Zona Sheq e Fierit vend depozitimi i mbetjeve, ankohen banorët - Arbëria News

Zona Sheq e Fierit vend depozitimi i mbetjeve, ankohen banorët

Vërri, banorët të vendosur kundër ndërtimit të inceneratorit
Venddepozitimi i mbetjeve në zonën Sheq të Fierit e ka tejkaluar prej vitesh kapacitetin e saj, por edhe pse konsiderohet i mbyllur nga Bashkia e Fierit sërish aty hidhen mbetje urbane. Duke parë situatën e vështirë me menaxhimin e mbetjeve, bashkia ka kërkuar një vend të ri për grumbullimin e mbetjeve.
Nevojën e një venddepozitimi të ri për mbetjet e Fierit e shprehin së pari banorët që jetojnë dhe përballen çdo ditë me erën e keqe të tyre.
“Aroma e plehrave ndihet më shumë në verë”, ankohet Qamil Faslliu, një prej romëve të shumtë që punon tek fusha e plehrave. “Kjo aromë ndihet deri në Vajkan. Po s’kemi ku të shkojmë. Edhe banorëve të Sheqit aroma e keqe u është bërë mik shtëpie”, thotë me ironi 56 vjeçari.
Edhe Halime Berisha, një banore e zonës rreth të 60 -ve, kur e pyet se sa e shqetësojnë aromat e pakëndshme të plehrave të thotë duke qeshur: “Ç’e pyet?! Mbyllim dritaret, në verë nuk rrihet fare. Tani është më ndryshe, se kur i digjnin, detyroheshim të iknim me ditë nga shtëpia.”
Emergjenca mjedisore
“Në korrik 2015 Kryetari i Bashkisë i paraqiti Këshillit Bashkiak kërkesën për zhvendosjen e venddepozitimit ekzistues të mbetjeve dhe financimin e një venddepozitimi të ri për menaxhimin e tyre. Arsyeja ishte se venddepozitimi aktual është i tejmbushur dhe jashtë çdo kushti teknik dhe mjedisor”, thotë Aketa Lugaj, anëtare e Këshillit Bashkiak.
Në tetor 2015 u shpall emergjenca mjedisore dhe projekt-plani vendor për depozitimin dhe menaxhimin e mbetjeve fillimisht përzgjodhi fshatin Mbyet e më pas në shkurt 2016 ky vend u ndryshua sërish për të caktuar fshatin Plyk në njësinë administrative Portëz.
“Pas protestave të banorëve të Portëzës për ndërtimin e impiantit me diegie në zonen e tyre, bashkia tërhiqet nga vendimi dhe propozon njëvenddepozitim tjetër, – vazhdon të tregojë Lugaj, – në Mbrostar dhe më pas në Kallm e në Vërri.”
Pasi vendimi u bë publik në media pati reagim të fortë nga banorët e Vërrisë kundër ndërtimit të inceneratorit në fshatin e tyre. Protestat e zgjatura bënë të mundur që bashkia dhe qeveria të terhiqen, ashtu si edhe mjetet e rënda të kompanisë që do të nisnin ndërtimin e impiantit.
Në prag të zgjedhjeve 2017 Rama u premtoi banorëve se nuk do të ndërtohej impianti pa marrë miratimin e tyre. Ky është edhe kusht kryesor per ngritjen e impianteve të tilla të rrezikshme për shëndetin dhe jetën: – duhet të bien dakord banorët e zonës.
Po përtej gjithë polemikave dhe dëgjesash boshe publike, në një kohë kur çdo gjë është vendosur tashmë, kundër qëndrojnë banorët e një fshati të tërë, të cilët vuajnë edhe sot e kësaj dite një mungesë të theksuar investimesh në infrastrukturë dhe papunësinë e tejskajshme.
Çfarë ndodh në Vërri?
Na u desh të shkonim dhe të shihnin se ç’bëhej në të vërtetë dhe si e kishin pritur lajmin që inceneratori do të ndërtohej në fshatin e tyre. Pyetëm se ku ndodhej vendi i caktuar për ndërtimin e tij dhe na thanë se është diku në të dalë të fshatit.
Ecëm një copë rrugë në këmbë dhe aty duket sikur mbin nga dheu një djalë me motor, i cili na ndihmon për të shkuar atje.
Rrugës ai na tregon fusha të tëra të mbjella me presh, me grurë e toka të tjera që prisnin të mbilleshin me misër, me shalqinj e pjepër. “Ja shiko të gjitha këto fusha do të mbeten të djerra kur të ndërtohet landfilli. Pastaj ai tregon historinë e të vëllait që kishte pësuar një aksident dhe kishte ndenjuar disa muaj në koma. “ Në Napoli, – më ka thënë vëllai, – sa punonte inceneratori nuk shikohej dielli dhe as nuk mbusheshin dot njerëzit me frymë.”
E njëjta gjë do të ndodhë edhe këtu me ne. Me keqardhje djali me motor në fund na thotë: “Këtu pastaj do të bëhen vetëm lule dhe lulet janë ose për dasma ose për vdekje, pra supozohet që edhe ne do të vdesim nga helmet e lëshuara nga landfilli. Ai mund të ndërtohej në një tokë të izoluar dhe të djerrë, jo këtu, jo në Myzeqe. Dihet nga të gjithë që Myzeqeja është hambari i Shqipërisë.”
Por pse u zgjodh Vërria? “E përzgjodhën Vërrinë se kjo tokë është shtetërore dhe duan që paratë me të cilat supozohet që të blihej toka duan t’i fusin në xhepa.”
Në fund pasi arrijmë tek vendi ku ishin mbledhur edhe shumë banorë të tjerë të fshatit, ai pranon të identifikohet dhe thotë se nuk ka frikë të thotë emrin, ai quhej Klodi Golemi.
Një djalosh rreth të 30 -ve, i cili mban në dorë ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, afrohet dhe tregon nenet dhe të drejtat e shkelura. Sipas tij janë shkelur e drejta e aprovimit të komunitetit për ndërtimin e veprave që përbëjnë rrezikshmëri të lartë publike, largësia e caktuar me ligj e cila nga minimumi në 1500 metra është reduktuar në 700.
“Në të njëjtën kohë ndikimi në mjedis është shumë negativ ai do të helmojë ujrat nëntoksore, kafshët e bimët pa llogaritur pasojat në shëndetin e njerëzve. Një tjetër shkelje është edhe përzgjedhja e ndërtimit të inceneratorit në një tokë të kategorisë së parë, kur në ligj thuhet se vepra të tilla ndërtohen në toka të kategorisë së pestë”, na thotë djali që kish frikë të identifikohej.
Për të marrë edhe një këndvështrim ndryshe pyesim një polic i cili nuk pranon të prononcohet duke thënë se ka të tjerë mbi të që duhet të shprehen dhe jo ai.
Artur Selimi, shef i policisë në komisariatin e Fierit në një përballje me disa prej protestuesve thotë: “Unë jam këtu për të zbatuar ligjin.”Pasi nxjerr disa letra të kapura me një kapse metalike vazhdon: “Ja kjo është leja e firmosur nga Kryeministri i Shqipërisë. Shkoni ankohuni në gjykatë nëse mendoni se iu është bërë një padrejtësi.”
E kemi bërë, – thonë njëzëri disa prej protestuesve. “E keni bërë po atëherë nuk kishte asnjë leje për fillimin e punimeve dhe ankesa juaj nuk ka asnjë vlerë juridike, – replikon shefi i policisë me banorët e irrituar, – duhet të ankoheni tani që ka një leje të vulosur dhe të firmosur.”
Në protestë kishte edhe gra. Më trimëresha ndër to ishte Lena Tashi. Ajo debatoi pa iu dridhur qerpiku me shefin e policisë. Ajo pranon të flasë dhe si fillim na thotë se nuk ka frikë të identifikohet pasi është në të drejtën e saj.
Lena ankohet se kryetari i kish pritur, iu kish premtuar dhe i kish gënjyer. “Na priti 12 veta nga fshati dhe na gënjeu. I hoqi makinat vetëm sa të hanim rehat Vitin e Ri dhe më pas i kthye prap. Edhe Adelina na gënjeu: “Rrini të qetë edhe sikur të doni nuk do të ndërtojmë këtu landfillin.” Ajo e ka fjalën për deputeten e zonës zj, Adelina Ristën.
“Le të vijë vetë Edi këtu tek e të na thotë se ku e ka premtimin e dhënë, apo pritën sa na i morën votat dhe na gënjyen. Po ne këtu do të rrimë natë e ditë, le të na shtypin me rula e me makina dhe nuk do lëvizim. Le të vdesim, të paktën do të shpëtojmë fëmijët tanë”, – shprehet mjaft e irrituar Lena.
Banorë të tjerë na afrohen, duan të flasin e të tregojnë të vërtetat e tyre. “Kemi nënshkruar një peticion me 2500 firma për të mos u ndërtuar landfilli në fshatin tonë po askush nuk na ka dëgjuar. Unë jam i papunë, ushqehem vetëm me një lopë por nuk e dua landfillin edhe pse mund të hapi vende pune, nuk dua të helmohem”, thotë Vladimir Bita.
Pastaj ai tregon për ata të bashkisë që vijnë shpesh në fshat për t’i joshur se do hapen vende pune apo edhe për civilët nga policia që vinin për t’i frikësuar. Vladimiri duket tejet i stresuar dhe kërcënon se po u ndërtua landfilli do t’i vënë flakën fshatit dhe do të ikin prej tij.
Një tjetër banor na u afrua i revoltuar. “Unë jam krimineli më i madh i fshatit. Shkruaje këtë që po të them”, lutet Dhimitraq Jani. Por teksa ai largohet dhe i bashkohet turmës afrohet një burrë i cili shpjegon dhe arsyen e kësaj shakaje. “Ai thotë kështu se e proceduan penalisht dhe e futën brenda vetëm e vetëm se protestoi para bashkisë.” Të tjerë e konfirmojnë këtë gjë duke na treguar se kanë proceduar penalisht shumë prej protestuesve.
I lamë banorët duke protestuar dhe duke u përleshur me forcat e policisë, të cilat mundohen të hapin rrugën e zënë nga një turmë prej rreth 100 banorësh, për t’i mundësuar makinerive fillimin e punës. Nga larg dëgjoheshin thirrjet e tumës: “Jo plehrat në Vërri!” dhe “Turp, turp!”, por edhe një thirrje edhe më e fortë se këto të dyja: “Hajde na vrisni po të doni!”.
Pro dhe kundta ndërtimit të inceneratorit
Në një dëgjesë publike të organizuar të enjten e kaluar nga një OJF “Open Doors” koordinatorja e Forumit Qytetar të Fierit Lindita Hoxha, u shpreh se “impianti i përpunimit të mbetjeve i duhet shumë qytetit, pasi era e fortë e tyre kur ato i digjnin gjatë verës e sidomos gjatë natës nuk durohet”.
Ajo tha gjithashtu se landfilli duhet të ndërtohet në një tokë e cila është e izoluar dhe e degraduar dhe që nuk mund të prodhojë më asnjë produkt bujqësor si dhe sa më larg qëndrave të banimit. Sipas Hoxhës ky impiant duhet të jetë i një teknologjie moderne dhe duhet të plotësojë të gjitha parametrat bashkëkohor.
Pro këtij projekti është edhe Agim Hajdari, eksperti i mjedisit, i cili ka kryer një studim të mirëfillët për këtë impiant mjedisor. Ai shprehet qartë se landfillli është i pashmangshëm pasi Fieri e ka mëse të nevojshme një të tillë. Por ai shkon edhe më tej kur thotë: “Unë jam për ndërtimin e një inceneratori, sepse projekti që kam pare i përmbush të gjitha parametrat bashkëkohorë. Të thuash se nuk na duhet një impiant përpunimi plehrash është njësoj sikur të thuash se nuk na duhet një makinë për të udhëtuar. Koha e kërkon pasjen e një makine si mjet transporti, ashtu siç është bërë e domosdoshme për Fierin pasja e një incineratori, nëse keni dyshime për rrezikun që mund të shkaktoj ai, atëherë zgjidhni teknologjinë më të mirë. Edhe njerëzit zgjedhin makinën më të mirë si mjet transporti për veten e tyre, është e njëjta gjë edhe me inceneratorin.”
“Qëndrimi i opozitës në Këshillin Bshkiak ka qenë kundër inceneratorit”, – thotë anëtarja e Këshillit Bashkiak Alketa Lugaj kur pyetet se çfarë e ndan pozitën nga opozita përsa i përket vendimmarrjes. “Të gjitha informacionet e specialistëve dëshmojnë për rrezikun që paraqesin gazrat që çlirohen nga djegia e mbetjeve. Shumë vende të zhvilluara të Evropës i kanë nxjerrë nga perdorimi inceneratorët”, vazhdon ajo.
“Si ka mundësi që firma fituese u shpall 15 ditë para zhvillimit të tenderit?” – pyet Emiljano Mone, një tjetër anëtar i Këshillit Bashkiak. “Nuk mund të lidhet një kontratë mes një firme ndërtimi dhe qeverisë pa pjesëmarrjen e bashkisë. Ose dhe më keq akoma si mund të fillojnë punimet pa pasur një leje ndërtimi dhe një vlerësim mjedisor”, vazhdon më tej ai.
Mone përmend edhe mungesën e transparencës nga ana e bashkisë në marrjen e vendimit për përzgjedhjen e një vendi tjetër për depozitimin e plehrave pa marrë më parë aprovimin e banorëve.
Përfaqësuesja e shtypit pranë bashkisë Fier, Irma Hoxha na thotë se “nuk mund të fajësohet bashkia për mosdhënie informacioni pasi ajo nuk e ka një të tillë. Lidhur me vendimin për vendin se ku do të depozitohen mbetjet e bashkisë Fier, bashkisë i erdhën 6 vende të quajtura si të përshtatshme nga ekspertët e mjedisit dhe prej tyre u përzgjodh fshati Vërri në qendrën admistrative Mbrostar. Bashkia Fier nuk ka asnjë informacion në lidhje me projektin, pasi kontratën e ndjek Ministria e Mjedisit. E gjithë kontrata dhe vazhdimi i çdo veprimi ndiqet nga Ministria e Mjedisit dhe këtu nuk ka asnjë lloj informacioni”, e mbyll prononcimin e saj Hoxha.
“Ne vendosëm pasi dëgjuam specialistët për studimin e mundësisë së realizimit për zonat e propozuara. Tre prej tyre u skualifikuan nga vetë ata dhe zgjodhëm zonën e Vërrisë si më e përshtatshmja. Ne nuk votuam duke marrë parasysh mendimin e banorëve pasi, jam e bindur që asnjë prej komuniteteve nuk do pranonte që impianti të ndërtohej tek fshati i tyre. Problem është edhe politizimi i kësaj çështjeje nga opozita”, thotë Evis Sema, kryetarja e Këshillit Bashkiak.
“Të gjithë e duam landfilldin, – thotë Lindita kur e pyet për rreziqet e këtij impianti, – po puna është se ku venë mbetjet e mbetjeve?”
Ajo shtron edhe problemin e ndotjes së ajrit nga djegia e mbetjeve si në rastin e inceneratorit të Elbasanit. “Më tej, – vazhdon ajo, – zona e Vërrisë është tokë ujëmbajtëse. Unë e njoh mirë atë zonë dhe e di se aty ka shtresa uji në një thellësi prej vetëm 6 metrash. Kush të siguron se nuk sjellin një teknologji të përdorur apo të vjetëruar.”
“Inceneratori është një praktikë e përdorur gjerësisht në Evropë. Për më tej prej djegies së mbetjeve mund të prodhohet edhe energji elektrike. Landfilli ku do të depozitohen mbetjet të cilat nuk mund të digjen ka 5 shtresa që e minimizojnë deri në maksimum mundësinë e rrjedhjes së lëngjeve të ndryshme të mbetjeve të dekompozuara. Edhe ndotja e ajrit është parashikuar të parandalohet nga vendosja e filtrave të fuqishëm që përthithin gazrat e emetuar nga procesi i djegies deri në masën 98%”, thotë eksperti i mjedisit Agim Hajdari.
Ana ekonomike e projektit u mbrojt nga Greta Grëmi, e cila kishte kryer një studim të hollësishëm për leverdinë ekonomike të impiantit të mbetjeve. Sipas saj nga ana ekonomike incineratori është tejet fitimprurës. Ajo thotë se në këtë impiant do të përpunohen 180 ton mbetje në ditë ose 70.000 ton në vit. “Parashikohet që të hapen 114 vende pune ku do punësohen banorë të zonës dhe në perspektivë ky numër edhe mund të rritet në varësi të sasisë së plehrave të përpunuara”, informoi Grëmi.
“Periudha e shfrytëzimit të impiantit, – shton Greta, – është për një periudhë 6 vjeçare, prej së cilës 2 vjet i përkasin ndërtimit të tij. Më pas pronësia e tij do t’i kalojë bashkisë. Të ardhurat e këtij aktiviteti do të gjenerohen nga shitja e energjisë elektrike që do të prodhohet nga incineratori dhe shitja e skrapit. Ndërsa bashkia do të vjelë taksat nga aktiviteti që do të ushtrojëfirma në fjalë.”

Arbëria News

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

2 × three =