Disa gjëra që lëvizin botën - Arbëria News

Disa gjëra që lëvizin botën

Ishuj që duan të ndërrojnë emrin, një qenushe që shitet në Ebay, një tufë flokësh nga Etiopia: mbi disa gjëra që lëvizin botën përtej politikës ballkanike.

Nga Enver Robelli

1.

James Cook ka qenë një lundërtar sypatrembur. Tri herë i është sjellë botës rreth e rrotull. Gjatë jetës së tij Cook kaloi 200 mijë milje – kaq është distanca mes tokës dhe hënës. Cook shtegtonte nëpër oqeane edhe me mandat të Mbretit George III. Ishte Perandoria britanike ajo që nuk dëshironte t’ua linte francezëve nën kontroll rrugët tregtare. Mes viteve 1773 dhe 1779, Cook vizitoi një grup të vogël ishujsh në Paqësorin Jugor. Ishujt morën emrin e tij. Cook Islands, ishujt e Cook-ut, kështu figurojnë në harta, nuk i përkasin më Britanisë së Madhe. Tani në ishujt e Cook-ut një iniciativë qytetare kërkon që të gjendet një emër i ri. Një emër që i referohet trashëgimisë së Polinezisë. Një komitet po kërkon një emër. Përmendet “Rangiaroa”, që domethënë: “Dashuri nga qielli”. Vendimin do ta marrin 17 mijë banorët e ishujve Cook.

2.

Bota është e padrejtë. Një grua nga qyteza Ahlen e Gjermanisë nuk ia ka paguar borxhet administratës komunale. Mes të tjerash ajo nuk e ka paguar as tatimin për qenushen e saj të quajtur Edda. Në nëntor një zyrtare e gjykatës dhe dy punonjës të komunës erdhën në banesën e gruas dhe konfiskuan katërkëmbëshen. Pas pak ditësh në platformën Ebay në internet u publikua një shpallje: shitet qenushja simpatike, çmimi 750 euro. Menjëherë u lajmërua një grua (një police!), e cila shprehu interesim ta blinte qenushen. Me zyrtarin komunal ajo u dakordua që çmimi i shitjes së qenushes të jetë 690 euro. Këtu nuk mori fund drama. Blerësja ka dorëzuar padi kundër komunës Ahlen. Ajo thotë se qenushja – ndryshe nga përshkrimi në shpallje – nuk ishte mirë me shëndet. Për shkak të një lëndimi në sy Edda u operua katër herë në një klinikë kafshësh në Duisburg. Shpenzimet për këto ndërhyrje arrijnë në 1800 euro. Blerësja tani kërkon që t’i kthehen paratë për trajtimin e qenushes – dhe 690 euro për blerjen e saj. Kjo është njëra ndër temat që po e hallakat Gjermaninë momentalisht.

3.

Kur evropianët kanë zbuluar Afrikën, këtë nuk e kanë bërë të shtyrë nga qëllimet humanitare. Më shumë ka qenë një ekspeditë plaçkitëse. Banorët vendas duhej të “civilizoheshin”, duke punuar si skllevër për skllavopronarët perëndimorë. Kolonializmi është një kapitull i dhimbshëm dhe trashëgimia e tij edhe sot aty-këtu në Afrikë pengon vendet për të përparuar. Evropianët nuk grabisnin në Afrikë vetëm minerale të çmuara, por edhe objekte (artefakte) të kulturës. Viteve të fundit në Paris, Londër e Berlin diskutohet shumë mbi kthimin e artefakteve në vendet ku janë grabitur. Para pak ditësh një delegacion i landit gjerman të Baden-Württemberg ia ktheu Namibisë Biblën dhe kamxhikun e heroit kombëtar Hendrik Witbooi. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se do t’ua kthejë vendeve afrikane 90 mijë objekte. Qe disa dekada Etiopia është duke kërkuar nga Britania e Madhe që t’ia kthejë një tufë flokësh të Perandorit Tevodros II. Leshi perandorak kishte rënë në duart e kolonizatorëve britanikë para 150 vjetësh. Tani Muzeu i Luftës në Londër (United Kingdom’s National Army Museum) ka vendosur t’ia kthejë Etiopisë tufën e flokëve të perandorit. Tevodros II. i kishte lutur britanikët t’i ndihmonin për të luftuar kundër egjiptianëve. Në të vërtetë i kishte lutur ta përkrahnin të gjunjëzonte dinastinë shqiptare që sundonte Egjiptin. Më 29 tetor 1862 Tevodros II. i dërgoi një letër Mbretëreshës britanike, por nuk mori kurrë përgjigje. Perandori u zemërua aq shumë dhe kamxhikosi misionarin anglikan Henry Aaron Stern dhe e internoi në një kala bashkë me evropianë të tjerë. Londra tërhoqi konsullin dhe më 1868 dërgoi një ekspeditë ndëshkuese me 60 mijë ushtarë në Etiopi. Tevodros II. bëri vetëvrasje. Britanikët ngarkuan 15 deve apo elefantë (burimet janë të ndryshme) me pasuritë e Perandorit. Kështu përfundoi në Londër edhe tufa e flokëve e etiopiasit të famshëm.

4.

Jean-Jacques Rousseau (Zhan-Zhak Ruso) nuk ka qenë përkrahës i barazisë gjinore. Në traktatin e tij “Émile ose mbi edukimin” (1762), filozofi i famshëm francez shkruante se gratë duhet të kenë liri të kufizuar dhe të mbahen në varësi të përhershme, sepse kjo i përgjigjet edhe gjendjes së tyre të natyrshme dhe, sepse edhe vajzat e ndiejnë se kanë lindur për të qenë të dëgjueshme. Çfarë thoshte dikur Rousseau për (pa)barazinë gjinore i ngjan modelit gjinor të shteteve të sotme më reaksionare arabe. Rousseau shkruan se gratë duhet të zhvillojnë aftësitë e tyre për t’i pëlqyer burrit «si shqiptarja e re për haremin e Isfahanit”. Isfahani është qyteti më i bukur iranian. Në gjuhën persiane njihet kjo fjali: “Isfahani është gjysma e botës” (Eṣfahān neṣf-e ǧahān). Çfarë ka shkruar Rousseau për pabarazinë gjinore duhet hedhur poshtë. Por, citati për shqiptaren në Isfahan jehon si dëshmi e një kohe kur lidhjet mes botës shqiptare dhe persiane ishin të ngushta. Jo rastësisht Naim Frashëri shkroi në persisht dhe Ismet Peja këndon për Fushën e Qerbelasë.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nine + three =