10 porositë e veçanta të Zotit, për burrat e gratë shqiptare - Arbëria News

10 porositë e veçanta të Zotit, për burrat e gratë shqiptare

 

Nga Mustafa Nano*

Zoti, kur u takua me Moisiun në majë të malit të Sinait, i dha atij, madje të shkruara në dy rrasa guri, dhjetë komandamente, prej të cilave izraelitët duhet të udhëhiqeshin në jetën e tyre. Këtë e dimë tanimë të gjithë.

Ajo që nuk dihet është që ekzistojnë edhe dhjetë komandamente të veçanta për shqiptarët. Janë zbuluar kohët e fundit. Dhe janë komandamente të shkruara në gjuhën shqipe.

Cilat janë ato?

1. Unë jam Zoti. Mos e shani vendin tuaj. Mos i përdorni shprehjet “Ky vend është i mallkuar” apo “Ky vend nuk bëhet”. Kush i përdor do të përfundojë në ferrin e përjetshëm.

2. Bëhuni si gjithë bota e qytetëruar. Qoftë edhe duke e imituar atë. Dhe fillojeni me gjërat më të thjeshta. Nuk thuhet “jo” kështu. “Jo” thuhet kështu.

3. Mblidhuni toskë e mblidhuni gegë/mblidhuni bashkë si kokrrat n’shegë.

4. Mos u krenoni me njerëz me gjak shqiptari që janë bërë të mëdhenj jashtë vendit, apo në shërbim të mbretërive a perandorive të huaja. Janë arritje që nuk ju përkasin.

5. Mos i lejoni të paditurit të përzihen në punë që s’u përkasin. Dhe mbrojini të diturit prej tyre.

6. Hej gra të Shqipërisë (ky komandament është vetëm për gratë, e çuditshme): Trupi juaj është trupi juaj. Mbi të nuk kanë të drejta burrat e familjes. Dhe asnjë burrë tjetër.

7. Mos shikoni kisha e xhamija/feja e shqiptarit është shqiptaria. Dhe meqënëse jemi këtu, e keqja e shqiptarëve nuk është që janë të pafé, por që kanë shumë fé.

8. (Tani është hera e një komandamenti që ka të bëjë vetëm me këtë situatë që po jetojmë: e çuditshme edhe kjo) Mos ua vini veshin atyre që bëjnë thirrje për përplasje civile në datën 30 qershor. Janë më të marrët që ekzistojnë mes jush.

9. Mos e merrni trimërinë për një virtut. Dhe nëse e bëni këtë, mos merrni për trimëri guximin e një horri. Merrni për trimëri guximin e dikujt për të shprehur ca ide të vetat, të cilat ai e di që nuk do të kuptohen prej gjindjes.

10. Dielli lind andej nga perëndon.

*Monologu i gazetarit në emisionin e tij në ABC News, “Provokacija”

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

2 + 20 =