I dashur kryetar, ju siguroj se edhe unë do të lutem për ju - Arbëria News

I dashur kryetar, ju siguroj se edhe unë do të lutem për ju

PROF. ASS. DR RAHIM OMBASHI rahim-ombashi

Rreth një shekull pasi Kon gresi Mysliman Shqiptar zgjodhi kryetarin e Këshillit të Nart të Sheriatit, siç quhej prej vitit 1916 Këshilli Fetar, i cili merrej me organizimin dhe drejtimin e myslimanëve, por që më pas do të quhej Komuniteti Mysliman Shqiptar, në datën 2 mars 2019, në mjediset e medresesë së Tiranës “H. Mahmud Dashi”, që është një monument i trashëgimisë kulturore në Qarkun e Tiranës, ndërtuar në vitin 1931 në të ashtuquajturin “stili ndërkombëtar”, meqë ka ndërfutje të stileve të ndryshme arkitektonike dhe që emërtohet monument arkitekturor, e cila është pronë në varësi të KMSH-së, u zhvilluan zgjedhjet për kryetar të institucionit. Tubimi nistor vazhdoi për 3 javë në sallën e shoqërisë “Djelmnia Dibrane”, që e udhëhiqte Dervish Hima. Votuan 36 delegatët, prej të cilëve 7 ishin deputetë. Në dokumentin origjinal sqarohet se zgjedhjet ishin kryer sipas nenit 7 të Statutit, në përfundim të të cilave, në datën 12 mars 1923 kishte dalë fitues Z. Vehbi Dibra me 30 vota, dijetar, vetëm një votë më tepër se Hafiz Ali Korça, dijetar, kurse pas tij, me 27 vota, vinte Z. Vejsel Nailiu, edhe ai i cilësuar dijetar, titull që duket si status moral e intelektual, i cili duhej të kapej për të pasur të drejtën e garimit për postin e lartë, njëherazi dhe vlerësim i pranuar gjerësisht e jo si profesion.

Kryetari i institucionit të ri Vehbi Dibra, i cili kishte dhënë fetvanë për flamurin shqiptar në Kuvendin e Pavarësisë në Vlorë, ku u zgjodh kryetar i Kuvendit, pas krijimit të qeverisë së Ismail Qemalit largohet nga veprimtaria politike, për të krijuar hapësirën shekullare të shtetit të ri, iu kushtua tërësisht organizimit dhe drejtimit të myslimanëve shqiptarë, duke kryer detyrën e myftiut të përgjithshëm.

Në fjalën përshëndetëse theksoi rëndësinë e vëllazërimit të shqiptarëve, si element ngjizës i ndërgjegjes kombëtare, që po formohej bashkë me konsolidimin e shtetit shqiptar:

“Sikurse e dini, zotëria e juaj, popullsia e Shtetit tonë përbahet prej tre elementësh d.m.th. Mysliman, Katolik dhe Ortodoks, po në pikëpamje të Kombësisë në mes tonë kemi një vllazni të plotë e të patundëshme, e nuk mund të thuhet e të kuptohet asnji send që e tund atë vllaznie të plotë. Çështja e fesë asht një çështje e posaçme e sejcili është i lirë për me e sigurue forcimin e fesë së vet. Ky organizim i fesë sonë asht vendosun qysh në Kongres të Dibrës fatzezë, po luftat ballkanike e ndaluen këtë qëllim”.

Kryetari i parë u zgjodh zotëri Vehbi Dibra (Agolli), dijetari më parë se haxhiu, veprimtari kombëtar para se pasunari, shqiptari i drithëruar për Atdhe para se dibrani me farë e fis të shquar, prandaj foli edhe për dy komunitetet e tjera fetare, sepse duhej të sanksiononte botërisht, pa asnjë negocim, garancinë e vëllazërisë së plotë, sepse vetëm në familje marrëdhëniet janë hyjnore dhe pjesëtarët e saj janë të barabartë mes të barabartëve (pare inter pares). Ajo ditë e bekuar marsi në Tiranë vuri themele që u rezistuan kohërave ideologjike, të cilat frynë e shkatërruan ç’gjetën gjatë shekullit të trazuar që lamë pas.

Pas pavarësimit politik të kombit shqiptar u krye pavarësimi i plotë shpirtëror, i cili kishte filluar me krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, që nga SHBA u soll në Shqipëri. Shpejt u mbajtën kongreset e mëvetësimit të komuniteteve fetare, ai i bektashinjve shqiptarë, i ortodoksëve shqiptarë dhe ai i myslimanëve shqiptarë.

Gjithçka u krye në një kontekst ligjor, intelektual dhe social të ngrohtë e dashamirës, ku rol jo të pakët luajti publicistika, që jetonte dy dekadat e saj të arta, ku vend nderi zënë revistat “Zani i Naltë” (në dy periudha 1923-1939, mbyllur nga fashistët italianë dhe 2012 e në vazhdim), “Kultura Islame” (1939-1945), “Njeriu” (1942-1944).

Institucioni filloi reformat themelore: njësimi i medreseve në vitin 1924, që në fillim u quajt “Medreseja e Naltë”, e çelur në Tiranë, tashmë kryeqytet, për të qenë në të ardhmen dhe një shkollë e lartë, që më vonë do të quhej “Medreseja e Përgjithshme”, nga bankat e së cilës do të dilnin personalitete të tilla, si: Shaban Demiraj, Vehxhi Buharaja, Vehbi Ismaili, Vexhi Demiraj, Xhemal Balla, Selim Muça e jo pak të tjerë, që dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në arsimin, kulturën shqiptare dhe të cilët në vitet ’90 do të bëheshin promotorë të ringritjes së institucioneve fetare dhe medreseve në të katër anët e vendit. Ajo çka e bëri të veçantë aso kohe medresenë e Tiranës nga shumica e simotrave të saj në botë, ishte konceptimi bashkëkohor i mësimdhënies në to, sepse kurrikula përbëhej nga lëndë të formimit të përgjithshëm, bashkë me ato fetare, përfshi dhe gjuhën e huaj. Komuniteti Mysliman bëri përpjekje të vijueshme që profilin dhe nivelin arsimor në të ta mbante në standardet më të larta të kohës, çka e bëri një ndër shkollat më të mira të kohës.

Fara e mbjellë dha fruta të ëmbla, rezultate që nuk ishin parashikuar as nga më optimistët. Në urimin që bën revista fetare mujore, e cila merret edhe me filozofi, moral, literaturë kombëtare, sociologji në mars 1924, shkruhet: “Zani i Naltë… me këtë rast i lutet Zotit të vërtetë qi t’u fali bijve të Shtetit lumni e bashkim të plotë”. Moto e kohës u pranua dhe u kërkua zbatimi i sloganit: besime të lira, në një shtet të lirë. Në vitin 1937 ndërroi jetë H. Vehbi Dibra, fjalën përkujtimore më të gjatë e mbajti imzot Vissarion Xhuvani, kryetari i KOASH-së, ndonëse i paftuar zyrtarisht:

“… Unë sod po e thyej pengesën e mosmarrjevet pjesë nga ana e jonë në ceremonira të tilla: na jemi vllazën… Nuk ka ma trashigim të çmueshëm se karakteri i këtij burri për bir e bij të tij që i lë mbrapa njerëz të meritueshëm”.

Tre vjet më parë, Hafiz Ali Kraja, 34-vjeçar, botoi veprën madhore “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”, me anë të së cilës iu kundërvu tezës pozitiviste e nihiliste për rolin që luanin besimet fetare në vëllazërimin kombëtar. E gjeti të çelur dhiaren, ai u thellua në të, sepse ndiente që ishte në prag lufta civile, e cila ishte armike e paqtimit vëllazërues, arritur nga morali fetar.

I riu dilte një kokë lart mes intelektualëve më të shquar të kohës, aq sa përzgjidhet nga françeskanët e urtë të mbajë fjalën përkujtimore, kur Gjergj Fishta përcillej me lot e madhështi për t’u prehur në tokën, që disa vjet më pas ‘nuk i dha as varr për hor’:

“Poet kombëtar, o Patër Gjergj! … Trima e gra, djelm e vajza, me fjalën shqiptare të napin besën, se vllaznimi kombëtar, që ti çfaqe në’Lahutë’, do ta mbajnë me forcë të madhe…”

At Zef Pllumi, Ejëll Çoba e kujtonin duke e vlerësuar për nivelin e tij teologjik, por ai hyri me dinjitet edhe në lëmin e filozofisë dhe në veprimtaritë politikoatdhetare, që zënë fill qysh me mbarimin e shkollimit të tij universitar dhe kthimin në atdhe. Nën ndikimin e filozofit Gazali, ndër më të shquarit e filozofisë islame, e lartësoi fort politikanin, që trashëgon cilësitë e Zotit, mban rendin dhe drejtësinë:

“Feja islame, – siguron Ali Kraja, – të mirën (hajrin) e gjen vetëm në njohje dhe në adhurim të së drejtës; aty ku nuk qëndron e drejta nuk kundërmon asnjë e mirë; feja islame këtë e konsideron si një dëm. Ja, prej këtyre shpjegimeve kuptohet se fanatizmi nuk pajtohet me Islamin”.

Si përkrahës i Gazaliut, përkrahte idenë se fetaria e pastër e besimtarit të mbrujtur me afshin shpirtëror e shtyn atë drejt ëndrrës duke mbajtur drejtësi. Sipas Ali Krajës, ndërgjegjet e formuara pa parime fetare çelin udhë për konflikte të panevojshme dhe me bindje jep argumentin që faktohet lehtë.

“Njeriu nga natyra është narcisoid dhe kur gjen rast dhe mbetet i lirë prej vërejtjeve të ligjit ose disiplinës, ai vepron sipas ëndjes së vet. Pra, për ta ndaluar dhe për ta ruajtur prej të këqijave e vetmja fuqi është disiplina fetare”.

Morali fetar, së bashku me disiplinën që edukon fetaria, kthehet në moral filozofik, sipas tij, që për të mbështetur përfundimin, citon filozofin Edmond Golbot, i cili e përkufizon ndërgjegjen si: “Shqisa për ta ndarë të mirën nga e keqja”.

Ec më tej kur thekson se ajo që përcakton moralitetin ose imoralitetin e një vepre nuk i përket mendjes, por kjo është detyrë e ndërgjegjes. Mendja është dëshmitare, e cila e dikton të mirën prej së keqes, kur ndërgjegjja është sunduese, përfundon ai. Dëshiron ta shtjellojë më tej idenë, kur sqaron se, meqë ndërgjegjja nuk mund të jetë e paqme, ajo duhet të ketë prijës.

Me këtë qasje filozofike dhe po me të tillë formim fetar, kombëtar dhe human, imam Vehbi Islamili do të mbajë panegjiriken përkujtimore në ceremoninë e përcjelljes në Boston, MA. të Fan Nolit në amshim, në vitin 1965:

“… Ja, këtu përpara jush të gjithëve, prehet sot, në paqe të përjetshme, njeriu i dy shekujve, princi i Kishës Ortodokse, apostulli i popullit shqiptar, Hirësia e tij, Kryepeshkop Fan S.Noli, nuk është më! …

Hirësi! Si fetar unë i lutem Perëndisë që t`ju falë parajsën e merituar dhe neve shqiptarëve, të gjithëve, të na japë durim për humbjen tuaj të pazëvendësueshme, e të na bëjë trashëgimtarë të denjë të amaneteve tuaja e pasues të zellshëm të jetës suaj! Jetë e një fetari, kushtuar çështjes dhe kulturës shqiptare!”.

Ai që çeli xhaminë e parë në SHBA në vitin 1953, themeluesi i AIC-së në Detroit, MI. u lut për mikun e tij të krishterë dhe me veprimtari kombëtare dhe kulturore të spikatur.

Pjesëmarrës në funeralin madhështor ka qenë edhe Baba Rexhepi i teqesë së Detroitit, i cili në fjalën e tij shënoi se Fan Noli bashkoi dashurinë e Krishtit me dashurinë e Atdheut, të cilit i shërbeu me kulturën e tij filologjike, për të cilën Faik Konica thotë: “”Përdorimi i gjuhës në Liturgji është një nga përparimet më të mëdha të Fan Nolit. Ditën në të cilën ai përdori për herën e parë gjuhën shqipe në Liturgji, atë ditë u shënua një kthesë me rëndësi në historinë e Rilindjes Shqiptare…”

Rasti e solli që pas vetëm 2 vitesh, në Shqipëri u zbatua vendimi politik për mbylljen e institucioneve fetare dhe shpalljen e ateizmit shtetëror. Me të drejtë Mithat Frashëri e quan publicistikën predikim, sepse doli parashikimi i Ali Korçës, shprehur te pamfleti “Bolshevizma a çkatrrim i njerëzimit”, duke u shënjuar si denoncuesi i parë shqiptar i ideologjisë komuniste, siç përcakton I. Ahmeti, e cila dëmtoi sa shumë gjithkund, por veçmas harmoninë shoqërore të ngritur mbi themelet e vëllazërisë fetare, njeriun cilësisht etik, me botë shpirtërore humane, të ndriçuar dhe të paqme.

Por re ka vetëm deri në 4-5 kilometra lartësi, mbi to hapësira blu është e pafund. Më 16 nëntor 1990 u zhvillua ceremonia e parë e faljes së xhumasë në Xhaminë e Plumbit në Shkodër, ku ceremoninë e drejton Hafiz Sabri Koçi, ish-i dënuar për besimin fetar, tubim që shënoi rifillimin e lirisë së besimit në Shqipëri. Në një nga predikimet e tij mbajtur në fillim të viteve ’90, ai theksoi se do të ecnin në rrugën e prijësve themelues të KMSH-së, do të vazhdonte vëllazëria midis komuniteteve duke mbetur proverbial me përgjigjen e dhënë dikujt dhe që iu ngjit si titull i fjalës “Ç’të duhet përqindja?”, që nuk e njihte traditën e vyer. Ringritja e besimit u shoqërua me çeljen e rindërtimin e xhamive të mbetura, me ngritjen e të rejave, me çeljen e medreseve, të revistës mujore “Drita Islame”, 1992, dhe nisjen e reformimit që kërkonte koha.

Pas vdekjes së tij, u zëvendësua në mars të vitit 2004 nga H. Selim Muça, që kishte kryer medresenë e Tiranës para studimeve universitare në Çekosllovaki. Me interesimin e tij vetjak u çel në vitin 2011 Universiteti “Bedër”, ëndërr e parealizuar e prijatarëve të KMSH-së dhe u vu në udhë të mbarë regjistrimi i pronave të institucionit, që arriti në mbi 90%. Z. Muça drejtoi KMSH-në edhe për një mandat të dytë.

Në mars 2014, pas dorëheqjes për shkak të problemeve shëndetësore, zgjidhet në krye të institucionit nënkryetari i KMSH-së, Skënder Bruçaj. Gjatë mandatit të tij u botua Kolana e “Zani i Naltë” me 10 vëllime, botim digjital dhe “Ilmihal i zgjeruar”, botim i tri komuniteteve myslimane në Tiranë, Prishtinë, Shkup. Në hyrje të veprës, që dëshmon integrimin kulturor të shqiptarëve, si parakusht i integrimit të përgjithshëm kulturor, para integrimit institucional, Prishtinë, 2018, theksohet se Shkolla Juridike Hanefite mbetet shkolla juridike zyrtare e të tria bashkësive islame shqiptare dhe se të gjitha dispozitat ligjore janë shtjelluar sipas metodologjisë dhe parimeve të kësaj shkolle. Gjithashtu u punua me kujdes për thellimin në luftën kundër terrorizmit dhe komunikimin ndërkulturor, pa shmangur asnjëherë synimin atdhetar dhe vëllazërimin fetar e kombëtar, detyra këto të njeriut intelektual mysliman.

KMSH-ja, e cila duhet ndjerë më shumë se një institucion, sepse është një projekt gjithëkombëtar, u mbrojt me përkushtim profetik nga politizimi së brendshmi i islamit, që do të thotë aneksim, filializim dhe dorëzim ndaj të huajës, duke ruajtur mëvetësinë institucionale si parim thelbësor të vetin, vendosur qysh prej mbrujtjes në themelet e saj. Nuk ka asgjë nacionaliste, por të mos i qasesh kurthit që bjerr identitetin fetar, i cili jep ngjyrën e veçantë në procesin e integrimit në mozaikun europian, do të thotë se je i fituar dhe dinjitar në partneritetin rajonal e më gjerë, gjithaq jetik.

Për herë të parë, shoqëria tolerante shqiptare dhe më gjerë, pa dhe vlerësoi se KMSH-ja nuk mund të anohet, hepohet, përkundrazi ajo dha një model integriteti institucional për t’u ndjekur, duke u ngjitur në vendin ku i takon, me pamje nga humanizmi europian.

Vetëm një ditë më parë, u tërhoq nga gara për një mandat të dytë kreu i Komunitetit, H. Skënder Bruçaj, duke dëshmuar se fetari gjithnjë beson dhe shpreson te shoku më i mirë se vetja.

Po në mars, si në fillimet e veta, zgjidhet në krye të KMSH-së me 59 vota z. Bujar Spahiu, përballë z. Ylli Gurra me 26 vota dhe zotit Gramoz Blliku me 2 vota. Bie në sy vijimësia institucionale. Vehbi Dibra (1867- 1937) ishte 56 vjeç kur u zgjodh kryetar, Hafiz Ali Korça (1873-1957) 50 vjeç, kurse Bujar Spahiu (1976) 43 vjeç. Garuesit për Arshin tokësor, të përbashkët kanë shkollimin e mesëm në medrese, por ndërsa Dibra dhe Korça shkollimin universitar teologjik e kryen në Stamboll, Spahiu pas përfundimit të medresesë në Stamboll diplomohet në Universitetin e Ez’herit (Al-Az’har), Kajro, Egjipt, në vitin 2003 në fushën e Tefsirit (interpretimi i Kuranit). Universiteti themeluar në vitin 970~972 (e.j.) pranohet si universiteti më i shquar i islamit suni dhe njëherazi përfshin lëndë laike në kurrikul, duke mbikëqyrur një rrjet kombëtar shkollash me rreth dy milionë studentë. Nga viti 1996, mbi 4000 institute mësimore në Egjipt janë në varësi të këtij institucioni të arsimit të lartë. Pas përfundimit të studimeve kthehet në atdhe dhe u futet punëve administrative në KMSH, jep mësim si pedagog i jashtëm në Medresenë e Tiranës dhe në Universitetin “Bedër”.

KMSH-ja u mbrojt nga islami politik, duke i rënë ndesh ndonjë modeli të tillë te fqinjët, ruajti mëvetësinë institucionale pa ndërhyrë në problemet e shtetit shekullar, si parim thelbësor të vetin, të vendosur qysh në krijim në themelet e saj. Arritjet nuk duhet të frenojnë ecjen përpara. Së shpejti përfundon ndërtimi i Xhamisë së Namazgjasë, që do të jetë shumë më tepër se një mjedis ku kryhen ritet fetare. KMSH-ja po vendos lidhje zyrtare me qendrat myslimane në diasporë, ku “Bedër” është bërë gati që Departamentin e Shkencave Islame, i vetmi i tillë në arsimin e lartë në Shqipëri, ta kthejë në Fakultet, nga do të dalin studiues, pedagogë të fushës, klerikë, qytetarë me vlera. Reformimi institucional i KMSH-së nuk duhet të ndalet, çasti ka grishur rinovimin evolutiv si parim islam dhe duhet të forcojë lidhjet dhe me institucionet shpirtërore veç atyre islame, me të cilat janë afër për nga synimet e vizioni.

Tradita e zhvillimit të zgjedhjeve në mars u shoqërua me fjalimin e rastit nga fituesi. Janë si dy pika uji, fjala e z. Spahiu me atë të Dibrës në fillim të shekullit që lamë pas, çka dëshmon qasjen konservatore të institucionit, i plotësuar me kontekstin kohor që kërkon luftën kundër çdolloj ekstremizmi. Kryetari – shërbëtori besnik i “Kuranit” dhe traditës profetike – grishi jo vetëm besimtarët myslimanë, duke theksuar para se ta mbyllte fjalën me kaptinën e parë “Hapja” të “Kuranit”:

“Të dashur besimtarë dhe qytetarë të vendit tim, të përpiqemi që secili prej nesh të vendosë një balancë midis kësaj bote dhe Ahiretit (botës së përtejme).
Të balancojmë vrapin drejt kapitalit financiar në kurriz të kapitalit moral.
Të bëhemi më humanë, të rendim vetëm pas hallallit. Të ndajmë nga pasuria jonë për të varfrit, jetimët, të moshuarit, të sëmurët.
Të ruajmë dhe të forcojmë familjen, familja është vlera e shoqërisë tonë, familja është traditë profetike, ta ruajmë atë”.

Fjala e sinqertë, autentike, pa ngjyrime kalemxhinjsh është cituar nga shumë prej personaliteteve fetare apo shtetërore, nga vendi dhe bota, që uruan dhe vijojnë, pra, t’i gëzohen arritjes, ka prekur zemrat, por veçon urimi i Imzot George Frendo, arqipeshkvi i Tiranë-Durrës, kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, i cili premton se do të lutet për kryetarin e KMSH-së, duke e siguruar: “Zoti nuk do t’i mungojë ta ndriçojë dhe ta forcojë në këtë detyrë”. Por dijetari Frendo, ndonëse nuk është shqiptar, kujton që ka siguri më të madhe se fjala në arritjen e qëllimit të mirë, ka faktet reale, të cilat i sqaron sepse ia kërkon burrnia e bariut fetar:

“Kam vlerësuar shumë çfarë keni thënë në fjalimin tuaj pas zgjedhjes, se puna juaj parësore do të jetë ruajtja dhe forcimi i harmonisë e dialogut ndërfetar në Shqipëri dhe se jeni i vendosur të luftoni çdo lloj ekstremizmi.

Ju uroj të arrini këtë qëllim, duke ndjekur gjurmët e paraardhësve tuaj, z. Selim Muça dhe z. Skendër Bruçaj, të cilët i kam njohur më nga afër”.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

7 − one =