Cilën Europë të dëgjojmë, atë teknokratike apo atë politike? - Arbëria News

Cilën Europë të dëgjojmë, atë teknokratike apo atë politike?

Kryeministri Edi Rama ka takuar ditët e fundit presidentin e Komisionit Europian, Juncker, ku nga Brukseli, ky i fundit u shpreh se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave në qershor. Madje, shkoi edhe përtej, duke thënë se Shqipëria duhet t’i zhvillojë zgjedhjet më 30 qershor, pavarësisht debatit të madh politik e kushtetues që ka mbërthyer Shqipërinë mbas zhdekretimit të datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës.

Edi Rama, deklaratat e Juncker-it, që mbështeste qëndrimet e tij si për negociatat, por edhe për politikën e brendshme, e shpërndau në të gjitha rrjetet sociale, duke e krahasuar me atë të Ilir Metës dhe duke u thënë shqiptarëve se Europa na jep të drejtë.

Mirëpo, dje Parlamenti i Holandës miratoi kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, dhe pro për Maqedoninë e Veriut, dhe askush nuk e përmendi nga mazhoranca këtë fakt. Dihet se, kur bëhet fjalë për kundërshtime, qëndrimi i këtij kryeministri është i qartë. Fajin e ka Europa që nuk hap negociatat me vendet e Ballkanit, për shkak të klimës nacionaliste. Por fakti që Holanda votoi kundër Shqipërisë dhe pro Maqedonisë së Veriut e hedh totalisht poshtë këtë argument. Sigurisht që, klima për zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian nuk është nga më të mirat, por, nëse Shqipëria do t’i meritonte këto negociata dhe do t’i kishte të gjitha standardet në rregull, askush nuk do t’ia mbyllte derën.

Çështja është se, në këto kushte, kë të besojmë për Shqipërinë, Europën burokratike apo atë politike?

Në radhë të parë, të gjithë drejtuesit e institucioneve të Bashkimit Europian, duke filluar që nga Mogerini e deri te Juncker, i mbaron mandati, dhe si pasojë nuk kanë më asnjë peshë në vendimmarrjen e momentit. Përtej faktit që disa prej tyre janë konsideruar si të dështuar në mandatin e tyre nga veta ata që i kanë propozuar. Siç është rasti i Mateo Renzit, që është shprehur publikisht për Mogerinin që ka qenë një dështim.

Megjithatë, pa marrë parasysh opinione të tilla, fakti është se Europa, ajo që doli nga zgjedhjet e fundit të Parlamentit Europian, është një Europë politike. Me të gjitha gjasat, vendet anëtare do të kërkojnë të marrin më shumë peshë për vendimmarrjet e tyre sesa t’ua lënë në dorë burokratëve të saj dhe kjo është e qartë. Këtë gjë e shprehën edhe qytetarët europianë me votën e tyre, ku fituan terren në rezultatet elektorale të gjitha ato parti që ishin të qarta ideologjikisht dhe kishin një program të mirëpërcaktuar. Të lodhur nga burokracitë e institucioneve të Bashkimit Europian, qytetarët në vendet anëtare projektuan me votën e tyre një Europë politike, e cila të jetë më pranë njerëzve, ku zëri i tyre të dëgjohet më shumë.

Kështu që, gjithmonë e më shumë, zëri i vendeve anëtare do të bëhet shumë i rëndësishëm për vendimmarrje të ndryshme, sidomos për çështjet e zgjerimit që prek drejtpërsëdrejti Shqipërinë.

Hapja e negociatave ose jo, do të ketë një ndikim shumë të madh edhe për zhvillimet politike të brendshme të Shqipërisë. Në një farë mënyre, ato janë shpresa, por edhe frika më e madhe e qeverisë Rama, sepse do të jetë një gjykim për ecurinë e mëtejshme të kësaj qeverie. Nëse për Maqedoninë do të hapen negociata dhe për Shqipërinë jo, atëherë do të jetë një goditje shumë e madhe për vazhdimësinë e kësaj qeverie. Sepse negociata janë testi më i madh i saj. Sigurisht që, qeveria do të justifikohet me krizën politike apo me largimin e opozitës nga parlamenti. Por, argumenti se qëndrimet pozitive që vijnë nga Brukseli janë meritë e qeverisë dhe qëndrimet negative janë për faj të opozitës, është një argument që nuk qëndron. Suksesi, ose dështimi me negociatat janë vetëm të qeverisë dhe të askujt tjetër./Gazeta Liberale/

Ervis Iljazaj

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

three − one =