Durrësi lëkund 30 qershorin - Arbëria News

Durrësi lëkund 30 qershorin

Ndërsa pritej që kandidatët fitues të merrnin vërtetimin nga gjykatat për të nisur punën  si kryebashkiakët e rinj,  nga  Durrësi  vjen  kthesa e  befasishme ndaj  zgjedhjeve lokale. Gjykata e rrethit ka rrëzuar kërkesën e Valbona Sakos dhe e ka cilësuar 30 qershorin nul. Një vendim i çuditshëm ka ardhur edhe nga Gjykata e Tiranës për kandidatin e Vorës. Megjithëse pritet që vendimet të apelohen, shembujt e djeshëm mund të krijojnë lëkundje edhe në bashki të tjera

Suadela Balliu

Që zgjedhjet e 30 qershorit janë nul, prej ditës së djeshme nuk  është më vetëm një deklaratë politike e opozitës, por një vendim gjykate. Të paktën ato të zhvilluara në bashkinë e Durrësit.

Valbona Sako, fituesja e dalë nga zgjedhjet vendore e që do të pasonte Vangjush Dakon në zyrën e kryebashkiakut, nuk ka mundur të marrë të certifikojë mandatin në Gjykatën e shkallës së parë në Durrës, ndërsa gjyqtarja Mimoza Margjeka në vendimin e saj e ka argumentuar 30 qershorin si jo të ligjshëm.

Arsyet e gjyqtares zëfillin me regjistrimin e partisë “Bindja Demokratike”, e cila në Durrës garoi me kandidaten e saj Valbona Sakollari. Partia e Astrit Patozit, e cila u krijua dhe u regjistrua si subjekt zgjedhor në zgrip të përfundimit të afateve, sipas Gjykatës së Durrësit është regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ende pa u regjistruar në gjykatë, siç parashikohet me ligj e po ashtu ka qenë jashtë kohës së parashikuar nga ligji, ku partitë politike duhet të paraqesin kërkesë për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë para datës së zgjedhjeve. Mbështetje për vendimin e saj gjyqtarja ka gjetur edhe tek raporti paraprak i OSBE/ODHIR, ndërsa vlerësonte se  KQZ-ja e interpretoi ligjin në një mënyrë tejet të gjerë dhe, ndonjëherë jokonsistente, duke cenuar sigurinë juridike.

Ndërsa nga BD pas themelimit ngarendej për të kapur thirrjen e fundit për zgjedhje, si të vetmit opozitarë, dita e shtunë që përkonte me datën 21 prill, si afati i fundit për regjistrim në KQZ u dha mundësinë të regjistroheshin dy ditë më vonë.

Por në Gjykatë rezulton të jetë regjistruar si parti politike më 25 prill, pra dy ditë më vonë sesa regjistrimi në KQZ. Për  t’u regjistruar në organin më të lartë zgjedhor, një partie politike i duhet të paraqesë së pari vërtetin se është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë.

Duke e gjykuar regjistrimin e Bindjes Demokratike si subjekt zgjedhor në shkelje të hapur me

nenin 64 të Kodit Zgjedhor dhe nenin 9 të Ligjit “Për Partitë Politike”, që për pasojë është akt

administrativ pavlefshëm. Për pasojë edhe emri i kandidates Sakollari në fletën e votimit për zgjedhjet vendore, gjykohet i pavlefshëm e me një kandidat të pavlefshëm edhe procesi del të jetë i tillë, atëherë gjyqtarja ka marrë vendimin për t’ia rrezuar kërkesën Valbona Sakos për vërtetimin e kryetarit të Bashkisë në Durrës.

Pas vendimit ka reaguar menjëherë Sako, duke deklaruar se do të marrë masa, duke e apeluar në shkallën e dytë të Gjyqësorit. Kandidatja e PS-së për bashkinë e Durrësit, e shpallur fituese nga votimi i 30 qershorit, ka të drejtë që brenda pesë ditëve të ankimojë vendimin në Gjykatën e Apelit Durrës.

Pason Vora

Por nuk ka qenë vetëm Gjykata e Durrësit që ka refuzuar dje t’i japë mandatin fitueses së zgjedhjeve. Edhe Gjykata e Tiranës nuk i ka lëshuar vërtetimin Agim Kajmakut,  fituesit për Bashkinë e Vorës. Megjithatë arsyet e dhëna nga Gjykata e rrethit Tiranë kanë qenë të ndryshme me atë të Durrësit.

Sipas trupës gjykuese, kjo kompetencë i kalohet Gjykatës Administrative.

Por sipas nenit  60, pika 1, të ligjit 139/2015 “Për Qeverisjen Vendore”  mandati i kryetarit të bashkisë vërtetohet nga gjykata e rrethit gjyqësor, në juridiksionin e së cilës përfshihet bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij. Nëse praktika, e mbështetur në ligj, deri më tani, i ka parë kandidatët fitues të tërheqin vërtetimin pranë gjykatave të rrethit, vendimi i Gjykatës së Tiranës për ta larguar kompetencën nga vetja, ngre dyshime. Ndoshta duke pasur parasysh rastin e zgjedhjeve parlamentare të 2017-s, ku partia Fryma Rinore iu drejtua Kushtetueses për ta shpallur dekretin e presidentit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve si jo kushtetues, çështja u adresua tek Gjykata Administrative  si kompetente për specifikën. Për zgjedhjet vendore të 2019-s, debati për ligjshmërinë e 30 qershorit, i shfuqizuar me anë të një dekreti nga presidenti Meta, u zgjidh në Kolegjin Zgjedhor, që rrëzoi kërkesën e partisë Uniteti Kombëtar për t’u çregjistruar nga zgjedhjet pas dekretit presidencial.

Megjithëse nga Partia Socialiste, e kanë cilësuar vendimin e Gjykatës së Durrësit nul – fjala më e përdorur në gojët e politikanëve që pas dekretit presidencial të 8 qershorit, vendimi i Durrësit jep sinjale lëkundjeje, ndërsa presidenti Meta po dje ka rikujtuar 13 tetorin e dekretuar prej tij,  duke thënë se mund të ishte datë jo vetëm për zgjedhjet vendore por edhe ato të parakohshme parlamentare, të cilat kërkohen prej pesë muajsh nga opozita megjithëse me kushte të tjera si largimi i Ramës nga detyra e kryeministrit dhe formimi i një qeverie tranzitore.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla e ka cilësuar  absurd vendimin e Gjykatës së Durrësit për të mos i dhënë mandatin kryetares së bashkisë të dalë nga 30 qershori.

“Pavarësisht kësaj lajthitjeje anti-ligjore dhe anti-logjike të radhës, në respekt të vullnetit të popullit, çdo kryetar i sapo zgjedhur pas shpalljes së vendimit vetëm nga KQZ apo Kolegji Zgjedhor do ta marrë detyrën, do ta ushtrojë dhe do të japë llogari përpara Këshillit Bashkiak sikurse ligji e parashikon”, shkruante Balla në profilin e tij të Facebook-ut, ndërsa do të thoshte se vendimi i gjyqtares ka marrë brohoritjes e opozitës, që sipas socialistit janë në përpjekje të dëshpëruara për kaos e pasiguri.

Më herët, Partia Demokratike u bëri thirrje gjyqtarëve të mos jepnin mandatet, duke vërtetuar pavlefshmërinë e 30 qershorit, ose të pezullonin  gjykimin, pasi çështja për zgjedhjet vendore , sipas PD-së nuk mund të zgjidhet para se Gjykata Kushtetuese të vendosë për dekretet e Presidentit të Republikës.

Vendimet e gjykatës së Durrësit dhe asaj të Tiranës, përkojnë me porositë e dhëna nga partia opozitare, e cila prej shkurtit është jashtë parlamentit dhe zgjodhi të mos hynte në zgjedhjet lokale, të cilat më pas i denoncoi si të manipuluara.

Por sipas Taulant Ballës në Shqipëri,  sipas Kodit Zgjedhor,  mandatet e të zgjedhurve i jep vetëm KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. “Dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë përfundimtare dhe të paankimueshme”, ka arsyetuar Balla, duke shprehur qetësinë e maxhorancës për zgjedhjet e 30 qershorit dhe votëbesimin e qytetarëve.

Pas vendimit të dhënë dje nga Gjykata e Durrësit, ka reaguar edhe kreu i PD-së, i cili e sheh si një sinjal shprese.

“Farsa e 30 qershorit ishte masakër e Kushtetutës, e ligjit dhe e standardeve. Dua të përshëndes vendimin e Gjykatës së Durrësit, i cili sjell shpresë se në këtë vend ka gjyqtarë e gjyqtare që e kanë të shenjtë Kushtetutën dhe ligjin, se ka shërbyes civilë me kurajë dhe ndërgjegje që i shërbejnë shtetit të së drejtës dhe jo shtetit partiak”, shkruante Basha në Facebook, i cili përsëriti edhe njëherë se 30 qershori ishte grushti institucional e kriminal i kryeministrit Rama. “Të gjithë ata që i shërbyen Edi Ramës për të dhunuar Kushtetutën dhe ligjin me 30 qershor, do të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre kriminale”, do të shtonte kryedemokrati, i cili dy ditë më parë ka zhvilluar një takim me presidentin Meta, ku kanë folur edhe për 13 tetorin.

Reagime ka pasur edhe nga kreu i Bindjes Demokratike,  i cili ka polemizuar me ish-kryetarin e ish-partisë së tij.

“Ndaje mendjen o jurist. Qenke gëzuar për një vendim gjykate në Durrës, ndërkohë që po të kishe formimin elementar për atë, që pretendon se je arsimuar, duhet t’i njohësh të gjitha vendimet e institucioneve, jo vetëm ato që të pëlqejnë ty”, i përgjigjej  Astrit Patozi në “Facebook” Bashës.

Vetë Patozi, pak ditë pas zgjedhjeve ka ngritur  ankesa se BD-së i janë vjedhur vota. Ndërsa KQZ e rrëzoi pretendimin e tij, ai iu drejtua Kolegjit Zgjedhor , duke deklaruar se do të ndjekë çdo rrugë ligjore për të vërtetuar pretendimet se vota u deformua nga Partia Socialiste, e cila i ka administruar e vetme ato. “Nëse nuk hap kutitë, Rama pranon se ka vjedhur zgjedhjet”, deklaronte Patozi vetëm pak ditë më parë.

Për opozitën jashtëparlamentare jo vetëm që PS ka manipuluar me numrin e pjesëmarrësve në votime, duke i shtuar në mënyrë fiktive, por edhe kështu nuk ka mundur ta ndryshojë bojkotin e qytetarëve, që sipas krerëve të opozitës kapën shifrën e 85 përqind, gjë që e ngre pretendimet se opozita është maxhoranca reale.  Megjithatë, historikisht shqiptarët që shkojnë në zgjedhje nuk i kanë kaluar 47 përqind.  Ndërsa kandidatët fitues presin të marrin vërtetimet pranë gjykatave të rretheve, ka gjasa që shembulli i Durrësit të krijojë lëkundje të tjera në  61 bashkitë, të fituara të gjitha nga socialistët. /Gazeta Liberale

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

12 + 14 =