Ç’thotë FMN për financat publike dhe Bankën e Shqipërisë - Arbëria News

Ç’thotë FMN për financat publike dhe Bankën e Shqipërisë

BESART KADIA Besart-Kadia

FMN, si kreditor i qeverisë shqiptare, ka kryer një vizitë monitoruese të ekonomisë sonë. Në tërësi, fondi jep një panoramë të qetë për rritjen ekonomike të Shqipërisë me rritje mesatare 4%, por me disa rekomandime specifike që janë në tërësi përgjegjësi e qeverisë shqiptare. Kështu, detyrat specifike për qeverinë tonë mbeten: përmirësim në qeverisje dhe politika ekonomike, lufta ndaj korrupsionit, përmirësimi i aftësive të krahut të punës, përmirësim të klimës së biznesit dhe ulje të borxhit publik e të administrimit të vjeljes së taksave. Të gjitha këto janë sfida të kahershme të ekonomisë sonë dhe fakti që ripërsëriten për të disatën herë tregon që në tërësi qeveria ka anashkaluar sfidat afatgjata të ekonomisë sonë. Për më tepër, ajo ka shtuar dhe rreziqe të tjera në ekonomi nëpërmjet kontratave PPP që, sipas FMN-së, janë të panevojshme dhe me risk të lartë për financat publike.

Qeveria Rama, me ardhjen në pushtet në vitin 2013, e pa si të domosdoshme nënshkrimin e një marrëveshjeje huamarrjeje me FMN me vlerë 400.4 milionë dollarë. Me përfundimin e marrëveshjes në vitin 2017, po qeveria Rama vendosi të mos e vazhdojë këtë marrëveshje “të konsolidimit të rritjes makroekonomike dhe të kontrollit të borxhit publik”. Anulimi i një marrëveshjeje të dytë u pa në atë kohë si e qëllimshme nga ana e qeverisë Rama për të pasur duart e lira për të nënshkruar kontratat 1 miliard dollarëshe në formën e PPP-ve.

Në tërësi, rreziqet që i shfaqen ekonomisë shqiptare ndahen në tre komponentë kryesorë: rreziku i rritjes ekonomike, rreziku i financave publike si dhe rreziku që vjen nga sektori financiar. Për sa i përket rritjes ekonomike, theksohen veçanërisht vështirësitë që do të ketë ekonomia për shkak të mungesës së krahut të punës të kualifikuar. Vetëm nga viti 2015, Shqipëria ka humbur 0.6% të popullsisë në moshë pune, duke ngadalësuar potencialin e rritjes ekonomike afatgjatë. Po ashtu, rrezik tjetër vjen nga presionet e ekonomive partnere si Italia dhe Greqi,a si dhe nga goditjet shok që mund të vijnë nga mungesa e shirave e për rrjedhojë rënie e prodhimit të energjisë.

Por, mbi të gjitha, rreziku i financave publike mbetet shqetësimi kryesor për ekonominë tonë. Pagesat e prapambetura mbeten akoma problematike, pasi ndikojnë direkt në klimën e të bërit biznes dhe në likuiditetin e shumë sipërmarrjeve vendëse. Mbi 200 kontrata PPP arrijnë vlerën 3.1 miliardë euro dhe 1.5 miliardë euro të tjera janë në kontraktim e sipër. Vlera e pagesave vjetore të këtyre PPP-ve po arrin 500 milionë euro në vit, duke kaluar dhe tavanin ligjor për pagesa vjetore për PPP-të. Po ashtu, është shumë problematike që Ministria e Financave nuk ka një panoramë të plotë të kontratave të nënshkruara dhe nuk jep dot një “mendim profesional mbi përfitimin ekonomik të taksapaguesve të këtyre kontratave”.

Pra, politika ekonomike kaotike dhe “dobësim i institucione publike dhe qeverisjes ekonomike në tërësi” janë disa prej vulnerabiliteteve që i vijnë ekonomisë sonë. Rritja e taksave ndër vite nuk ka pasur efikasitet, pasi ajo nuk u kombinua me ulje të korrupsionit dhe me modernizim të vjeljes së taksave, duke e bërë Shqipërinë vendin me performancën më të dobët në mbledhjes e taksave në raport me PBB-në. Në raportin e fundit të misionit të FMN-së, për Shqipërinë ne marrim një panoramë të sfidave kryesore të ekonomisë sonë për vitet që vijojnë. Sipas këtij raporti, reformat strukturore janë ngadalësuar dhe rreziku kryesor për ekonominë tonë vjen nga financat publike, ku borxhi mbetet i lartë dhe detyrimet financiare prej PPP-ve do të vijnë në rritje. Pikërisht për këtë të fundit, FMN thotë se duhen “zbutur rreziqet që vijnë nga PPP-të dhe Ministria e Financave duhet të marrë më shumë rol për të qenë konsistent në menaxhimin e investimeve publike”.

Ndërkohë, rreziku që vjen nga sektori financiar paraqitet si minimal. Në tërësi, FMN vë re se kapitali rregullator i sistemit bankar është 18% nga 12% që është rregullorja, duke bërë bankat mjaft likuide dhe të afta të menaxhojnë mirë rreziqet në të ardhmen. Po ashtu, pozitive është fakti që kreditë me probleme tashmë janë në nivelin 11%, nga 23% që arritën disa vite më parë, duke inkurajuar Bankën e Shqipërisë për të vazhduar këtë trend pozitiv dhe në të ardhmen. Po ashtu, sistemi bankar në Shqipëri po hyn në një fazë të re ku numri i bankave është reduktuar në 13 nga 16 dhe ku aktorë të tjerë lokalë po zëvendësojnë bankat me kapital nga vendet e BE-së. Ky shteg i ri për sistemin financiar shqiptar duket se po mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë, e cila, sipas FMN, ka rritur si inspektimet, edhe mbikëqyrjen ndaj bankave të nivelit të dytë. Rekomandimet për rritjen e shpeshtësisë së inspektimeve nga dy vite në çdo vit duken si një rekomandim i vlefshëm në kushtet kur kreditimi ka njohur rritje për herë të parë pas shtatë vitesh “përgjumjeje”. FMN arrin në përfundimin se “jemi konfident se rreziku bankar është i monitoruar dhe nën kontroll dhe se bankat vendëse janë duke performuar mirë sipas standardeve dhe rregullave të reja financiare”.

Në tërësi, ekonomia shqiptare përballet me të njëjtat sfida makroekonomike që ka pasur edhe para dhjetë vitesh. Kapitali njerëzor dhe rritja e produktivitetit në ekonomi mbeten ende të paadresuara. Kjo bëhet akoma më e vështirë kur financat publike shkojnë drejt infrastrukturës publike dhe shumë pak drejt zhvillimit të kapitalit njerëzor. Institucione të dobëta të mbikëqyrjes ekonomike dhe burokraci e tepruar mbeten penguese për një klimë biznesi zhvillimore. Ndaj, edhe rreziku i rritjes së ulët makroekonomike si dhe rreziku i financave publike mbeten prioritet i ekonomisë sonë. Pozitiv mbetet fakti që pavarësisht sfidave të mëdha të lartpërmendura, sistemi financiar mbetet i paprekur dhe i mirëkontrolluar nga Banka e Shqipërisë.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × three =