Çfarë do bëhet me arsimin e lartë… - Arbëria News

Çfarë do bëhet me arsimin e lartë…

DR. KLODIAN MUÇO klodian-muco

Sipas të dhënave të UNESCOs për 2018, studentët shqiptarë të regjistruar në një nga universitet e botës ka qenë 17.400, nga të cilët 10.700 janë të regjistruar në universitetet italiane. Numër ky që pritet të rritet në mënyrë të ndjeshme në ditët në vijim, pasi, sipas disa të dhënave paraprake, mbi 5000 maturantë këtë vit kanë aplikuar në universitetet jashtë Shqipërisë. Kjo shifër përbën gati 20% të numrit të përgjithshëm të maturantëve kalues.

Pra, nga një anë, numri i maturantëve është në “rënie të lirë”, duke kaluar nga 39.600 që ishte në 2014-2015 në 35.000 për 2018-2019, nga ana tjetër kjo rënie shoqërohet me një rritje të vazhdueshme të numrit të maturantëve më të mirë që dëshirojnë të studiojnë jashtë.

Sot, 12.5% e studentëve studiojnë në një universitet të huaj, për këtë tregues që është si “fytyra e Joker” ne jemi të parët në rajon.

Në fakt, të studiosh jashtë është një eksperiencë që të ndryshon jetën, të jep mundësi të zhvillosh kompetenca të reja dhe të zgjerosh horizontin. Përbën një hap para për një të ardhme ndërkombëtare, si në nivel personal, ashtu edhe në atë profesional. Të ndihmon në formimin e kontakteve profesionale jashtë dhe në zgjerimin e network-ut të njohjeve.

Studimi jashtë apo në universitetet e huaja në Shqipëri të jep mundësinë të perfeksionosh një gjuhë të dytë dhe të ndërveprosh me njerëzit e vendit, të cilët kanë një kulturë tjetër.

Po ashtu, ikja jashtë të bën më të pavarur, të mëson të menaxhosh financat personale si dhe rrit ndjeshëm perspektivat për gjetjen e një pune, qoftë në vendin tënd, qoftë në një shtet tjetër të huaj.

Sigurisht që të studiosh në një nga universitetet prestigjioze të botës kushton relativisht shumë.

Në universitetet amerikane, taksat shkojnë nga 41-56 mijë dollarë në vit, ndërsa kosto e jetesës shkon nga 14-22 mijë dollarë në vit.

Në universitetet angleze taksat shkojnë nga 21-41 mijë dollarë, me një kosto jetese që shkon nga 8-19 mijë dollarë në vit.

Në universitetet italiane, taksat shkojnë nga 1-13 mijë dollarë, ndërsa kosto e jetesës shkon nga 6-12 mijë dollarë.

Natyrshëm lind pyetja; se pse kushtojnë kaq shumë universitetet në fjalë dhe cili është motivi që i bën kaq të shtrenjtë?

Sipas një studimi, i cili ka përfshirë 42 mijë managere, të cilët u pyetën se nga cilat universitete do t’i dëshironin të diplomuarit që do të merrnin në punë, 25% e tyre u përgjigjën se do të vlerësonin të diplomuarit nga universitetet në varësi të pozicionit që kanë arritur ish-studentët e tyre, 25% u përgjigjën se do të vlerësonin më tepër cilësinë e lidhjeve direkte që ka krijuar universiteti me tregun e punës, 10% do të vlerësonin universitetet që në stafin e tyre kishin dhe profesionistë/manager, 10% vlerësonin universitetet, nga të cilat të diplomuarit kishin % më të lartë të punësimit brenda një viti. Ndërsa pjesa e ngelur vlerësonte cilësinë e klasave dhe stafin akademik të universiteteve.

Nisur nga faktet e mësipërme, ku numri i maturantëve është në rënie, numri i studentëve që ikin jashtë është në rritje, ndërsa numri i studentëve në IAL-të shqiptare ka rënë me 19% në 5 vitet e fundit, çfarë mund të bëjë Shqipëria për t’i bërë ballë këtij problemi?

Së pari, nevojitet reduktimi i numrit të institucione të Arsimit të Lartë, ka akoma universitete që vetëm emrin kanë të tillë.

Ne vazhdojmë të kemi gati 8 herë më shumë Universitete për 1 milionë banor se sa Anglia që ka sistemin arsimor më të mirë në botë.

Së dyti, në Shqipëri buxheti për arsimin është më pak se 3% e PBB-së, ndërkohë që vendet e OECD e kanë nga 5-8%, nga i cili 1-3% shkon për IAL-të, ndërsa në Shqipëri për to shkon vetëm 0.5% e PBB. Pa para nuk ka arsim.

Së treti, jemi vendi me nivelin arsimor ndër më të dobëtit në Europë. Ndoshta kemi të diplomuar, por këta të diplomuar nuk kanë kompetencat e nevojshme për degën që kanë studiuar apo tregun e punës. Pra, sistemi jonë edukativ është i paaftë për të transmetuar kompetencat e duhura ekonomisë që çdo ditë e më tepër bazohet te capability.

Nevojitet reformim kurrikulash në universitete për të nxjerrë cilësi dhe jo sasi.

Nevojitet që në administratën publike të premiohen ata me rezultate më të larta nga universitetet më cilësore, të rankuara më mirë.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one + eighteen =