Albin Kurti, shpresë apo ankth për Kosovën? - Arbëria News

Albin Kurti, shpresë apo ankth për Kosovën?

Ervis Iljazaj

Albin Kurti është lideri tipik populist, i cili luan me emocionet popullore për të mbledhur rreth tij pakënaqësitë që normalisht ekzistojnë ndaj qeverisë dhe politikanëve, aq më tepër kur këta të fundit kanë një kohë të gjatë në pushtet. E gjithë figura e tij politike është ndërtuar rreth një filozofie denoncimi, rebelimi , apo akuzash pothuajse revolucionare. Gjë e cila u vërtetua në zgjedhjet paralmentare të Kosovës, e cila ishte një votë totalisht mllefi ndaj sistemit politik.

Është e qartë se suksesi i Vetvendosjes është i lidhur vetëm me karizmën dhe figurën e Albin  Kurtit. Emri i tij tashmë është kthyer në një lloj kulti individi, ku të gjitha shpresat vërtiten vetëm rreth një personi. Në këtë kuptim, është normale që karizma e tij ka krijuar një politikan autoritar, ashtu sikurse ndodh shpesh me të tillë njërëz që kanë aftësinë të elektrizojnë masat. Po të shtosh këtu retorikën e tij populiste të majtë, madje komuniste në disa raste, të kombinuar me spektaklin politik që Kurti  i servir shpesh herë opinionit publik, atëherë kuptohet fare lehtë forca e tij. Në politikën e sotme, arsyeja dhe moderacioni nuk mund të konkurrojnë dot emocionin dhe radikalitetit që përfaqëson Albin Kurti me  figurën e tij.

Kombinimi i ideologjisë së majtë populiste me notat nacionaliste, kanë krijuar tashmë një kokteil  perfekt nacional-markisist, i cili është vështirësisht i mundshëm në aspektin  e propagandës, gjë të cilën Albin Kurti  e zotëron në mënyrë absolute.

Në këtë kuptim,  Albin Kurti, lideri absolut i një lëvizje është kthyer në këto ditë në një shpresë të madhe të shoqërisë së Kosovës, edhe pse përfaqëson vetëm një të tretën e saj.

Të lodhur nga sistemi dhe defektet e një politike të gjatë, shqiptarët e Kosovës shohin te ai një mënyrë ndryshim radikal dhe pjesën e moralshme të politikës. Kjo shpresë e madhe është reflektuar edhe në Shqipëri, nga të majtë dhe cuditërisht  të djathtë, që e shohin si frymëzim dhe shembull suksesi.

Mirëpo, në të njëjtën kohë me shpresën që përfaqëson Albin Kurti, ka dhe një pasiguri të madhe rreth tij si Kryeminsitër i Kosovës.  Ose më saktë , Albin Kurti si Kryeminsitër është totalisht një enigmë, për vetë faktin se zakonisht këto lloj lëvizjesh politike janë të afta kur janë në opozitë, ndërsa përgjegjësia  dhe realizmi që ekziston kur je në  qeverisje nuk të lejojnë të jesh shumë ëndrrimtarë dhe idealist. Aq më tepër kur cështjet e Kosovës, sidomos ato të politikës së jashtme janë tmerrësisht delikate. Qëndrimet e Albin Kurtit në këtë drejtim kanë qenë gjithmonë radikale, dhe në disa raste provokative. Shumë cështje të politikës së jashtme, por jo vetëm, janë të pasigurta se cfarë rruge do të marrin me Kurtin Kryeminsitër.

Pasiguria në fushën e psikologjisë quhet ankth. Çfarë është në fakt Albin Kurti për Kosovën, shpresë apo ankth?

Pavarësisht mendimeve të ndryshme për Albin Kurtin si politikanë, dy gjëra janë të sigurta. Kapitalizmi dhe marrëdhëniet me perëndimin janë në rrezik. Kapitalizmi për faktin e politikave ekonomike tërësisht shtetëzuese që propozon, dhe marrëdhëneet me përëndimin për shkak të pozicioneve të tij radikale në një konteskt kompleks ku gjendet Kosova, edhe pse që këto ditë ka filluar një lloj ndryshimi  në qëndrimet e tij në këtë drejtim.

Vetvendosja është një lëvizje tipike populiste e majtë në trendin e  shumë lëvizjeve të tilla që janë shfaqur kohët e fundit në Europë, ku defekteve të kapitalizmit i kanë ofruar si alternativë komunizmin, defekteve të demorkacisë përfaqësuese i kanë ofruar demorakcinë direkte. Mirëpo, të gjtha këto lëvizje sapo erdhën në pushtet kudo që u shfaqën rezultuan një zhgënjim i madh. Mjafton këtu të përmendim Podemos në Spanjë, Lëvizjen Pesë Yje në Itali  apo Siriza në Greqi, të cilat u ndëshkuan me votë në të gjitha rastet ku provuan përsëri të kërkonin votën e qytetarëve  pas periudhës së tyre në pushtet.

Sepse, historia ka provuar që e vetmja mundësi zhvillmi dhe mirëqënie është kapitalizmi dhe tregu i lirë, dhe e vetmja demokraci e mundshme është ajo përfaqësuese. Prandaj, debati duhet të fokusohet se si ti korrigjojmë defektet e këtyre dy regjimeve ekonomike dhe politike, dhe jo të propozojmë si alterantivë të tyre utopinë e komunizmit dhe demokracisë direkte.

Me sa duket, trended në botën shqiptare vijnë me vonesë, ashtu sikurse erdhi populizmi i majtë i Albin Kurtit. Megjithatë, kushdo e ka të drejtën e provës. Shpresojmë që kjo lëvizje të mos jetë zhgënjyese ashtu sikurse historia ka treguar me të gjitha lëvizjet simotra të saj. /Gazeta Liberale

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fourteen + seventeen =