Çudia se si një tubim cenon liritë themelore të individit - Arbëria News

Çudia se si një tubim cenon liritë themelore të individit

 

PËLLUMB NAKO

Eshtë tashmë i ditur dhe i përsëritur fakti që forca policore e një vendi shfaqet  si institucion i vërtetë publik në shërbim të të gjithëve sidomos në momentet kur shoqëria dominohet nga manifestime kontestuese të grupimeve të ndryshme. Shpesh këto manifestime ngjallin përplasje ndërmjet grupimeve sociale në fjalë nga njëra anë dhe institucioneve shtetërore që kanë detyrime për të gjithë, nga ana tjetër. Pra edhe për pjesën që nuk është në konflikt. Për rjedhim njëra nga palët kërkon ushtrimin e së drejtës së saj për manifestim, kurse tjetra (shteti) ushtrimin e detyrimit për të garantuar lirinë e qarkullimit për të gjithë. Dhe kjo vetëm në kushtet e një raporti pakicë-shumicë. Pra kur manifestuesit janë pakicë. Sepse në raport të kundërt, kur manifestuesit janë shumicë, zgjidhja nuk është më policore. Por politike. Kur institucioni kompetent, në rastin konkret policia, garanton edhe të drejtën e manifestimit, edhe atë të lirisë apo të sigurisë së qarkullimit, e ushtron detyrën konform ligjit. Sipas parimeve kushtetuese. Në respekt të të gjithëve. Kur në emër të lirisë së shumicës, e intepreton ligjin me kokë poshtë  dhe nuk garanton lirinë e manifestimit të pakicës, mban anën e pushtetit. E tillë, ajo nuk futet më brenda konceptit të shërbimit publik. Është kthyer në instrument autoritarizmi. Në thelb, policisë i kërkohet të gjej ekuilibrin për të menaxhuar  dy liritë e mësipërme themelore që të mos pengojnë njëra-tjetrën. Aq më pak të konfliktohen. Të dyja të garantuara në kushtetutë.

Por, nisur nga deklarimi publik i disa ditëve më parë të Policisë së Tiranës lidhur me organizimin e një tubimi nga ana e diasporës, duket pastër se edhe vetë autoritarizmi i shtetit tejkalohet. Policia e Shtetit jo vetëm nuk merr përsipër administrimin e ushtrimit të të dy të drejtave themelore siç e ka për detyrë, por kalon në ekstrem duke penguar manifestimin. Madje akoma më rrezikshëm duke e kundërvënë atë me pjesën tjetër të qytetarëve. Shërbim i pastër antipublik.

I gjithë opinioni ynë, i çdo shtrese, është tashmë i informuar bollshëm dhe i ndërgjegjshëm se kudo në botë, madje edhe në vendet më të zhvilluara demokratike,  janë organizmat e shumta shoqërore e politike, të të gjitha formave dhe ngjyrimeve ato që ankohen ose denoncojnë cënimin që në momente të caktuara i bën policia të drejtës së tyre themelore për të manifestuar. Por askush nuk ka parë e dëgjuar deri më sot që të jetë institucioni i policisë ai që organizimin e një tubimi, në rastin konkret të diasporës shqiptare, ta konsiderojë si “ cënim të të drejtave dhe lirive themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve….” dhe më pas të ndalojë.

Këtë çudi të dhimshme deri në therrje, e vetmja në qarkullim, diti të na e bëjë si dhuratë, policia jonë e shtetit në prag të këtij viti të ri. Shumë shekuj pas  shpalljes së të drejtave dhe lirive themelore të individit nga iluministët e shquar europianë. Edhe shpikësi i rekordeve guiness do të habitej. Me siguri nuk do ta vendoste në rekordet e tij. Sepse edhe absurdja ka kufij.

Pyetja është fare e thjeshtë: Sot në Republikën e Shqipërisë, kur jemi pjesë e vendeve të NATO-s, kur qeverisja e vendit pretendon me zë të lartë se janë arritur e kapur standardet për të qenë vend kandidat i BE, organizimi i një tubimi në respekt të ligjit, quhet cënim i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut? Një koncept i tillë, për t’u pasur zili edhe nga diktatura, e ul shumë nivelin civil të vendeve të NATO-s ku jemi pjesë dhe tregon se jemi larg, por shumë larg, stadardeve të Bashkimit Evropian.

Por jo vetëm kjo. Me këtë deklarim publik, institucioni i sigurisë publike të shtetit shqiptar tregoi se nuk e njeh kushtetutën. Nuk e sheh të qartë ligjin mbi tubimet. Ose arroganca dhe urdhërat e marra nga lidershipi politik janë kaq të prera sa që bëhen deklarime të tilla më së paku të frikshme. Policia gjeti kurajon të ndalojë dhe të informojë opinion me vendimin e saj për të penguar të drejtën kushtetuese për të manifestuar. Me shpjegimin e çuditshëm  që kjo e drejtë pengon një të drejtë tjetër. Atë të qarkullimit të të tjerëve. Sidomos në bulevard. Aty ku kryebashkiaku i Tiranës nuk lë rast pa e bllokuar kur ai dhe ca të tjerë do të kalojnë me biçikleta.

Por policia e Tiranës shkon edhe më larg. Jo vetëm e ndalon manifestimin e diasporës duke futur në mënyrë shumë tinzare një lloj përplasjeje ndërmjet protestuesve të mundshëm dhe përdoruesve të bulevardit me ambulanca,  makina publike e private, por ajo as nuk negocion me organizatorët. Tu japë ndonjë alternativë tjetër për tubim. Një vend tjetër për të manifestuar ku të mos pengohet asnjë nga ambulancat kaq shumë të përmëndura dhe të përdorura në këto kohë manifestimesh. Po mesa duket shefit të madh nuk i mbajnë me nervat.

Në faktë një qëndrim i tillë i policisë, natyrisht i urdhëruar, nxjer në dukje edhe një problem tjetër akoma më të rëndë.

Vërtet kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë themelore të manifestimit të individit, por ligji në zbërthim të saj, si dhe kodi ynë penal përcaktojnë rregulla, detyrime dhe ndëshkime vetëm për manifestuesit apo organizatorët e tyre. Jo për organet e sigurisë. Sidomos për drejtuesit e policisë që marin vendime. Pikërisht kjo njëanshmëri ligjore e bën të drejtën e manifestimit të pa mbrojtur mirë. Të dobët në raport me abuzimin e autoriteteve. Dhe natyrshëm shtetin më pak demokratik.  Madje në këtë rast shfaqet edhe një paradoks tjetër i dhimshëm. Në të drejtën shqiptare të tubimit ka detyrime dhe ndëshkime vetëm për ata që ngrihen pikërisht kundër institucioneve të cilët kanë për detyrim garantimin e lirive themelore. Kjo sepse nismën në hartimin e ligjeve e kanë strukturat shtetërore. Të drejtën për manifestim policia e sheh si një sasi detyrimesh për tubuesit, por jo për veten. Shkeljet ligjore i sheh tek ata, por jo edhe tek vetja. Sepse gjithë organizatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut këtu në Shqipëri ndodhen neveritshëm në gjumë dhe ndërkohë nismat ligjore nuk i nënshtrohen analizës nga të gjithë grupimet e interesit .

Po të shihet ligji mbi tubimet, fare thjeshtë do të dallohet se detyrimet e institucioneve të sigurisë ndaj tubimeve aty janë shumë të përgjithshme. Ndërkohë vetë ligji, por edhe kodi ynë penal nuk parashikojnë asnjë ndëshkim ligjor për gjithë përgjegjësit e organeve të sigurisë publike të cilët me dëshirë ose jo pengojnë në mënyrë të paligjshme të drejtën e tubimit. Bëhet fjalë për një të drejtë themelore.

Në rast se do të egzistonte një ligj i tillë, do të ishte e pamundur për Policinë e Tiranës të pengonte manifestimin dhe të bënte një deklarim të tillë publik. Sepse Policia e Tiranës pengoi hapur dhe në mënyrë të ndërgjegjshme të drejtën e qytetarëve shqiptarë të diasporës. Ajo u bind vetëm urdhërave politikë sepse për të në të tilla raste nuk ka ndëshkim ligjor.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

18 − 14 =