Dy fitoret e para të opozitës - Arbëria News

Dy fitoret e para të opozitës

Nëse opozita do të arrijë qëllimet e saj për të larguar Edi Ramën dhe për t’i hapur rrugë kërkesës së saj kryesore për një qeveri tranzitore, kjo mbetet për t’u parë, pasi në kushtet e sotme, ku palët janë ende larg me njëra-tjetrën, çdo parashikim është i pamundur.

Megjithatë, djegia e mandateve dhe protesta e opozitës, apo kauza e saj në tërësi, që tani ka shënuar dy fitore për interesin publik.

E para është çështja e votës së lirë dhe garës në kushte të barabarta. Si asnjëherë më parë në politikën shqiptare për votën e lirë nuk është folur kaq shumë dhe në këtë mënyrë, duke vajtur edhe në një akt ekstrem si ai i opozitës për djegien e mandateve. Në këtë kuptim, çështja e garës elektorale dhe fenomeni i shitblerjes së votës nuk ka qenë asnjëherë si sot kryefjala e shoqërisë dhe politikës shqiptare. Madje, është kthyer në çështjen më të ndjeshme të saj. Ka ardhur koha që, për një nga kushtet jetike të demokracisë, që është vota, nuk duhet të mjaftohemi me raporte tipe që kemi bërë progres, por ka akoma vend për përmirësime. Absurditeti më i madh në të gjithë këtë histori, është fakti se të gjithë e pranojnë që shitblerja e votës ekziston dhe çdo gjë vazhdon sikur asgjë nuk ndodh. E pranon opinioni publik, opozita, madje dhe vetë mazhoranca e ka pranuar një fenomen të tillë, dhe asgjë nuk bëhet në këtë drejtim. Prandaj, mbas 30 vitesh tranzicion, ku zgjedhjet kanë qenë gjithmonë të kontestuara, ka ardhur koha që njëherë e përgjithmonë të zhvillohen të lira, të ndershme dhe të barabarta. Është e qartë se, një qeveri e një pale politike, për shkak të instrumenteve institucionale dhe ekonomike që ka në dorë, do të ndikojë gjithmonë në favor të saj për të arritur rezultatin elektoral. Kështu ka ndodhur me çdo qeveri dhe këtë e dinë të gjithë. Ndryshe do të ishte nëse Shqipëria sot do të kishte një sistem gjyqësor të pavarur, i cili do të luftonte fenomenin e shitblerjes së votave. Duke qenë se ne nuk e kemi ende një pushtet të tillë gjyqësor dhe nuk mund t’i japë zgjidhje çështjes së pranuar gjerësisht të ndikimit në rezultatin elektoral, atëherë e vetmja rrugë mbetet një qeveri tranzitore neutrale, që të garantojë një garë të ndershme në kushte të barabarta, larg ndikimit politik të çdo qeverie. Në këtë mënyrë, për herë të parë ndoshta do të krijohej institucioni i pranimit të zgjedhjeve. Edhe për faktin se, ndryshimet e pushteteve në Shqipëri për këtë arsye janë kthyer në një kosto të madhe për shoqërinë, ekonominë dhe politikën.

Fitorja e dytë e opozitës përgjatë gjithë kësaj kohe, është dështimi i përpjekjes për të krijuar një opozitë në laborator. Tashmë është e qartë se “opozita e re” ka dështuar në të gjitha format e saj. Jo vetëm për arsye niveli që kanë shumica e deputetëve të saj, që është për të qarë e për të qeshur njëkohësisht, por edhe për arsye politike. Opozita e re nuk arriti dot të krijojë një frymë politike, apo të krijojë idenë se ekziston vërtet si e tillë dhe që është kundërshtare e kësaj qeverie, e aq më tepër të jetë alternativë e saj. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse deputetët e opozitës së re nuk janë përfaqësues të shqiptarëve. Mund të jenë deputetë kushtetues, por jo përfaqësues, të paktën të këtij parlamenti. Ndoshta, në parlamentin e ardhshëm nëse garojnë dhe fitojnë besimin e qytetarëve, mund të konsiderohen përfaqësues të tyre. Është e pamundur të ngjizet politikisht një opozitë nëse ajo nuk e ka marrë këtë mandat nga qytetarët për të qenë e tillë. Qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e 25 qershorit mandatuan si opozitë të vetme Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Ervis Iljazaj

/ Gazeta Liberale

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × two =