Zhurma "Caka" dhe tri përplasjet e sotme. - Arbëria News

Zhurma “Caka” dhe tri përplasjet e sotme.

Grid Rroji

Propaganda e Parisë së Tiranës në unison me eunukët e vet mediatikë ka vendosur këto ditë në qendër të vëmendjes, si dikur filmin ” Çështja Sabiel”, emërimin e Genti Cakës si ministër i Jashtëm. Nuk ka dyshim se emërimi është i paduhur, jo për shkak se Caka është nga Shqipëria Veriore, por sepse të paduhura kanë qenë dhe janë pothuaj të gjitha emërimet e Parisë në krye të diplomacisë në këto 30 vjet.Një shtet i kapur, jo sovran dhe me Pari antikombëtare e kriminale që e ka shitur vendin tek Sindikata Ndërkombëtare e Krimit nuk mundet të ketë autonomi zgjedhjesh.

Mirëpo luftërrena e madhe shfaqet me forma të ndryshme. Njëherë Caka është i diskutueshëm si “kosovar”, herë tjetër si Thaçist ish Vetëvendosës, herë tjetër si shkelje institucionale që rrezikon sigurinë kombëtare e ndonjëherë tjetër si antikombëtar që do shesë Kosovën. Po të ishte gjallë gjyshja ime e ngratë do thoshte “ani kush, deksha nkos”.

Të gjitha sa më sipër kanë të paktën grimca të vërtete brenda, por nuk janë arsyeja e përplasjes mes kobrave të Parisë, por sebepi. Nuk janë shkaku sepse të gjithë këta që shtiren se po kapen si kobrat në një tryeze me kocka e pak mish, por edhe edhe eunukët e tyre mediatikë që zuzuzojnë si grenxa të trembura, e kanë shitur, e shesin dhe janë gati t’a shesin në çdo kohë interesin kombëtar. Marrëveshja e tyre është mbi pasurimin e menjëhershëm me anë të kontrollit të shtetit, duke e dobësuar atë në maksimum, qoftë edhe duke u shitur tek sindikata ndërkombëtare e krimit.

Këta janë shitur vetë tek të huajt, kanë shitur Kosovën dhe bashkimin kombëtar haptazi në emër të globalizimit integrues, këta janë shumica anti shqiptarë e në rastin më të mirë shqiptarurrejtës. Me një fjalë, me veprimet e tyre këta kanë dëshmuar se janë jashtëqitja e kombit, të gjithë bashkë e pa asnjë dallim.

Tri janë përplasjet që në gjykimin tim Paria përpiqet të fshehë me teatrin absurd Caka.

1) ka një përplasje të qartë mes Parisë dhe tutorëve të tyre ndërkombëtarë mbi kontrollin e shtetit prej nga buron pushteti. Edi Rama u përzgjodh si ndërmjetës i shitshëm tek të huajt, por krijoi sektin e vet dhe tanimë dora e vjetër e konsideron ose si rrezik ose të pafuqishëm për të kryer misionin që i kishin vendosur për të cilin e mbështetën. Dhe kjo shkakton pasiguri tek të gjithë.

2) si rrjedhojë, përplasja midis bandave të pushtetit dhe opozitës është bërë shumë e ashpër sepse nuk ka më që të vjedhin të gjithë. Ka një përplasje brenda PSsë por të gjithë janë thërrmijuar nën pushtetin e bandave lokale. E megjithatë, ata e dinë se janë bashkë dhe shumëçka nga përplasja është sa për konsum publik. Ata ose mbijetojnë bashkë, ose fundosen bashkë. Por siç pritej, nuk kanë ndërmend të ikin pa djegur gjithçka sipas parimit “après moi le déluge”, shqip pas meje ndodhtë qameti. Shembullin e ka dhënë 97a.

3) Por, përplasja të cilës i druhen më fort është ajo me shqiptarët për shkak se ajo i le lakuriq. Populli e ka kuptuar se këta janë njësoj, ruajnë njëri tjetrin dhe çdobreformë e supozuar ka përfunduar në makijazh për fytyrën e tyre të llangosur. Ata vetë bashkë me eunukët e vet të cilë e ndjejnë erën e llumit nga larg, kanë filluar të përdorin retorikë tjetër. Askush nuk flet më për integrim, por për interesa kombëtare. Në 2016 kur ju rrezikua kontrolli ideologjik hoqën flamujt partiakë dhe u zgjuan kuqezi. Sot flasin për Parinë, një koncept që askush nuk donte t’a pranonte e jo më t’a përdorte në publik edhe pse privatisht të thonin se ke të drejtë. Ndaj dhe protesta e studentëve, politike por jo partiake, i shqetëson. Këta kanë injoruar apo kooptuar derimësot çdo përpjekje për zgjidhje normale, por sot pobshohin se nuk ju pinë më ujë mjetet e vjetra. Studentët i refuzuan, sot dëbuan edhe opozitën, e po vjen koha që mesazhi i tyre të piqet e përparojë. Edhe nëse i devijojnë këtë herë, fara është mbjellë e s’shkulet dot më. Dhe kjo i frikëson më tepër se çdo gjë sepse e dinë se historikisht ne shqiptarët nuk ua kemi përtuar parive kur ka ardhur vakti.

Për të gjitha arsyet e mësipërme gjykoj se afera Caka është thjesht një flluskë propagandistike e cila do kalojë në një mënyrë a tjetër. Përplasja është më e thellë dhe si pasojë shumë më e rrezikshme për ne shqiptarët.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

twelve − 8 =