Burg përjetë për Denis Shtrazën, rrëmbeu dhe vrau Gazmend Çollakun - Arbëria News

Burg përjetë për Denis Shtrazën, rrëmbeu dhe vrau Gazmend Çollakun

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka vendosur sot dënimin me burgim të përjetshëm për Denis Shtrazën, i cili akuzohet për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut në janar 2016.

Mbrëmjen e 6 janarit 2016, katër persona të veshur me uniforma policie marrin peng Gazmend Çollakun në qendër të qytetit të Durrësit. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në zonën e “Vollgës”, në ambientet e jashtme të një lokali, rreth orës 19.30 minuta. Çollaku sapo kishte zbritur nga makina e tij, ndërkohë që të dyshuarit e kanë rrëmbyer dhe përmes dhunës e kanë futur në automjetin e tyre dhe janë larguar me shpejtësi. Një ditë më pas, mëngjesin e 7 janarit 2016, Gazmend Çollaku është gjetur në fshatin Murqin, Krujë, në rrugë, me gjymtyrë të lidhura me fasheta, i vrarë me armë zjarri. Në lidhje me këtë ngjarje, policia arrestoi Denis Shtrazën dhe shpalli në kërkim Endri Dalipajn, ish-shef i antikrimit ekonomik të Tiranës, i cili u vra në 2017-ën në atentat.

Denis Shtraza, i njohur si person me tendenca të theksuara kriminale, me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës, dyshohet të jetë dhe anëtar i një grupi kriminal që operon në zonën e Durrësit dhe të Tiranës. Në vitin 2009, Shtraza qe ekstraduar nga Gjermania si autor i dyshuar i dy plagosjeve të rënda, nga gjykimi i të cilave u shpall fajtor, por doli me dënime të lehta që konsistonin në gjobë dhe 4 muaj burg.

 

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

16 − 14 =