e kohës modeste, por ta pandalshme.

Së pari ka dobësuar Edi Ramën deri në atë pikë sa e ka nisur drejt rënies. Qeveria e tij nuk ka më shkëlqimin e para pak muajve. As kurimi i përditshëm dhe me kosto të madhe nuk ia fsheh dot zbehjen deri në frymën e fundit. Edi Rama nuk është më arroganti që çan përpara, por arroganti që tërhiqet pas. Pas deklaratës për Kavajën, grafiku i tij ka nisur rënien. Ai nuk do të ndalet në tërheqje. Qeveria nuk mund të bëjë më zgjedhje pa opozitën. Por ky është kufizim i vogël. Ai nuk mund të qeverisë me këtë opozitë përballë. Mund të vonojë në rënien e tij, por është i sigurt drejt saj. Rama ka nisë të mbyllë ciklin e tij 20- vjeçar.

Së dyti ka ringjallur PD-në, qoftë përmes strukturave të vjetra, qoftë përmes atyre të reja. Duke e mbledhur në çadër ditë për ditë, skuadër pas skuadre, ai ka injektuar te të gjithë mbështetësit e të djathtës shpresën për pushtet. Ai e zotëron 6 ditë çadrën dhe vetëm një ditë ia ka lënë në dispozicion “republikës së vjetër” të partisë së tij, duke akumuluar shumë vëmendje dhe mbështetje te vetja, duke shtuar përgjegjësinë te kryetari i partisë, por ndërkohë duke ngjizur profilin e politikanit të linjës së parë fillimisht te mbështetësit e tij dhe më pas, në sytë e shqiptarëve. Sot PD ka mjaftueshëm entuziazëm që të përforcojë strukturat e saj. Njerëzit që kanë qëndruar në çadër janë furnizuar ndërkohë edhe me oksigjenin e nevojshëm për të ringjallur qelizat e lodhura prej pushtetit 8-vjeçar të PD-së dhe të mpira nga bashkë- jetesa me ato të LSI-së në vitin 2011. Basha ndërkohë zotëron strukturat dhe partinë duke qenë në gjendje të përballojë edhe testet që i vijnë nga figurat e njohura të partisë së tij. Sot ai ka më shumë peshë në
PD, ka më shumë përkrahës dhe ndikim brenda bazës së partisë, por qarkullon edhe te pjesa tjetër e qytetit.

Së treti ka njohur dhe bindur të gjithë shqiptarët për Fermën e Kanabisit. Ka njohur dhe ka bindur edhe të gjithë ndërkombëtarët për krimin që u konsumua dy vite rresht nën qeverisjen e Edi Ramës, pa iu prekur një qime floku secilit prej atyre që u përfshinë në kultivimin dhe tregtimin e kanabisit. Ia ka dalë të përballojë analizat e shumë diplomatëve në Tiranë që nuk përmendin krimin më të madh shtetëror në 25 vitet e fundit, përmes artikulimeve në çadër dhe më pas axhendës së ngjeshur ndërkombëtare.

Së katërti, ka shkarkuar 4 ministra dhe nëse do të pranonte edhe propozimin McAllister bëheshin 8 ministra apo më shumë se gjysmën e qeverisë, në ministritë kryesore. Manekinët e ministrave që u dogjën në protestë, u dogjën edhe në dekretet e shkarkimit vetëm pak javë më pas. Detyroi qeverinë të ndalej në vendimin e saj për të zhvilluar zgjedhje pa opozitën në Kavajë, që është edhe arritja më e madhe.

Sot, një ditë pas rënies së Kavajës, nuk jemi në gjendje të themi se çfarë do të ndodhë nesër. Basha na ka futur edhe në një zonë surprizash, vështirë të parashikueshme.

Duke hequr qafe rregulla që kërkojnë kërkesa proporcionale, të tilla si në dialog lëshohet, po e bën rregull të ri për politikën shqiptare që e mesmja nuk është zgjidhja. Po atëherë cila është. Nëse Basha ia del deri në fund, kurdoqoftë, atëherë zgjidhja është ajo e Bashës.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

three × two =