E vramë, sepse ishte rom - Arbëria News

E vramë, sepse ishte rom

Jeta e fëmijës së dhunuar e të mbytur në Fushë Kosovë kushton lirë. Aq lirë, sa dhunuesi mund ta mbysë në sy të familjes, policisë, prokurorisë, shoqërisë. Aq lirë, sa të gjithë kujtohen të reagojnë një javë pas krimit. Jeta e humbur e tij është turpi i të gjithë neve. Ne e vramë këtë fëmijë. E vramë sepse nuk i krijuam kushte normale për jetë, sepse nuk i ofruam siguri. E vramë sepse ishte rom.

Imer Mushkolaj

Kur Qëndron Kastrati, kryetar i komunës së Kamenicës, emëroi një rom 21 vjeçar në postin e drejtorit komunal për Financa, u kritikua e u sha publikisht, me arsyetimin se drejtori i ri nuk kishte përgatitje të duhur shkollore. Kastrati tha se, nëpërmjet këtij emërimi dëshironte të sjellë ndryshime në shoqëri dhe shpresë për komunitetet pakicë, që edhe ata meritojnë një vend pune në institucionet publike. Pikërisht përkatësia etnike rome e Sinbad Sonkit ishte një ndër arsyet që kryetari ia dha atij pozitën e rëndësishme në Komunë. Pajtohem, i riu i komunitetit rom nuk është i përgatitur profesionalisht për punën që bën. Por, po ashtu, jam i bindur se reagimet do të ishin më të pakta po që se ai do t’i takonte komunitetit shumicë shqiptar. Siç jam i bindur se Sonki nuk mund t’i bëjë më shumë dëm komunës së Kamenicës se sa dhjetëra drejtorë të tjerë, shqiptarë, në të tjera komuna, me përgatitje universitare, por që qeverisin keq, vjedhin e i bëjnë njëqind dallavere.

Kastrati edhe mund të ketë gabuar me vendimin e tij, por mesazhi që ai ka dërguar është shumë i rëndësishëm në një shoqëri ku një komunitet i tërë injorohet, përbuzet e përçmohet. Është një mesazh i rëndësishëm për një shoqëri në të cilën moshatarë të Sonkit dhe më të rinj se ai, në Lipjan e Ferizaj, vetëm para pak javësh linçuan dhe e sulmuan publikisht një grua rome, vetëm pse ishte ndryshe dhe nuk i përmbushte “standardet morale e etnike” të shumicës. Për një shoqëri që ende nuk ka arritur t’i ofrojë këtij komuniteti kushte njerëzore për jetë e punë, larg ofendimeve dhe qasjes raciste të atyre që i japin vetës të drejtë të sillen brutalisht ndaj bashkëvendasve të vet.

* * *

Në kushte të vështira sociale dhe jo vetëm jetonte familja e komunitetit rom, e një fëmije 11 vjeçar në Fushë Kosovë, i cili u gjet i mbytur një javë më parë. Zyrtarisht u konstatua se, paraprakisht, ai ishte keqtrajtuar e dhunuar seksualisht, disa herë, nga një i dyshuar 20 vjeçar i të njëjtit komunitet. I dyshuari është arrestuar të mërkurën, në të njëtën ditë kur edhe nisën reagimet për ngjarjen.

U desh të kalojë një javë, që vdekja e një fëmije rom të marrë vëmendjen e institucioneve publike, vëmendjen e shoqërisë. Jam i bindur se nuk do të ndodhte kështu, po që se do të bëhej

fjalë për një fëmijë shqiptar. Mbase edhe Kuvendi i Kosvës do të thërriste seancë të jashtëzakoshme, qoftë vetëm sa për sy e faqe. Me siguri do të ishin organizuar edhe protesta.

Që nga janari i këtij viti nëna e viktimës bëri çfarë pati mundësi që të njoftojë organet përkatëse për abuzimin që po i bëhej djalit të saj. Policia e ka pasur identitetin e të dyshuarit për dhunim tash shtatë muaj. Por, nuk ka vepruar seriozisht. Ashtu si dhe prokuroria. Pse?

Është e dhimbshme, por ka arsye për të besuar se kështu ka ndodhur për shkak se fëmija i ka takuar komunitetit rom, për shkak se nëna e tij ka qenë e pafuqishme për të bërë më shumë, për shkak se ai nuk ka pasur mbështetje askund. Për shkak se ngjarjet e tilla në komunitetin rom konsiderohen “normale” dhe nuk duhet qasur me seriozitet.

Në rastin e fëmijës së dhunuar e të mbytur në Fushë Kosovë ka dështuar një sistem i tërë, ka dështuar një shoqëri e tërë. Neglizhenca institucionale duhet hetuar dhe dikush duhet të marrë përgjegjësi.

* * *

Jeta e një fëmijë rom kushton lirë në Kosovë. Aq lirë, sa dhunuesi mund ta mbysë në sy të familjes, në sy të policisë, në sy të prokurorisë, në sy të shoqërisë. Aq lirë, sa të gjithë kujtohen të reagojnë një javë pas krimit. Atëherë kur edhe organeve përkatëse iu vjen ndërmend të arsyetohen dhe të heqin fajin nga vetja. Sepse bëhet fjalë për një fëmijë rom, për një fëmijë që, pasi nuk e pati mbështetjen e askujt, përfundoi i dhunuar e i mbytur në një rrugë të një lagjeje të varfër të Fushë Kosovës.

Jeta e humbur e këtij fëmije është turpi i një sistemi të kalbur të drejtësisë, është turpi i të gjithë neve. Institucionet, shoqëria e vrau këtë fëmijë. E vrau sepse nuk i krijoi kushte normale për jetë. E vrau sepse nuk i ofroi siguri. E vrau sepse ishte rom./Gazeta Express /

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

12 + thirteen =