Çfarë po ndodh në Shqipëri? - Arbëria News

Çfarë po ndodh në Shqipëri?

Është shumë e thjeshtë për shqiptarët që jetojnë këtu, është bërë e vështirë për ata shqiptarë që jetojnë kudo tjetër dhe është shumë e vështirë, thuajse e pamundur, për të huajt, për ata që nuk janë shqiptarë, që të kuptojnë se çfarë ndodh në Tiranë apo edhe në Prishtinë. Nëse do të viheshim në vendin e një të huaji që kërkon të kuptojë atë që po shtillet në këto anë, do të vërenim në fillim se mes palëve që përfaqësojnë popullin në politikën shqiptare, ka një ndarje të thellë, ka një hendek të papajtueshëm, ka një përçarje tragjike. Dhe, më në fund, ajo që i befason të huajt, është mendjelehtësia gati e panjohur ndër popuj normalë, me anë të së cilës elitat politike shqiptare sillen ndaj institucioneve kushtetuese të vendit dhe shkelmimi i tyre si të ishin topa lecke nga ato të fëmijërisë së komunizmit.

Gjendja aktuale në të cilën e ka çuar vendin, sidomos, sjellja e opozitës, do të meritonte analiza, studime, konferenca dhe investigime të të gjitha llojeve të shkencave humane. Por, sidomos, vështrimi në antropologjinë historike dhe kulturore të shqiptarëve do të ndihmonte jo pak për të kuptuar se çfarë përfaqëson tipi i politikanit shqiptar.

Për fat të keq, Shqipërisë i mungojnë vështrime të tilla dhe debatet për këtë fushë, gjithashtu. Shqiptarët, siç thoshte Rugova i ndjerë, kanë një fatkeqësi të madhe se harrojnë shpejt dhe e fshijnë të kaluarën e tyre me mendjelehtësinë e një fëmije që gris fletën e punëdores kur i bie pak yndyrë mbi të.  Në fakt, qeverisja e shqiptarëve është gjëja më e rëndë dhe më e vështira për t’u shpjeguar. Për fat të keq, në këtë pikë, ne nuk ngjajmë me asnjë vend europian, sepse tradita jonë e qeverisjes, pas shpërbërjes së principatave shqiptare dhe pas vdekjes së Skënderbeut, u zëvendësua me qeverisjen tribale e fisnore dhe me mungesën e plotë të një autoriteti. Edhe shqiptarët e kanë pasur dhe e kanë kaluar traditën e shtetit shekullar.

Madje, përhapja e kristianizmit në vendin tonë dëshmohet që herët, por masakra e pashoqe që ndodhi veçanërisht pas vdekjes së Skënderbeut, e shkatërroi indin e sistemit perëndimor qeverisës ndër shqiptarë. Konvertimi në masë në fenë islame dhe nënshtrimi ndaj mënyrës së qeverisjes sipas sheriatit, për një pjesë të madhe të popullsisë, shkaktoi tragjedinë e parë në indin e qeverisjes dhe dërrmoi institucionet e delegimit të pushtetit që, në atë kohë, ishte qeverisja shekullare. Tani, në fund, studiuesja Luçia Nadin nga Venecia ka zbuluar « Statutet e Shkodrës » (Botim i IDK-së, Tiranë, 2017) dhe aty ne mund të shohim lirisht se shqiptarët e shekullit XIV qeveriseshin njësoj si qytet-shtetet e bregut perëndimor latin.

Në fakt, edhe institucionet fetare në vendin tonë kanë qenë të brishta dhe përhapja e tyre nuk solli apo nuk bëri që të lindë një autoritet qendror siç ndodhi me sllavët, fjala vjen, të cilët, në një kohë të caktuar të historisë së tyre, ndërtuan trupin e Jezusit në tokat e tyre përmes një institucioni të identifikuar tek Kisha sllave, për të mos folur për Kishën Ortodokse greke. Katolicizmi dhe ortodoksia në vendin tonë përhapeshin si modele të një qendre që ishte larg dhe jashtë shqiptarëve. Nëse do të vëresh relacionet e prelatëve shqiptarë, ata vazhdimisht ankohen se Vatikani dërgon meshtarë të paaftë dhe që nuk e dinë gjuhën e vendit. Ndërsa atë që ka ndodhur me ortodoksët dhe ortodoksinë në këtë vend, e njohim që të gjithë, dhe përpjekjet për të ndërtuar Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare prej imzot Fan Nolit janë një nga aktet më të shenjta në historinë e këtij vendi.

Natyrisht, kjo është vetëm njëra anë e çështjes që dua të ndriçoj sadopak në këtë analizë. Tjetra, më e rëndësishmja, është ajo që ka të bëjë me institucionet laike të qeverisjes së shqiptarëve. Dhe këtu, për fat të keq, ne biem në një gropë të thellë. Për më shumë se pesë shekuj, qeverisja ndër shqiptarë kryhej përmes të emëruarve nga Porta e Lartë, të cilët zgjidheshin vetëm nga një kriter: të ishin sa më të fuqishëm, të egër, dhe të kishin fuqi që të mbanin zap shqiptarët e tjerë, t’iu merrnin atyre taksat dhe një pjesë ta dërgonin në qendër e një pjesë tjetër ta mbanin vetë. Ne sot i kemi harruar, por kategori të tilla si bej, aga, bimbash, kadi, mytesarrif e plot të tjera si këto kanë qenë format e ekzistencës së institucioneve të qeverisjes ndër shqiptarë. Ajo që sot quhet Shqipëri, ishte një pronë e Sulltanit dhe tokat e saj jepeshin si shpërblim për besnikët e tij, të cilët e administronin këtë vend me rregullat barbare të forcës dhe të dhunës.

Historia e shtetit shqiptar që fillon me gjymtimin e territorit dhe me keqkuptimin e madh të të gjithëve kundër të gjithëve, siç e dimë, solli një kaos të paparë në vitet e paspavarësisë. Në asnjë rast nuk duhen nënvlerësuar, sidomos, luftërat e shqiptarëve për të mbrojtur trojet e tyre nga copëtimi malazes dhe ai serb. Po ashtu, Lidhja e Prizrenit, si institucioni i parë legjitim i mbrojtjes dhe ruajtjes së territorit shqiptar brenda Perandorisë otomane, ka një vlerë të posaçme.

Emblema e këtij kaosi është sidomos Haxhi Qamili dhe Esad Toptani. Që të dyja këto figura sendërtuan mitin e atdheut që nuk u përket shqiptarëve, por që është mall ose i besimit dhe i qendrës nga vinte shtypja dhe shfytyrimi, ose është plaçkë që mund të shkëmbehet. Faik Konica dhe të tjerë që erdhën pas tij, vunë re të parët se elitat politike shqiptare ishin të ndara në mënyrë të pakthyeshme në një pjesë idealistësh që identifikoheshin me Shqipërinë dhe në një kategori zuzarësh, thoshte Konica, që identifikoheshin vetëm me pasurinë dhe me luksin dhe që Shqipërinë e kishin një territor që mund ta shisnin e ta shkëmbenin.

Krijimi i shteteve të reja në Ballkan, pas shkëputjes nga Perandoria otomane, u bë me një frymëzim ta caktuar historik. Siç dihet, Greqia e ndërtoi shtetin e saj me frymëzimin e ringjalljes së Greqisë ortodokse, me Megaliidhenë si platformë. Sllavët e Serbisë e ndërtuan shtetin e tyre nën frymëzimin e Car Lazarit dhe të Serbisë antike. Shqiptarët, nën frymëzimin e Rindjes, u përpoqën të ringjallnin Shqipërinë e Skënderbeut, pra, Arbërinë e trimave që luftuan e mposhtën otomanët. Arbëreshët e mërguar ishin Shqipëria e zhvendosur në Itali dhe ëndrra e tyre që të kthenin kohën e parë, shërbeu, gjithashtu, si frymëzim për lindjen e Shqipërisë. Mirëpo, në pikëpamje të besimit, ne ishim ndarë në tresh dhe Poeti ynë kombëtar Naimi, ishte edhe filozofi i bektashinjve.

« Shqiptaria » si frymëzim dhe si model për të ndërtuar shqiptarin e paspushtimit otoman, ishte më shumë një ideal dhe një emocion virtual. Patriotët e mëdhenj që ngritën kultin e Shqipërisë dhe të atdheut në rangun më të lartë të jetës, u përpoqën të parët që të krijojnë edhe fizionominë e një qeverisjeje sipas modelit perëndimor. Personalitete të spikatura si Noli dhe Zogu e të tjerë, nga ana tjetër, u shfaqën në vitet e paspavarësisë si për të dëshmuar jo vetëm ndarjen në ide e në veprime, por edhe për të ravijëzuar më mirë dy tendencat që do ta shoqëronin gjatë këtë vend dhe që do të formuloheshin në shqiptarë që e duan dhe në të tjerë që e tradhtojnë. Për fat të keq, në këtë periudhë, në vend të institucionit të parlamentarizmit triumfon institucioni i luftës me armë.

Atentatet, vrasjet politike, rrëzimi i Zogut me revoltë të armatosur, pastaj rrëzimi i Nolit po me revoltë të armatosur, kurorëzuan institucionin e hakmarrjes politike, varrosën kompromisin dhe dialogun dhe i hapën rrugë glorifikimit të autoritetit që vinte nga lufta për ta mundur kundërshtarin dhe për ta asgjësuar atë. Ndërsa triumfi komunist dhe lufta e klasave e rrënjosën në mënyrë tragjike ndarjen më dysh në « ne » dhe « ata ». Parlamentarizmi u zhduk dhe kompromisi ishte një koncept që renditej si forma më e ulët e tradhtisë ndaj atdheut. Ndërsa betejat, lufta deri në fund dhe pa kompromis me kundërshtarin, vdekja e tij dhe asgjësimi shpalleshin si modele të menduari që e ruanin atdheun dhe e lartësonin atë që merrej me fatet e tij.

Pas rënies së diktaturës u shembën ose u tronditën institucionet e besimit dhe të kuptimit të botës sipas filozofisë totalitariste në patriotë dhe armiq. Lufta, si institucion i jetës politike dhe si frymëzim i metaforave të ligjërimit publik, u duk sikur u largua bashkë me shtatoren e diktatorit. Dialogu, kompromisi, atdheu si vend që i bashkon elitat dhe jo si vendi që i përçan ato, duke i quajtur një palë patriotë e një palë tjerë tradhtarë, u shfaqën në fillim si forma joshëse të ligjërimit publik, por, shumë shpejt, ato, jo vetëm që u harruan, por, në vend të tyre, u riaktivizuan modelet e ligjërimit totalitar me « ne » dhe « ata », të cilat modele ishin të gatshme dhe me një traditë të gjatë përdorimi.

Elitat politike, që morën në dorë fatet e vendit pas rënies së diktaturës, gjëja e parë që bënë, ishte braktisja e leximit dhe studimit si akte të veprimit intelektual. Sot në Shqipëri, Biblioteka Kombëtare është kthyer si ato vatrat e mjera të kulturës në kryqëzimin e rrugës Lushnje-Fier. Vendin qendror e zuri vaniteti i burokracisë së rëndomtë partiake që ushqehej vetëm me faqe gazetash dhe me raporte OJQ-sh.

Rilindësit i frymëzonin shqiptarët që të ndiqnin Perëndimin si model dhe epokën e Gjergjit si frymëzim për të ndërtuar Shqipërinë e paspushtimit otoman. Komunistët e ruajtën Skënderbeun, por shpallën një projekt tjetër dhe një model utopik të ndërtuar mbi besimin se komunizmi do të arrihej duke përdorur si mjet politik luftën ndaj shqiptarëve që mendonin ndryshe dhe ndaj të huajve. Studentët që u ngritën në demonstrata në vitet ’90, iu rikthyen ëndrrës së këputur të modelit europian.

Mirëpo askush nuk e llogariti që ajo ëndërr dhe ai model ishte i vështirë për t’u arritur sepse kërkonte që në fillim të ndërtoheshin me mundim institucionet e mendimit dhe të besimit. Elitat që morën drejtimin e vendit, erdhën nga borgjezia komuniste dhe më i dalluari ndër ta ishte një komunist fanatik me emrin Sali Berisha. Në shkatërrimin e institucioneve të mendimit dhe të të gjitha institucioneve ideale që mbajnë një shoqëri në këmbë, duke filluar nga parlamentarizmi, sistemi gjyqësor, biznesi, media e kështu me radhë, Sali Berisha do të kujtohet si zjarrvënësi i tyre dhe si njeriu që nuk hoqi dorë për asnjë çast që në këtë vend të instalohej jo kultura e kompromisit dhe e dialogut, por të vazhdonte forma e luftës dhe e shkatërrimit qoftë në jetën politike, qoftë në ligjërimin publik. Për hir të së vërtetës, edhe forcat e tjera dhe PS-ja, sidomos, nuk bënë asnjë gjë më shumë për ta shëndoshur klimën politike në këtë vend.

Ndaj, ajo që po ndodh këto ditë në Tiranë dhe në Shqipëri, nuk është gjë tjetër, por vetëm një nga format më ekstreme të shfaqjes së informalitetit politik në këtë vend. PD-ja dhe LSI-ja, nën frymëzimin e arkitektit të shkatërrimit të të gjitha institucioneve të besimit në këtë vend, të Sali Berishës, po realizojnë aktin e fundit që është shpërfillja totale dhe e dhunshme dhe shkatërrimi i sistemit formal ose, thënë me termat e estetikës, prishja e frymëzimit që të sjell respektimi naiv i rregullave të lojës.

Zh. B. Viko thoshte se besimi që kanë fëmijët te lojërat që bëjnë në breg të detit, i bën ata që ta marrin për të vërtetë kështjellën në rërë dhe, nëse ua prish, ata qajnë se nuk e kuptojnë që ajo është një lojë. Edhe të rriturit duhet ta dinë, thoshte ai, se jeta e tyre formale është ndërtuar si një lojë, rregullat e së cilës janë të shenjta. Fëmijët qajnë dhe mund të gënjehen me një lojë tjetër, por të rriturit, kur i prishin vetë rregullat e lojës, i paralajmërojnë bashkëqytetarët e tyre se mund të nisin një lojë tjetër, më të rëndë, më tragjike dhe të paparashikuar.

Në fakt, ajo nuk është më lojë. Qeverisja e sotme socialiste mund të kritikohet edhe më shumë dhe mund të akuzohet edhe më shumë nga sa e akuzon opozita. Por, shkatërrimi i sistemit dhe marrëzia për të zëvendësuar parlamentarizmin me dhunën e rrugës, janë jo vetëm një shfaqje e dëshpëruar e politikanit që vjen nga shkolla e luftës politike komuniste, por, për më tepër, ato zëvendësojnë tribunën e parlamentit ku mund ta mundësh kundërshtarin me fjalën e artikuluar bindshëm me shishet e mbushura me benzinë ose me bombat artificiale që i hidhen asaj tribune.(TemA)

d.ba.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fifteen − six =