Duke pritur Macron - Arbëria News

Duke pritur Macron

  Arion Sulo

    Batuta e kryeministrit për mikun e tij, presidentin francez dhe sa vlen përpjekja për t’ia kaluar përgjegjësinë e vendimit për negociatat me BE-në luftës së brendshme politike në disa vende europiane

Ndërsa po këmbëngulte dje në Kuvend se qeveria i ka plotësuar të gjitha detyrat për të çelur negociatat me Bashkimin Europian, kryeministri shkoi në një ndërkallje dhe ironizoi lajmin e një medie kombëtare, të cilin e kishte dëgjuar para se të hynte në sallë. “‘Një defekt elektrik që solli një zjarr, ku nuk pati dëme, në Tepelenë.’ Tani më thoni, është ky një lajm kombëtar?”, pyeste Rama, i cili nënkuptoi se lajme të tilla, të cilat jepen çdo ditë, çdo orë, çdo minutë krijojnë atmosferën e një vendi të zhytur në pasiguri, ndërkohë që, sipas tij, lufta e qeverisë kundër krimit është sistemike dhe e përditshme.

Por kryeministri jo pa qëllim e konsideroi lajm të vjetër dhe nuk tha asnjë fjalë për grabitjen e dy ditëve më parë që terrorizoi Rinasin dhe cenoi sigurinë kombëtare. Në të njëjtën kohë që kryeministri bënte humor me lajmin kombëtar për zjarrin pa qeder të Tepelenës, mediat njoftonin se në Vlorë kishte shpërthyer tritoli i përditshëm.

Në prag të publikimit të progres-raportit të Komisionit Europian, i cili do të rekomandojë për të dytin vit rresht hapjen e negociatave, por Këshilli Europian nuk ka gjasa t’i miratojë, Parlamenti shqiptar miratoi me debat një rezolutë për ecurinë e procesit të integrimit, një debat që nëse opozita do të ishte në Kuvend do të shndërrohej pa dyshim në një nga më të vështirët për qeverinë. Në të kundërt dje Rama kishte përballë opozitën legale, por jo përfaqësuese, dhe e pati “bukë e djathë”, teksa kalonte nga një sukses i qeverisë në tjetrin, ndërsa kllapat e hapura të refuzimit të mundshëm në qershor i lidhi me vendimin politik të kryeministrave të BE-së dhe me sjelljen e opozitës sonë.

“Harresa e pafajshme” e kryeministrit për grabitjen e Rinasit nuk ishte e vetmja. Ai i mori me radhë kriteret e Komisionit Europian që, sipas tij, janë plotësuar; nga reforma në drejtësi, te korrupsioni, lufta ndaj krimit, pronat dhe reforma në administratë, por në secilin prej tyre la gropa të mëdha që askush nga deputetët e opozitës së re nuk i vuri re.

Kryeministri përmendi se “sot, 91% e autorëve të veprave penale në fushën e kultivimit, apo trafikimit të narkotikëve arrestohen. Janë në kërkim vetëm përqindja e mbetur”. Pak ditë më parë në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Shqipëria klasifikohej njëherazi “si një vendburim i kanabisit dhe vend transit për kokainën dhe heroinën”. Përkundër shifrave që Rama lexoi dje në Parlament, DASH-i vinte re se trafiku i këtyre dy drogave të forta komandohet “nga elementë të krimit të organizuar që transportojnë drogën nga vendet ku prodhohet, në Azi dhe Amerikën e Jugut, në tregjet europiane”. Raporti përmend zbulimin e dy laboratorëve të përpunimit të heroinës dhe kokainës në Shqipëri. Por lë qartë të kuptohet që rezultatet janë me efektivitet të kufizuar. “Korrupsioni në çdo nivel të qeverisë kufizon efektivitetin e përgjithshëm të tyre. Korrupsioni zyrtar është i përhapur dhe nxit një mjedis, ku trafikantët e drogës janë kryesisht në gjendje të veprojnë pa u ndëshkuar”, theksohej në të.

Këta dy paragrafë mjaftojnë për të rrëzuar tiradën e gjatë dhe tallëse të kryeministrit për mediat shqiptare, të cilat e bëjnë të zezë të bardhën e qeverisë, sa i përket luftës së krimit.

Për korrupsionin kryeministri iu kthye shprehjes së famshme se fajin e ka sistemi dhe jo njerëzit, ndërsa shtoi se në pak kohë janë trajtuar 2000 çështje konkrete individuale të njerëzve që trajtohen në kohë reale, nga qeveria, nga çdo ministër, sipas fushës kur lind shqetësimi dhe nga ku gjenerohet edhe ankesa. Edhe në këtë kriter, që ka mbi 15 vite që Komisioni Europian nuk e heq nga lista e vet, sërish kryeministri ishte deficitar me faktet. Nëse në Bruksel komisionerët do të shohin statistikat që Rama solli dje sipas platformës “Shqipëria që duam”, sërish është një përmirësim rastësor në bazë të denoncimeve dhe jo një sistem antikorrupsion. Së dyti, ankesat e qytetarëve për raste korruptive apo jo nuk kanë të bëjnë me fenomenin e mirëfilltë që na ngel në provimin e BE-së. Nëse ka korrupsion në Shqipëri ka atje ku shpërndahen fondet e mëdha shtetërore në qeveri dhe drejtoritë e mëdha, e jo në degët e shpërndarjes së kempeve në provinca.

Sërish Rama nuk kishte tekst për skandalin e tenderit të Unazës së Madhe, ku një prej firmave fitoi tenderin 18 milionë euro duke falsifikuar dokumentet, siç nuk kishte për koncesionet e inceneratorëve.

Por dështimi i pritshëm i qershorit duhet të ketë patjetër një shpjegim të besueshëm, ndaj dhe Rama dje, përveç opozitës, që si gjithmonë hedh baltë jashtë vendit, përgatiti opinionin se çelja e negociatave nuk lidhet me çfarë ka bërë qeveria, por lidhet me sa janë gati vendet e Bashkimit Europian të përballojnë betejën e tyre të brendshme politike. Që në platformat politike të partive të disa vendeve të BE-së në prag të zgjedhjeve europiane nuk ka vend për temën e zgjerimit të Unionit, është e vërtetë dhe sigurisht ndikon negativisht në vendimin e Këshillit Europian për Shqipërinë. Edhe batuta e Ramës për presidentin e Francës Macron, “i cili është kampioni pro europeist sot në të gjithë Europën dhe sidoqoftë, kur vjen puna te zgjerimi, kur vjen puna te çelja e negociatave me Shqipërinë edhe aty duket sikur hanë arra kur flitet”, është e vërtetë. Por, është po kaq e vërtetë se propaganda e qeverisë për plotësimin e kritereve të vendosura një vit më parë nuk ka si të zërë vend në Bruksel para skandaleve të ndodhura këtë vit në Shqipëri.

Nëse ato nuk do të kishin ndodhur, do të ishte e drejtë që Macron dhe skeptikët e tjerë europianë të mbaheshin përgjegjës për moshapjen e bisedimeve dhe ne të gjithë të prisnim kohë më të mira të politikës europiane. Por në situatën ku jemi, pritja duket se do të jetë e gjatë dhe e kotë.

/ Gazeta Liberale/

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eleven + 15 =