A e ka zënë “Shqipja” klasën tonë politike …? - Arbëria News

A e ka zënë “Shqipja” klasën tonë politike …?

Odise Kote

Biografi shqiptar në kontinentin e largët Qerim Panariti shkruan në kujtimet e tij : “Në një rast e pyeta imzot Fan Nolin, se si kish duruar me Shqiptarët një jetë të tërë?”
M’u përgjigj me katër fjalë : Më ka zënë shqipja!
Pastaj shtoi : “Shqipëria, si një popull i vogël dhe i shtypur prej armiqve të jashtmë dhe të brëndshmë, ka nevojë për njerës idealistë që janë gati të bëjnë sakrifica personale për një qëllim të shënjtë dhe të lartë ! Shqipërinë, të mirë a të ligë, ne e bëmë, dhe jua lëmë të tjerëve që ta mirësojnë !”

Po klasën tonë politike a e ka zënë “Shqipja” e Nolit ?
A po e çojnë ata Shqipërinë tonë drejt Europës? apo e degdisin andej nga shesin shpirtin e tyre të errët, për një grusht parash më tepër dhe egoizmin e tyre folkloriko – provincial ?

Njeriu i thjeshtë vë duart në kokë kur i dëgjon se si e paraqesin Shqipërinë tonë e shqiptarët në sy të botës, kancelari më kancelari. Lemerisesh kur i shikon se si i bëjnë punët për të ndrequr prapësitë e kohës e të paraardhësve të tyre.

Të merr të qarët prej mjerimit intelektual, ligjërimit publik e sidomos prej “veprës e punëve” të tyre plot hosanara.
Nuk ka shkurtesa.
Kohës dhe jetës nuk ia hedh dot.
Në fund të ditës, në fund të mandateve nuk ka rëndësi çfarë kanë grabitur për veten e tyre, kujt i kanë ngritur humorin, kë kanë bërë të ndjehet mirë.

E rëndësishme është përgjigjia e pyetjes : çfarë fitoi Shqipëria ? Kështu duhet ti pyesim një për një e ditë për ditë të gjithë politikanët tanë, duke i vënë me shpatulla për muri.
Ndryshe ata ja mbathin.
Ikin.
Dhe dihet që endacakët nuk bëjnë plane.
Ata ja mbathin jo nga brerjet e ndërgjegjes, as nga brengat që i lënë pa gjumë, por nga frikërat e ndëshkimit !
Ajo që humbet çdo ditë është Shqipëria jonë.

Ndaj na duhet të jemi vigjilentë e të përzgjedhim ata politikanë që sipas Nolit i ka zënë Shqipja… !

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

three + 16 =