AktualitetNga vjeshta, rruga Tiranë – Durrës bëhet me pagesë - Arbëria News

AktualitetNga vjeshta, rruga Tiranë – Durrës bëhet me pagesë

Brenda vjeshtës së këtij viti, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë planifikon nënshkrimin e kontratës koncesionare për autostradën Tiranë – Durrës, ku ndër të tjera synohet që kalimi për automjetet të bëhet me pagesë. Ministrja Belinda Balluku thotë se projekti për këtë aks u është dorëzuar investitorëve, ndërsa pritet shprehja e interesit nga ana e tyre.

Projekti

“Unë kohët e fundit kam pasur kontakte me shumë investitorë të huaj. Ministria ka përgatitur fushat e veçanta për çdo projekt për të gjetur partneritetin e duhur, qoftë edhe nga pikëpamja e eksperiencave që investitorët e huaj kanë, por edhe nga pikëpamja e interesit të zhvillimit që ato kanë në vendin tonë. Kështu që rruga Tiranë – Durrës është dorëzuar në duart e disa investitorëve të huaj që kanë treguar interes, pasi ai është aksi kryesor që lidh kryeqytetin me portin tonë ndërkombëtar. Ashtu sikurse dihet, ajo autostradë prek zonën industriale të Shqipërisë dhe jo vetëm Tiranën apo Durrësin. Kështu që besoj edhe interesi nga ana e investitorëve, shumë shpejt do të jetë i shprehur. Ndaj mendojmë që të gjitha këto projekte, vjeshta do t’i gjejë në kohën e nënshkrimit të kontratave dhe të realizimit të tyre”, tha ministrja për “Tv Scan”.

Alternativa

Megjithatë, Balluku sqaron se të gjitha projektet e rrugëve që synohen të jenë me pagesë, do të kenë edhe alternativën e tyre, që mund të aksesohet falas. “Të gjitha rrugët që do të konsiderohen të futen në një koncesion me pagesë do të jenë rrugë që kanë alternativën e tyre. Kjo do të thotë që qytetarët mund të përdorin rrugën alternative, pa pagesë. Gjithashtu, ajo çfarë ne synojmë në projektet tona për rrugët me pagesë është që ndërtuesi apo investitori duhet të marrë përsipër dhe rehabilitimin e rrugëve ekzistuese. Ky është një element i ri që ne po mundohemi të futim në kontratat e reja dhe që normalisht do të ishte në favor të qytetarëve dhe të shtetit shqiptar, sigurisht”, tha Balluku. Kjo kërkesë vjen pas problematikës së shkaktuar me autostradën Milot – Morinë, ku aktualisht nuk ka asnjë rrugë alternative, ndërkohë që banorët e Kukësit janë të detyruara të paguajnë, ndonëse aplikohen tarifa të reduktuara.

Programi i qeverisë, rrugët që pritet të bëhen me pagesë

Një vit më parë, kalimi në Rrugën e Kombit u bë me pagesë. Asokohe kryeministri Edi Rama njoftoi gjithashtu se në programin e qeverisë parashikohet që kalimi edhe në disa rrugë të tjera të bëhet me pagesë. “Kemi mundësinë për të filluar me projektin Kashar – Rrogozhinë -Vlorë, në mënyrë që lidhja të bëhet direkte dhe aty do të synojmë një tjetër skemë. Pra kemi skemat e PPP-së, këtu do të kemi skemën e buxhetit dhe aty do të kemi skemën e pagesës. Pra, me një rrugë me pagesë që ti mund të vish nga Tirana në Vlorë. Kush do të paguajë, paguan, kush s’do të paguajë kalon vazhdon jetën siç bën sot. Asokohe Rama foli edhe për kantieret e hapura në të gjithë vendin. “Kemi katër kantiere shumë të mëdha për Shqipërinë që do të hapen, kantieri i Rrugës së Arbrit, i aksit Milot – Balldren, kantieri Thumanë – Kashar, kantieri i Ujit të Ftohtë deri në tunelin e Llogorasë që është pjesë e projektit. Këto janë kantiere me programin e Partneritetit Publik Privat. Por kemi edhe Delvinë – Kardhiq, që do të shkurtojë kohën dhe kantierin tjetër te Shqiponja në Tirane”/ Gazeta Liberale/

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

sixteen − 5 =