Ekonomia Socialiste - Arbëria News

Ekonomia Socialiste

Pasi u përcaktua rruga e zhvillimit ekonomik të vendit sipas modelit socialist u hartuan edhe planet e këtij zhvillimi. Drejtimi kryesor i këtij programi ishte industralizimi socialist, sipas të cilit do të zhvillohej si degë prioritare e ekonomisë industria e rëndë. Për kushtet në të cilën ndodhej Shqipëria me një ekonomi të vogël dhe të pazhvilluar, ky proçes kërkoi sakrifica të mëdha me sforcime të mjeteve monetare, të cilat rënduan kryesisht mbi popullin.

Megjithatë pavarësisht nga vështirësitë e shumta, në sajë të punës së sforcuar kolektive, pagave të ulta dhe financimeve sovjetike, nisi zhvillimi i industrisë shqiptare. Mbi bazën e burimeve që zotëronte rajoni e Fierit, shteti monist i kushtoi vëmendje të veçantë proçesit të industializimit në këtë trevë. Pikërisht në vitin 1947 në Patos ngrihet i pari kantier për nxjerrjen e naftës nga shoqëria shtetërore shqiptaro – jugosllave e vajgurit. Një vit më vonë prishja e marrëdhënieve midis dy shteteve bëri që vendin e kësaj shoqërie ta zinte ndërmarrja e re shtetërore e quajtur “Drejtoria e Përgjthishme e Naftës” me qendër në Kuçovë. Nën drejtimin e saj në vitin 1957 zbulohet vendburimi i rëndësishëm i Marinzës, që u shoqërua disa vite më vonë me nxjerrjen dhe shfrytëzimin e naftës në rajonin Kallm – Verri.

Zhvillimi i kësaj industrie pati ndikim të madh ekonomiko – shoqëror në qytetin e Fierit dhe rrethinat e tij. Transferimi në vitin 1967 i “Drejtorisë së përgjithshme të naftës” në Patos dhe zbulimi i vendburimeve të rëndësishme të Visokës dhe Ballshit, i dhanë një shtytje të madhe industrisë së nxjerrjes dhe përpunimit të saj. Për këtë qëllim u ndërtuan institute, laboratore, naftësjellës, baza prodhuese, rafineritë, Uzina Mekanike, ofiçina dhe shumë ndërmarrje në funksion të saj. I gjithë ky proçes u shoqërua me zhvillime urbane, gjatë të cilave mori përpjestime të mëdha rritja dhe zgjerimi i qyteteve të Fierit dhe atij të Patosit, si qytetet e naftëtarëve. Në Fier “Nafta” investoi për ngritjen e shumë pallateve të banimit për punëtorët e saj. I tillë ishte krijimi i lagjes “11 Janari” në vitet 1960-të, ndërtimi i rrugëve, unazës së qytetit, etj.

[1. Në vitin 1965 u themelua në Fier Instituti i Naftës, i cili botoi në vitin 1967 revistën tekniko shkencore “Nafta dhe Gazi”. Në vitin 1975 nga ky institut u krijuan dy institute të reja si: Instituti i studimeve dhe projektimeve gjeologjike të naftës e gazit (ISPGJNG) dhe instituti i Studimeve dhe Projektimeve teknologjike të naftës dhe gazit (ISPTNG). Në vitin 1968 u ndërtua rafineria e Fierit, ndërsa në vitin 1978 u vu në shfrytëzim kombinati i përpunimit të thellë të naftës në Ballsh.]

 

Krijimi i strukturave të naftës u shoqërua edhe me shtimin e inxhinierëve dhe intelektualëve që hodhën bazat e zhvillimit të shkencës në Fier. Në këtë ndërmarrje deri në vitin 1991 punonin 26 000 punëtorë dhe 2000 inxhinierë. Sipas statistikave ekonomike “nafta”1 siguronte 33% të të ardhurave vjetore kombëtare në Shqipërinë socialiste. Krahas arritjeve dhe sukseseve kjo degë e industrisë nuk i shpëtoi dot persekutimit dhe goditjes nga regjimi në fuqi2. Një degë tjetër e ekonomisë që u ngrit në rrethin e Fierit ishte edhe industria kimike e specializuar për prodhimin e plehrave kimike për bujqësinë. Në vitin 1965 u ngrit uzina e parë e cila prodhimin e parë edha dy vjet më vonë. Më pas, kompleksit kimik iu shtuan edhe dy uzina të tjera3. Për të mbështetur këto degë të industrisë së rëndë u ndërtuan dy termocentrale si: ai i Fierit dhe ai i Ballshit. Teci i Fierit për nga kapaciteti është më i madhi në Shqipëri me kapacitet 160000 kilovat energji të prodhuar prej tij në vit.

Investime të tjera në strategjinë e zhvillimit industrial ishte edhe ngritja e dy uzinave mekanike. E para u ngrit në Patos në vitin 1963. Qëllimi i saj ishte prodhimi i pjesëve të ndërrimit dhe paisjeve të industrisë së naftës si: dalta shpimi për puset, kompresorë, reduktorë për agregatët e çimentimit, saraçineska etj. Uzina tjetër e ngritur në Fier prodhonte makina bujqësore mbjellëse, shirëse, impiante të ndryshme dhe pjesë këmbimi për mekanikën bujqësore. Industria mekanike posedonte edhe disa ofiçina të mëdha si SMT-në e Fierit, ofiçinat e parkut të naftës Patos etj. Për pasojë përparësia e industrisë e zvogëloi peshën e industrisë ushqimore, për të cilën ekzistonin burime të bollshme dhe nëpërmjet saj siguroheshin kapitale të shumta në një periudhe të shkurtër. Pavarësisht se nuk zuri vendin kryesor në prodhimin e përgjithshëm industrial kjo industri në Fier u përfaqësua nga uzina e pastrimit të pambukut, fabrika e parë e së cilës u ndërtua në vitin 1952 me teknologji sovjetike.

[1. Nafta shqiptare megjithëse është naftë e rëndë e tipit asfaltiko – rrëshinor ka një fuqi kalorifike deri në 46.2 MJKG. Në vitin 1980 prodhimi i saj arriti shifrën 2 milionë e 387 mijë ton vit nga e cila 85% eksportohej bruto në Itali, RDGJ, Poloni etj. Deri në vitin 1997 janë nxjerrë gjithsej 47.2 milionë ton naftë dhe 11.6 miliardë m3 gaz natyror.

Në vitin 1975 filloi “kriza e mendimit shkencor” në naftën shqiptare ku regjimi dënoi drejtorin e përgjithshëm të saj Filip Nashin dhe shtatë inxhinierë me afate të ndryshme burgimi. Fushatat spastruese vazhduan në këtë sektor deri në mesin e viteve 1980. Kjo goditje ishte një nga më të mëdhatë drejtuar inteligjencës shqiptare. Po në këtë vit ndodhi edhe një ngjarje e bujshme siç ishte vetvrasja e Piro Gushos, sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit. Kjo ngjarje ndodhi për “rrethana të panjohura, në kuadrin e spastrimeve në këtë sektor.

Kompleksi kimik i Fierit përbëhej nga tre uzina: azotiku, ureja e vjetër dhe ureja e re. Teknologjia e tyre ishte e prodhimit kinez. Kompleksi prodhonte nitrat amoni që përdorej si pleh kimik për bujqësinë dhe si 12 e produkteve për qëllime të tjera kimike. Uzina prodhonte dhe amonjak sintetik. Si lëndë të para përdorej gazi metan dhe ajri atmosferik.]

 

Më pas në qytetin tonë u ngritën edhe fabrikat e industrisë ushqimore , si ajo e vajit, margarinës, kantina e verës me aftësi përpunuese 20000 kv rrush në sezon, fabrika e ekstrasionit që prodhonte çdo vit 45000 ton ushqime të thata për blegtorinë etj. Strategjia ekonomike e ndjekur në këto vite shtroi nevojën e zhvillimit të transportit automobilistik dhe hekurudhor. I ndikuar shumë nga zhvillimi i atyre degëve të industrisë, fillimisht u zhvillua transporti automobilistik. U ngritën dhe filluan funksionimin dy parqet më të mëdha të vendit, siç ishin: parku automobilistik i Fierit1 dhe ai i transnaftës në Patos. Me ngritjen e industrisë së rëndë përparësi mori edhe transporti hekurudhor. Në vitet 1967 – 1968 u ndërtua hekurudha Rrogozhinë – Fier, 53 km e gjatë, e cila e lidhi Fierin me hekurudhën kombëtare.

Më vonë u ndërtuan edhe dy arterie të rëndësishme transporti. Në vitet 1974 – 1975 u ndërtua hekurudha Fier – Ballsh 26 km e gjatë, ndërsa në vitet 1981 – 1986 u ndërtua hekurudha tjetër, ajo Fier – Vlore 35 km e gjatë. Zhvillimin e transportit e stimuloi edhe relievi i ulët fushor dhe kodrinor i rrethit të Fierit. Sipas statistikave ekonomike të vitit 1985 industria në rrethin e Fierit jepte 73.3% të prodhimit e përgjithshëm.

Dega kryesore e ekonomisë ishte nxjerrja dhe përpunimi i naftës që zinte 46% të prodhimit, industria ushqimore zinte vendin e dytë me 15.2% dhe më pas renditeshin industritë e tjera si: industria kimike me 11.3%, industria elektrike me 8.9%, industria mekanike me 7.3% të prodhimit të përgjithshëm. Duke llogaritur prodhimin e përgjithshëm të ekonomisë kombëtare në prodhimin industrial Fieri renditej i dyti si rreth pas Tiranës, duke dhënë 12% të prodhimit industrial. Industria e tij krahasur me rrethet e tjera jepnin këto shifra prodhimi: industria kimike 31.5%, industria elektrike 15.5% dhe ajo ushqimore 7.4%. Shtetëzimi dhe centralizimi i çdo gjëje në duart e shtetit, vetëizolimi në marrëdhënie me botën, reformimet, organizimet e ndryshme, mania e gjigantizmit, mungesa e investimeve të rëndësishme, të ardhurat e ulëta punëtoreve, së bashku me mënjanimin e shpërblimeve të ndryshme, shënuan hapat e para të krizës ekonomike, e cila do të “mbërthejë” fort industrinë në fundin e viteve 1980.

[1. Parku i mallrave “Vangjel Rusku”. Dy parqe të tjerë më të vegjël në Fier ishin: parku i tregtisë dhe ai i industrisë.

  1. Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Fieri (rrethi), Tiranë 1985]

/Fieri.com

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eight − five =